Sekretari i Përgjithshëm Montella pret delegacionin e Kuvendit të Shqipërisë, përsërit mbështetjen e Asamblesë Parlamentare, në prag të Kryesisë së OSBE-së 2020

458
Sigal

KOPENHAGË, 9 tetor 2019 – Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Roberto Montella, u takua sot, në Sekretariatin Ndërkombëtar të Asamblesë, me një delegacion të Komisionit për Integrimin Evropian të Kuvendit të Shqipërisë. Delegacioni përbëhej nga kryetarja e Komisionit, Rudina Hajdari, nënkryetarja Senida Mesi dhe anëtari Ralf Gjoni. Atë e shoqëronte ambasadorja e Shqipërisë në Danimarkë, Elida Petoshati dhe drejtori i Shërbimit të Marrëdhënieve Dypalëshe dhe Shumëpalëshe të Kuvendit, Sidrit Minxhozi.

Bisedimet u ndalën në disa çështje, përfshirë vendimin e ardhshëm të Këshillit Evropian lidhur me fillimin e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian, zhvillimet më të fundit në Shqipëri, si dhe në procesin e reformave zgjedhore dhe gjyqësore. Gjithashtu, në fokus të veçantë ishin edhe përgatitjet për marrjen e Kryesisë së Radhës së OSBE-së nga Shqipëria, në vitin 2020.

Sekretari i Përgjithshëm Montella theksoi se Kryesia e ardhshme e Radhës është një përgjegjësi dhe mundësi për mbarë vendin, si dhe një proces në të cilin duhet të përfshihen dhe bashkëpunojnë të gjithë aktorët kombëtarë, përfshirë Kuvendin. Po ashtu, ai përsëriti mbështetjen e fortë të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së për Shqipërinë dhe shprehu shpresën për të forcuar më tej bashkëpunimin e shkëlqyer, gjatë vizitës së pritshme të nivelit të lartë të Asamblesë Parlamentare, në Shqipëri, në nëntor.

“OSBE-ja ka nevojë për udhëheqje të fortë”, tha Montella, “dhe unë kam besimin që Shqipëria do të jetë në gjendje ta çojë përpara axhendën e OSBE-së, në frymën e përgjegjësisë dhe pronësisë së përbashkët”.

Gjithashtu, Montella përsëriti vlerësimin e tij dhe të presidentit të Asamblesë Parlamentare, George Tsereteli, për tryezën e reformës zgjedhore mundësuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në fund të shtatorit. Ai shprehu shpresën se të gjitha palët do të vijojnë të jenë të përkushtuara në procesin e reformës zgjedhore, përfshirë përfaqësuesit e qeverisë, opozitës parlamentare dhe jashtëparlamentare, shoqërisë civile, si dhe ekspertë vendas e të huaj.

Takimi i sotëm pasoi një takim të Presidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, George Tsereteli, Përfaqësuesit të Posaçëm për Evropën Juglindore, Mark Pritchard dhe Sekretarit të Përgjithshëm Montella me Delegacionin e Shqipërisë në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, të kryesuar nga Ditmir Bushati, i cili u zhvillua gjatë Takimit të Vjeshtës së Asamblesë, në Marrakesh, më 6 tetor.