Sekreti, prokurori ka prioritet ndaj deputetit

494
Avokatja dhe ish-zv/ministrja e Drejtësisë, Brikena Kasmi, flet për rastin “Tahiri” dhe përgjegjësitë e Kuvendit, akuzës e mediave
Dr. Brikena Kasmi, avokate pranë “Afortiori Legal Counsels” dhe autore e librit “E drejta e Medias”, shpjegon në një intervistë për “Telegraf” diferencën mes Komisionit të Mandateve dhe një komisioni hetimor parlamentar. Ajo nënvizon se prokurori është zot i dosjes dhe vendos kufijtë e njohjes së deputetëve me sekretet e hetimit.
Lidhur me rastin “Tahiri”, në media janë publikuar të dhëna të konsideruara sekret, ndërsa ka patur akuza ndaj anëtarëve të Komisionit të Mandateve për shkeljen e deklaratës përkatëse që ata vetë kanë firmosur. Si rregullohet një çështje e tillë në aspektin ligjor dhe çfarë kufizimi e përgjegjësie ka deputeti që njihet me një sekret hetimor? A mundet Komisioni parlamentar i Mandateve të njihet me provat e një dosjeje hetimore?
“Që në fillim më duhet të sqaroj rolin e një komisioni parlamentar, në të cilin përfshihet dhe Komisioni i Mandateve. Komisionet parlamentare janë mekanizma kontrolli të posaçëm që ushtrohen nga deputetët. Kryesisht këto mekanizma kontrolli përfshi dhe Komisionin e Mandateve i japin jetë demokracisë parlamentare dhe fuqizojnë përgjithësisht rolin e opozitës. Komisionet hetimore ngrihen për t’u mundësuar subjekteve politikë krijimin e një bindje të tyre si dhe formësimin e një qëndrimi zyrtar në lidhje me një çështje të caktuar. Në rastin konkret, Komisioni iMmandateve është i ndryshëm me një komision hetimor “Tahiri”. Një komision hetimor do të kishte disa funksione, dy më të rëndësishmet janë: krijimi i një opinioni politik të anëtarëve të Kuvendit në lidhje me veprimtarinë e një anëtari Kuvendi ish–ministër, si dhe krijimin e një qëndrimi politik në lidhje me çështjet e ngritura në media. Komisionet hetimore janë të përcaktuara në nenin 77 të Kushtetutës, i cili parashikon se Kuvendi është i detyruar të caktojë komision hetimi për të shqyrtuar një çështje të veçantë (bazuar në kërkesën e ¼ të deputetëve). Kushtetuta, gjithashtu parashikon se përfundimet e tyre nuk janë detyruese për gjykatat, por mund t’i njoftohen prokurorisë, e cila i vlerëson sipas procedurës ligjore. Në rastin konkret bëhet fjalë për një Komision Mandatesh, që gjithsesi u ngrit për t’i mundësuar deputetëve që të krijonin një bindje të tyre në lidhje me mandatin Tahiri sipas një kërkese të prokurorisë. Për të mundësuar arritjen në një përfundim mbi një çështje të caktuar për deputetët është e nevojshme njohja me dosjet e hetimit, po kufijtë e njohjes së deputetëve me sekretet e hetimit duhet të përcaktohen nga prokurori. Prokurori është zot i hetimit të një çështjeje. Kjo del qartë dhe nga neni 148 i Kushtetutës (ndryshuar me ligjin nr. 76/2016 datë 22.7.2016) i cili parashikon se: “Prokuroria është organ i pavarur që garanton mbarëvajtjen, kontrollin e veprimeve të saj dhe respekton pavarësinë e brendshme të prokurorëve për hetimin dhe ndjekjen penale, sipas ligjit”. Rrjedhimisht nga sa më sipër, prokurori, pa cënuar integritetin e hetimeve vendos se cilat dokumente mund t’ia vërë në dispozicion një komisioni hetimor dhe nëse ia vë në dispozicion ai përcakton dhe modalitetet e përdorimit si për shembull njohjen, por jo publikimin, ose njohjen në kohë limit pa pasur mundësi fotokopjimin apo fotografimin. Në rastin konkret modaliteti i zbatuar ka qenë nënshkrimi i deklaratave të përgjegjësisë.
Në mbështetje të Kushtetutës edhe ligji procedural penal pranon se rregullat për mënyrën e ushtrimit të ndjekjes penale, të hetimit dhe gjykimit të veprave penale, janë të detyrueshme për subjektet e procedimit penal, për organet shtetërore, personat juridikë dhe shtetasit. Jo pa qëllim, Kushtetuta ka përmendur në subjektet që kanë detyrë respektimin e këtyre rregullave dhe organet shtetërore. Deputetët nuk bëjnë përjashtim. Kjo do të thotë se në balancimin e raporteve midis një komisioni parlamentar dhe hetimit të prokurorisë, prioritet ka hetimi i prokurorit. Duke qenë se legjislacioni procedural penal ka për detyrë të sigurojë një procedim të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor, të mbrojë liritë̈ personale dhe të drejtat e interesat e ligjshme të shtetasve, të ndihmojë për forcimin e rendit juridik dhe zbatimin e Kushtetutës e të ligjeve të shtetit, ky legjislacion zbatohet me prioritet ndaj çdo vendimi Kuvendi, qoftë ky edhe rregullore. Risku më i madh, i cili në rastin konkret thuhet se ndodhi (duke prezumuar se lajmet në media se materialet hetimore janë bërë publike nga deputetët) do të ishte publikimi i elementëve kyç të dosjes hetimore që passjell prishjen e hetimit. Parimi i sekretit hetimor është një nga parimet kryesore të zhvillimit të një procesi të rregullt ligjor. Publikimi i sekretit ndalohet. Ky ndalim është i shprehur në ligj (shih nenet 103 e vijues të KPP) dhe zbatimi i ligjit, përveçse është detyrë për çdo qytetar është një detyrim i dyfishtë për subjektet politikë që lidhet me legjitimin demokratik. Mosrespektimi i një dispozitë ndaluese ligjore cënon legjitimitetin demokratik. Sipas S. Martin Lipset: ‘Legjitimiteti nënkupton aftësinë e një sistemi për të krijuar dhe ruajtur besimin e qytetarëve se institucionet politike ekzistuese janë më të përshtatshmet për shoqërinë’”.
