Sekretari i përgjithshëm i NATO-s/ Stoltenburg takon në Tiranë krerët e shtetit: Ju bëj thirrje të gjithë aktorëve të gjeni rrugët e dialogut

523
Sigal

Presidenti Meta takon Sekretarin e Përgjithshëm të NATO, Jens Stoltenberg

Prania e NATO-s kyç për sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor

Presidenti i Republikës Meta priti në takim, Sekretarin e Përgjithshëm të NATO, Jens Stoltenberg. Presidenti Meta shprehu kënaqësinë e veçantë që vizita e Sekretarit të Përgjithshëm përkon me 10-vjetorin e anëtarësimit të vendit në NATO, objektivin strategjik të të gjitha qeverive shqiptare të pas ‘90-ës, të të gjithë grave dhe burrave të Forcave tona të Armatosura, dhe mbi të gjitha të të gjithë shqiptarëve kudo ndodhen. Kreu i Shtetit theksoi se ndan plotësisht vizionin e Sekretarit Stoltenberg se është detyra dhe përgjegjësia e çdo aleati të forcojmë Organizatën duke investuar çdo përpjekje dhe kontribut në shërbim të mbrojtjes kolektive dhe njëkohësisht të çdo vendi anëtar. Në këtë kuadër, Presidenti do të vazhdojë të mbështesë dhe inkurajojë rritjen e buxhetit për mbrojtjen në 2% brenda 2024, jo vetëm si detyrim por edhe si përgjegjësi për ndarjen e barrës. Presidenti Meta çmoi investimin e NATO-s në Bazën Ajrore të Kuçovës si një aset për sigurinë e vendit, rajonit dhe Aleancës. Kreu i Shtetit theksoi se Shqipëria e pret me entuziazëm anëtarësimin e afërt të Maqedonisë së Veriut në NATO. Ky ishte vendimi i duhur në kohën e duhur, që shpërbleu zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dypalëshe falë angazhimit konstruktiv të drejtuesve më të lartë të Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë, si dhe falë bashkëpunimit të pazëvendësueshëm mes ShBA-ve dhe BE-së. Presidenti Meta vuri në dukje rolin e jashtëzakonshëm dhe jetik në mbështetje të këtij objektivi strategjik nga shqiptarët e Maqedonisë së Veriut. Kreu i Shtetit theksoi se zgjerimi dhe prania e NATO-s në rajonin tonë janë kyç për konsolidimin e sigurisë, paqes dhe stabilitetit të Ballkanit Perëndimor. “Prania e NATO-s në Kosovë, në bashkëpunim të ngushtë me institucionet e Kosovës dhe BE, kontribuon për një mjedis më të sigurt në terren, dhe është njëkohësisht thelbësore për tërësinë territoriale të Kosovës dhe stabilitetin në rajon”, – u shpreh Presidenti Meta. Më tej Kreu i Shtetit u shpreh se Shqipëria mbështet të drejtën legjitime dhe sovrane të Kosovës për një tranzicion gradual të FSK në ushtri multietnike, dhe në ndërveprim të plotë me NATO-n. “Integrimi evropian dhe euro-atlantik përbëjnë të vetmen garanci të besueshme për konsolidimin e paqes, sigurisë dhe begatisë në rajon, bazuar mbi vlerat e përbashkëta, dhe përparimi në këto organizata ia vlen çdo sakrificë dhe punë të palodhur”, – theksoi Presidenti Meta.