Pas braktisjes së takimit nga ambasadorja e SHBA kur mori fjalën Beqaj, duket se ish-ministri ka marrë një goditje tjetër. Nuk udhëtoi dot për SHBA bashkë me delegacionin qeveritar, pas refuzimit të vizës. Dosja në SPAK për koncesionet fiktive në shëndetësi, ka futur sërish në ethet e prangave të graduarin në krye të agjencisë për trajtimin e fondeve që vijnë nga BE për Shqipërinë. Ja prapaskenat dhe paralajmërimi i fortë i deputetit : Dy ministra të tjerë po bëhen gati për në burg!
Prej disa ditë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës shkoi për vizitë një delegacion i qeverisë shqiptare i kryesuar nga zëvendëskryeministrja dhe njëherazi ministrja e Infrastrukturës dhe Energjitikës, Belinda Balluku. Fokusi i vizitës ishin disa takime të nivelit të lartë politik në OKB dhe Ëashington për diskutimin e axhendës së Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm. Burime për një mediatik shqiptar Lapsi, thanë se ishte parashikuar që pjesë e këtij delegacioni të ishte edhe Ilir Beqaj, ish-ministri i Shëndetësisë që Edi Rama e fuqizoi në mandatin e tretë duke i krijuar një agjenci që administron gjithë fondet ndërkombëtare dhe ndihmën e huaj për Shqipërinë (SASPAC). Por në të vërtetë Beqaj nuk e kaloi dot oqeanin për të mbërritur në SHBA. Sipas burimeve, ish-ministri me një çështje të hapur në SPAK, nuk arriti dot të pajisej me një vizë nga Ambasada Amerikane në Tiranë. Nuk është e qartë nëse kemi të bëjmë me refuzim të vizës amerikane për Ilir Beqajn apo tërheqje të këtij të fundit nga aplikimi duke e njohur pikërisht raportin e vështirë që ka me selinë diplomatike të Rrugës së Elbasanit. Fakt është që ai nuk udhëtoi dot për SHBA bashkë me delegacionin e kryesuar nga Belinda Balluku.
I cilësuar shpesh nga opozita si kryehajduti ekselent, Ilir Beqaj si emër rezulton në SPAK në shumë kallëzime dhe hetime kryesisht për tre PPP-të mjekësore Check-up, Laboratorët dhe Sterilizimi i Pajisjeve Kirurgjikale me vlerë 350 milionë Euro. Në vitin 2015, Ilir Beqaj i tha shokut të tij koncesionin e sterilizimit të pajisjeve mjekësore me vlerë 100 milionë euro. Për të maskuar skandalin, pjesë e konsorciumit u bënë edhe tre kompani të tjera si “U.Jet S.r.l”, “Servizi Italia” dhe “Tecnosanimed”. Kompanitë, që humbën u ankuan tek KPP. Ata thanë se oferta fituese e shokut të Beqaj tejkalonte fondin limit me 9.6 miliardë lekë.
“Shuplaka” e Yuri Kim për Ilir Beqaj
Në korrik të vitit të shkuar, ambasadorja amerikane Yuri Kim bëri një largim demonstrativ prej një takimi të organizuar nga Ministria e Brendshme në momentin kur fjalën e mori Ilir Beqaj. Braktisja e takimit nga ambasadorja e SHBA ndërsa fliste Ilir Beqaj dha një mesazh të fortë, se rehabilitimi i tij nuk do të pranohej nga amerikanët, të cilët kanë ndikim të fortë në SPAK. Pas Yuri Kim nuk qëndroi për të dëgjuar fjalën e Beqajt as ambasadori i BE-së atë kohë, Luigi Soreca. Në mënyrë sistematike më pas, edhe pasuesja e Sorecas në Tiranë, ka shmangur çdo takim ku ishte i pranishëm Ilir Beqaj. Sa i përket incidentit me Yuri Kim, ambasada e SHBA atë mbrëmje ishte kujdesur të servirte në media pikërisht injorimin që kryediplomatja amerikane i bëri Beqajt. Neës24 raportoi atë çfarë e fshehën me mjeshtëri nga regjia qëndrore propagandistët e Rilindjes. Pra, amerikanët ishin të interesuar që çfarë ndodhi në “Rogner” të merrej vesh publikisht dhe ashtu ndodhi.
Dosja në SPAK
Pak javë pas krijimit të SPAK, Nisma ‘Thurje’ depozitoi më 23 dhjetor 2019, një kallëzim dhe kërkoi vendosjen para përgjegjësisë penale të zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilit kishin nëshkruar kontratën koncesionare të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale me vlerë 100 milionë USD. Prej 4 vitesh, SPAK ka regjistruar një procedim lidhur me këtë kallëzim për të tre veprat penale të denoncuara, përfshirë “shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”; “shpërdorimi i detyrës”; “korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë” – por ende nuk ka evidentuar zyrtarët përgjegjës për kryerjen e tyre. Në pyetje është marrë nga prokurorët edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqaj. Sot 4 vite më pas nuk dihet fati i kësaj dosje edhe pse ishte denoncimi i parë që u depozitua në SPAK.
