Seseri: Bordi Mbikëqyrës i BSH dhe guvernatori Fullani kanë dështuar

425
Sigal

Partnerja në kompaninë Fairhaven Capital, Rudina Seseri gjatë një interviste ditën e djeshme për Zërin e Amerikës nga Bostoni i Masaçusetsit u shpreh se, Bordi Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë ka dështuar në përgjegjësinë e vet të mbrojtjes së interesave të publikut, “si në nivelin e zbatimit të ligjit, si në nivelin e ndjekjes, monitorimit dhe auditimit të rregullave dhe zbatimit të tyre dhe në aspektin etik”. Zonja Seseri i referohej rastit të vjedhjes së rreth 7 milionë dollarëve në Bankën e Shqipërisë dhe përgjegjësive që dalin prej kësaj vjedhjeje. Në intervistën e dhënë, zonja Seseri tha se Guvernatori Ardian Fullani ka dështuar dyfish, si kryetar i këtij bordi dhe si drejtuesi i anës zbatuese të Bankës së Shqipërisë. Duke sjellë shembuj nga Shtetet e Bashkuara, zonja Seseri e hodhi poshtë qëndrimin e zotit Fullani, se stabiliteti i Bankës është i lidhur me personin e tij. Zonja Seseri përveç gjykimit të saj të plotë mbi vjedhjen skandaloze të Bankës së Shqipërisë, tha se, shqetësimi i saj është se si funksionon një institucion i pavarur kur nuk ka kontroll dhe balancë dhe kur ka rregulla të pashkruara, kur rregullat e shkruara dhe proceset nuk zbatohen, kur nuk ka auditime për vite dhe që edhe kur bëhen janë të brendshme. Ekspertja e financave thotë se fakti që dështoi procesi i mbrojtjes së parave të Bankës dhe që një individ i vetëm kishte qasje në gjëra madhore në bankë, tregon se kemi të bëjmë me një problem sistematik.