Sekretariati i Fondit të Ballkanit Perëndimor do të ngrihet në Shqipëri

419
Sigal

SLLOVAKI- Shqipëria është zgjidhur vendi ku do të ngrihet Sekretariati i Fondit të Ballkanit Perëndimor, një vendim ky i marrë gjatë takimit të Ministrave të Punëve të Jashtme të Grupit të Vishagradit dhe të Ballkanit Perëndimor, i cili u zhvillua në Bratislavë të Sllovakisë. Kjo është hera e parë që në Shqipëri vendoset selia e një organizate rajonale, dëshmi e një kontributi në rritje të vendit tonë në drejtimit të politikave të bashkëpunimit rajonal dhe fqinjësisë së mirë.
 
Takimi, ku merrte pjesë edhe ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, i organizuar nga Sllovakia si vend që ka kryesinë e radhës të Grupit të Vishegradit, kishte si qëllim t’i përcillte vendeve të Ballkanit Perëndimor përvojën e Polonisë, Hungarisë, Çekisë dhe Sllovakisë në fushën e integrimit evropian.
 
Diskutimet gjatë takimit u përqendruan në tre tematika: shteti ligjor, qeverisja e mirë dhe transparenca si dhe bashkëpunimi rajonal.
 
Ministri Bushati në fjalën e tij u ndal në vëmendjen që Shqipëria i kushton bashkëpunimit rajonal në politikën e jashtme, duke përmendur edhe kontributin e palës shqiptare si në Konferencën e Berlinit, ashtu edhe në procesin që e ka pasuar atë e që synon përmirësimin e infrastrukturës rajonale, rritjen e shkëmbimeve dhe forcimin e lidhjeve mes popujve.
 
Kryediplomati shqiptar shtoi se këto janë edhe disa prej prioriteteve të Kryesisë shqiptare të SEECP gjatë këtij viti.
 
“Riorganizimi i Komisionit të ri që vendos Përfaqësuesen e Lartë për Politiken e Jashtme dhe Zëvendës Presidentin e Komisionit në krye të drejtimit dhe koordinimit të Politikës së Jashtme dhe Zgjerimit si dhe Paketa e Zgjerimit 2014 kanë rritur fokusin mbi zgjerimin si një projekt gjeostrategjik politik”, tha ministri Bushati.
 
Në takim u diskutua gjithashtu mbi pritshmëritë e vendeve të rajonit nga Komisioni i ri Evropian, mbi situatën në Ukrainë dhe krizën në Siri e Irak, ndërsa pjesëmarrësit ndanë mendimin se sfidat e përbashkëta duhen përballuar bashkërisht.

bushati ne sllovaki – See more at: http://www.shqiptarja.com/Diplomaci/2713/sekretariati-i-fondit-te-ballkanit-perendimor-do-te-ngrihet-ne-shqiperi-249448.html#sthash.gF9I9JyP.dpuf