Lidhja me Ramën
Miqësia mes Edi Ramës dhe Ilir Beqajt është e hershme. Në rini, të dy qenë basketbollistë në skuadrën e Dinamos. Beqaj qe një nga prurjet ekskluzive të Ramës në Partinë Socialiste, që vazhdoi më pas me zgjedhjen si deputet dhe katapultimin si ministër. Me pak fjalë, të dy njihen prej një jete. Edhe pse vazhdimisht ai ka qenë një ushtar i bindur i Edi Ramës dhe ka bërë gjithçka ka dashur kreu i organizatës së Rilindjes, Beqaj nuk ka asgjë të sigurtë që ai s’do të ketë fatin e Lefter Kokës, Vangjush Dakos, Alqi Bllakos, Saimir Tahirit, Safet Gjicit e Arben Ahmetajt së fundi. Mbetet për t’u parë çfarë do të bëjë SPAK me dosjen e aferës së koncensionit të sterilizimit e çfarë do të vendosë më pas vetë Edi Rama, do ta çojë te shokët e tjerë të partisë në qeli edhe Ilir Beqaj apo do të bëhet mburojë për arrestimin e tij përmes kontrollit që kryeministri ka në sistemin e drejtësisë së re?!
Pas daljes nga SPAK, qeveria i fal 10 000 metra katrorë tokë shtetërore një tjetër “investitori strategjik”
Gerian Kuka u paraqit këtë të mërkurë në SPAK për t’u pyetur lidhur me rolin e tij në hetimet për inceneratorët, në ngarkim të ish-ministrit Arben Ahmetaj. Më vonë gjatë ditës, kryeministri Edi Rama firmosi dhënien e një sipërfaqeje prej 10 000 m2 tokë shtet në përdorim të një firme në bashkëpronësi të biznesmenit, që ka marrë më herët statusin e investitorit strategjik. Rastësi?
Statusi i investitorit strategjik Biznesmeni Gerian Kuka rezulton bashkëpronar me 30 përqind të kuotave të “INVESTMENT and DEVELOPMENT ALBANIA” SH.P.K. Sipas të dhënave nga Qendra Kombëtare e Biznesit, firma është regjistruar në QKB në maj 2019. Dy bashkëpronarët e tjerë janë Ilir Shtufi 30 përqind të aksioneve dhe Agim Zeqo ( i njohur edhe si “Gimi i Redbullit” ) me 40 përqind. Të tre, rezultojnë pronarë edhe në të tjera biznese, që kanë përfituar shuma të konsiderueshme monetare në procedura tenderuese dhe leje ndërtimore gjatë qeverisjes socialiste.“INVESTMENT and DEVELOPMENT ALBANIA”, me një vendim të datës 1 shkurt 2023, shpallet investitor strategjik nga Komiteti i Investimeve – kryetar i së cilit është kreu i qeverisë Edi Rama. Referuar vendimit, kompania synon ndërtimin e “GreenHouse Korça Resort”, një “strukture turistike elitare që do të ketë në përbërje një hotel me 5 (pesë) yje, me kapacitet total prej 94 (nëntëdhjetë e katër) dhomash, restorante, bare, SPA, etj” dhe me vlerë investimi mbi 18 mln euro. Projekti parashikohet të ndërtohet një sipërfaqe totale prej 10,000 m². Vendi i investimit është në territorin e Bashkisë së Korçës (zona kadastrale nr.8561, me numër pasurie 1/911) që prej Majit 2021 ka kaluar në pronësi të Ministrisë së Turizmit përmes një vendimi qeverie. Pas firmës së parë në shkurt, më 19 korrik 2023, Edi Rama hodhi të dytën. Këtë herë si kreu i qeverisë duke avancuar procedurat burokratike në favor të investitorëve strategjik.Vendimi i Këshillit të Ministrave parashikon që 10 000 metra katrorë tokë shtet të “vihet në dispozicion për zhvillimin dhe realizimin e projektit investues strategjik Green House Korça Resort, me subjekt investues Investmentand DevelopmentAlbania, sh.p.k.”.
Roli në dosjen “Ahmetaj”
Thirrja në SPAK paraditen e kësaj të mërkure për Gerian Kukën erdhi në kuadër të hetimeve për inceneratorët në ngarkim të Ahmetajt, që prokuroria e akuzon për korrupsion, fshehje pasurie dhe pastrim parash. Ish-ministri, sipas akuzës, ka pranuar qindra milion euro ryshfet nga Zoto dhe Mërtiri duke i favorizuar që kompanitë e tyre dhe të lidhura me ta të shtien në dorë kontratat koncesionare të incenratorëve të Elbasanit dhe Fierit. Referuar dosjes hetimore, Gerian Kuka ka qenë i përshirë në një transaksion për të maskuar dhurimin e vilës “Saphire nr. 22” në Hamallaj, nga përfituesit e koncesioneve të incenertorëve – Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, te Arben Ahmetaj. Prokuroria thotë se vila me sipërfaqe trualli 521.13 m2 dhe sipërfaqe ndërtese 98 m2 “është përfituar në vitin 2017 nga Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri në mënyrë të tërthortë nëpërmjet transaksioneve të kalimit më parë të kësaj pasurie në emër të shtetasit Klodian Zoto, në vijim në emër të shtetasit Gerian (Geri) Kuka e më pas në pronësi të shtetases Erjola Hoxha, bashkëjetuese e personit nën hetim Arben Ahmetaj”.




















