Senida Mesi merr frenat e qeverisë, drejton ministrat

Zv/kryeministrja Senida Mesi ka drejtuar mbledhjen e dytë të qeverisë së re dhe për herë të parë është ulur në karrigen e Edi Ramës. Për shkak të largimit të kryeministrit Rama për një vizitë në Shtetet e Bashkuara, zv/kryeministrja Mesi e ka parë veten në krye të ministrave për të udhëhequr mbledhjen e përjavshme. E vendosur si një emër surprizë në listën e anëtarëve të qeverisë për mandatin e dytë të socialistëve, Mesi tashmë duhet zëvendësojë Edi Ramën gjatë mungesës së tij për shkak të angazhimeve jashtë vendit. Gjatë muajve të parë të këtij viti, zv/kryeministri i atëhershëm, Niko Peleshi, drejtonte shpeshherë mbledhjet e Këshillit të Ministrave për shkak të mungesës së Ramës. Ndërkohë, zv/kryeministrja e re është caktuar edhe si përfaqësuese e qeverisë në Konferencën e Kryetarëve të Kuvendit. Ajo do të mbulojë funksionet që më parë kishte ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ermonela Felaj. Numri i dy i qeverisë duhet të marrë pjesë në mbledhjet e Konferencës së Kryetarëve dhe të rakordojë të gjithë veprimet e lidhura me komunikimin, kalendarin e vendimmarrjen mes dy institucioneve. 

Senida Mesi u zgjodh deputete në qarkun e Shkodrës më 25 qershor 2017 dhe u përfshi në qeveri nga kryeministri, ashtu si drejtuesi i listës së këtij qarku, ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati. 
Sigal