SHBA rindez shpresat për negociatat Rama-Basha

544
Rihapet shpresa për negociata, SHBA mes Ramës e Bashës
Takimet e diplomatit të lartë amerikan lënë hapësirë për bisedime në distancë mes palëve. Megjithatë zgjidhja e krizës mbetet larg
Ndërhyrja amerikane në politikën e Tiranës ka hapur një spirale negociatash në distancë mes palëve politike për të gjetur zgjidhje për krizën, ndonëse ka shpresa të vakëta për të arritur një kompromis mes kryeministrit Edi Rama dhe kryeopozitarit Lulzim Basha. Takimet e Hoyt Brian Yee, zv/ndihmëssekretar në Departamentin e Shtetit, me Ramën, Metën dhe Bashën kanë ndezur një dritë të zbehtë për të rinegociuar, pavarësisht se palët politike janë ende larg gjetjes së pikave të përbashkëta. Nga takimet e zyrtarit të lartë amerikan ka rezultuar një vullnet, ndonëse i moderuar, për të riparë rrugët e kompromisit lidhur me paketën e propozuar disa ditë më parë nga eurodeputeti McAllister. Paketë që bënte fjalë për drejtimin e disa institucioneve të pavarura nga opozita dhe ndryshimin e 4 ministrave, krahas përmirësimeve në Kodit Zgjedhor. Në listën e institucioneve të pavarura që iu ofruan opozitës ishte KQZ-ja dhe Avokati i Popullit. Gjithashtu, kjo paketë parashikonte edhe një shtyrje të datës së zgjedhjeve deri më 16 korrik, ndërsa dje mësohet se është diskutuar edhe për mundësinë e zhvillimit të tyre në datat 23 apo 30 korrik, por më tej kësaj periudhe. Paketa McAllister është hedhur poshtë nga opozita gjatë takimeve me eurodeputetët pak javë më parë, ndërsa është kushtëzuar nga kryeministri Rama me votimin e vetingut. Më pas, gjatë takimeve në zyrën e Presidentit të Republikës, vetë kryeministri tha se kishte hequr dorë nga ofertë e tillë, duke ofruar një skemë mbikëqyrëse mbi qeverinë (përfshirë një zv/kryeministër dhe disa zv/ministra), lidhur me angazhimin e saj në zgjedhje. Zyrtari i lartë amerikan është takuar dje në Tiranë me kryeministrin Rama, kryeparlamentarin Meta dhe më pas me kreun e opozitës Basha. Gjatë pasdites burime politike bënë të ditur edhe për një bisedë telefonike mes ish-kryeministrit Sali Berisha dhe zv/ndihmëssekretarit amerikan. Megjithatë detajet rreth negociatave në distancë kanë qenë të pakta, ndërsa dita e sotme mund të jetë vendimtare për të parë nëse ka lëshime të dyanshme nga Rama dhe Basha. Ndërkohë gjatë ditës, zëvendësndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Hoyt Brian Yee, tha se komuniteti ndërkombëtar do t’i njohë zgjedhjet e 18 qershorit, edhe nëse nuk do të ketë një marrëveshje dhe opozita nuk do të marrë pjesë, me kushtin që ato të pranohen nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Zyrtari amerikan i bëri këto komente gjatë një takimi me një grup gazetarësh shqiptarë, pasi ishte takuar me kryeministrin Edi Rama dhe kryetarin e parlamentit Ilir Meta, por përpara se të takohej me kreun e opozitës Lulzim Basha. Partitë e djathta kanë refuzuar të përfshihen në procesin zgjedhor, duke kërkuar krijimin e një qeverie teknike. Hoyt Yee tha se “zgjedhjet janë më të mira kur kanë pjesëmarrjen më të gjerë të mundshme të partive politike, sepse populli i një vendi duhet të përfaqësohet në qeveri”, por shpjegoi ai, SHBA-të “e respektojnë të drejtën e partive për të mos marrë pjesë, dhe të drejtën e tyre për bojkot, por vemë në dyshim arsyet prapa këtij vendimi”. Ai shtoi se nuk ka parë “asnjë bojkot të ndihmojë partinë që po bojkoton apo të ndihmojë vendin ku kjo parti po përpiqet të përfitojë politikisht”. “Bojkotet nuk funksionojnë; nuk janë një taktikë fituese, dhe padyshim nuk janë as një strategji”, u shpreh ai. Zyrtari amerikan bëri sërish thirrje palëve që të ulen për të gjetur një zgjidhje, duke saktësuar se “çdo kompromis, çdo marrëveshje do kërkojë që të gjitha palët të bien dakord. Dhe ka pak gjasa që qeveria për shembull të pranojë një vonesë të pafund të zgjedhjeve”. “Ajo që ka rëndësi, theksoi ai , është që të ketë bisedë serioze mes partive”, ndërsa paralajmëroi se “koha për të arritur një marrëveshje, nëse do të ketë një marrëveshje, është shumë e kufizuar”. Sipas tij, baza e dialogut duhet të jetë platforma që u propozua disa javë më parë nga kryetari i Komisionit të Jashtëm të Parlamentit Europian, David McAllister. Zyrtari amerikan u shpreh se SHBA-të e mbështesin këtë propozim. “Mendojmë se është një propozim i ndershëm dhe shpresojmë që partitë do ta pranojnë si mjet për të arritur një marrëveshje për të mundur që të marrin pjesë në zgjedhje”, nënvizoi Hoyt Yee. Gjatë vizitës në Tiranë, zyrtari amerikan është takuar edhe me zërat kundër në Partinë Demokratike. Mes zërave më aktiv kundër linjës së kryetarit Lulzim Basha ka qenë deputetja Majlinda Bregu, e cila ka biseduar dje me diplomatin amerikan. Gjithashtu, Jozefina Topalli ishte një tjetër deputete demokrate e ftuar për takim nga Hoyt Brian Yee.
Sigal