Sejmen Gjokoli: Në Pilur ku nderohet lufta dhe kënga

349
Sigal

Sejmen Gjokoli

NË PILUR KU NDEROHET LUFTA DHE KËNGA

15 Gushti 2020 do të mbetet në kujtesën e piluriotëve si dita kur u nderuan si të pandara, lufta, historia dhe kënga.
Është dita kur Presidenti i Republikës, Z. Ilir Meta, pikërisht në qendrën e bukur të këtij fshati ballkon të bregdetit, shoqëruar nga kryebashkiaku i Himarës Jorgo Goro, ka zgjedhur të dekorojë disa prej kapedanëve të luftës e të këngës, bij të fshatit po edhe të krahinës.
Është 100- vjetori i Luftës së Vlorës dhe Presidenti duket se nga Piluri ka nisur turin e një sërë vlerësimesh e dekorimesh për luftëtarë të kësaj epopeje të ndritur, për të vazhduar, siç tha ay, në Kalanë e Tepelenës, në Drashovicë e Vlorë.
U shpërndanë dekorime e tituj nderi për disa nga burrat e shquar të asaj kohe, nga Piluri, Bregu i Detit e Labërisa dhe konkretisht : Kolë Mërkuri, Nase Beni, Spiro Jorgo Koleka, Avdul Kuçi, Arif  Mëhillaj e Ismail Haki Kuçi.
Por, këtu, këta kapedanë të njëzetës u bënë bashkë me disa prej “kapedanëve” të polifonisë e këngës piluriote ku u vlerësua me titullin “Mjeshtër i Madh”, një prej zërave më brilante të polifonisë shqiptare, e shquara e këngës piluriote, Ermioni Mërkuri.
Me modestinë e saj të jashtëzakonshme, në fjalën e saj, Ermioni pranoi ta ndajë këtë vlerësim të lartë presidencial me familjen e saj dhe sidomos motrën më të madhe, Katinën, marësja e këngës monumentale me tekstin e të madhit Lefter Çipa, ” 28 mijë yje”.
Me titullin” Mjeshtër i Madh” u dekorua edhe drejtuesi i Ansamblit ” Bejkë e bardhë”, krijuesi dhe poeti tjetër piluriot, Kristo Çipa, edhe ky pinjoll i dinastisë së njohur Çipa.
U vlerësua gjithashtu me medaljen “Naim Frashëri”, kthyesi i grupit aktual “Bejkë e Bardhë”, Theodhori Bala, pasardhës i emrit të madh të këngës piluriote, të paharruarit Qirjako Balla.
Mbrëmë sheshi historik i Pilurit nën kurorën e rrapit shekullor të kuvendeve e traditës, jetoi çaste me të vërtetë  festive e hareje, të mpleksura  me histori e këngë polifonie.