Gjithashtu, vetë prokurorët dhe media janë vënë në qendër të diskutimit. A mundet media të publikojë të dhënat e një dosjeje hetimore? 
“Do të ndalesha në dy këndvështrime juridike në përgjigje të kësaj pyetje. Prokurori dhe media janë dy pushtete me role dhe funksione të ndryshme. Roli i medias si pushtet i katërt është një rol tërësisht i fortë dhe që mbart mbi vete dhe peshën e interesit publik. Prandaj nëse një dokument publikohet në media, kjo e fundit nuk ka ato përgjegjësi që do të kishte një pushtet tjetër si gjyqësori apo legjislativi (pra një deputet apo një prokuror). Publikimi në media i një materiali sekret cenon dy të drejta: së pari të drejtën për një proces të rregullt ligjor në të cilin përfshihet dhe prezumimi i pafajësisë si dhe zhvillimi i rregullt i drejtësisë që mbrohen nga neni 42 i Kushtetutës sonë si dhe mbrojta e të drejtës së privacisë për subjektin e hetimit apo subjekte të lidhura me të duke përfshirë dhe viktimën. Balancimi ndërmjet të drejtës së medias për të botuar dhe procesit të rregullt ligjor haset pothuajse në çdo çështje që ka ndjeshmëri publiku. Nëse një çështje ka interes për publikun, media është aty për të raportuar. Duke qenë se media mbart me vete rolin për të informuar publikun mbi një çështje që ka interes duke përfshirë veprimtarinë e deputetëve, ministrave, biznesmenëve të fuqishëm apo autoriteteve publikë, përgjithësisht është e pranueshme që media të botojë çdo lajm dhe dokument që përbën interes për publikun me kushtin që këto dokumente të jenë të vërtetë dhe të jenë përfituar në përputhje me rregullat e etikës gazetareske. Në çështjen FUCHSMANN kundër Gjermanisë të datës 19 Tetor 2017, Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut ka vendosur se publikimi në gazetë i emrave, gjeneraliteteve dhe emrave të personave nën hetim për përfshirje në organizata kriminale, ishte i ligjshëm dhe nuk cënonte të drejtën e privacisë. Rasti në fjalë i referohet një çështje të Gjermanisë. Në artikull, një person përmendet me emër dhe mbiemër dhe bazuar në raportet e Byrosë Amerikane të Investigimit (FBI), si dhe disa agjencive evropiane ligjzbatuese, për lidhje me krimin e organizuar Rus. FBI ka hetuar për blerjen e një media në Ukrainë nga Boris Fuchsmann dhe “New York Times” ka publikuar një artikull në të cilin përmendet se Borisi është i lidhur me krimin rus. Boris ka kërkuar në gjykatën gjermane që të mos botohet, sepse cënon të drejtën e tij të privacisë dhe të prezumimit të pafajësisë. Gjykata ka lejuar botimin, duke sqaruar se është e drejtë e publikut të dijë këto informacione. Në përfundim GJEDNJ nuk e dënoi gazetën që botoi këto dokumente. Gjykata ka theksuar gjithashtu se pavarësisht se në disa raste, media nuk jep vetëm një informacion për publikun ose relatim të thjeshtë të fakteve, kjo nuk duhet të përbëjë shkak për kufizimin e lirisë së shtypit. Komenti deri në masën që nuk është i ekzagjeruar në shtrembërimin e fakteve, është pjesë e rolit dhe funksionit të shtypit. Interpretimi i zgjeruar i fakteve a rrethanave të një ngjarjeje, por dhe analizat e një situate specifike politike, sociale, ekonomike a kulturore janë pjesë e lirisë së shprehjes dhe i shërbejnë zbatimit të parimeve të shtetit të së drejtës në një shoqëri demokratike. Në analizën e saj, Gjykata mbështetet në disa kritere: si për shembull: Sa interes ka çështja për publikun/ Sa i njohur është personi në fjalë për publikun/ Çfarë metodash janë përdorur për marrjen e informacionit të publikuar/ etj. Bazuar në këto kritere duke qenë se shumica e përgjigjeve të këtyre pyetjeve rezultoi për gjykatën PO, Gjykata konkludoi se balanca (peshorja) ndërmjet të drejtave të privacisë së subjektit dhe të drejtës së publikut për t’u informuar në detaje, anon nga publiku dhe Liria e shprehjes dhe për pasojë, kufizimi i të drejtës së privacisë së subjektit është i ligjshëm. Nëse ka interes për publikun Dhe nëse personi është i famshëm (përfshihen politikanët, biznesmenët, celebrities, etj) e drejta për të informuar publikun ka përparësi ndaj cdo të drejte tjetër”.
Sigal