Sezoni turistik zgjatet deri në 15 nëntor, plazhet me masa të rrepta sigurie

465
Sigal

Sezoni turistik është shtyrë deri në 15 nëntor për t’i dhënë mundësi bizneseve të rikuperojnë të ardhurat e humbura gjatë pandemisë nga koronavirusi.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i turizmit, Blendi Klosi gjatë një takimi me përfaqësues të operatorëve turistik të Vlorës, ku prezantoi dhe mënyrën se si hotelet por dhe subjektet e tjera mund të aplikojnë për lejen për hapjen e plazheve.

Ndërkohë ai bëri të ditur se procesi i hapjes së plazheve që nis nga dita e hënë, do të shoqërohet me masa të rrepta nga institucionet përkatëse.

Klosi tha se të gjitha bizneset që shkelin rregullat do të ndëshkohen me gjobë dhe deri në heqje të licensës.

Sistemi i aplikimit për këtë vit është unik në të gjithë vendin dhe të gjitha bizneset mund të aplikojnë nga data 1-15 qershor në portalin e-albania.

Pas plotësimit të dokumentave dhe vlerësimit nga ana e Ministrisë së Turizmit dhe ajo e Shëndetësisë, bizneset do të paguajnë faturën e bashkisë dhe do të lidhin kontratën me këtë të fundit.