Sasia e kufizuar e vaksinave anti-covid në Shqipëri, Gjosha: Dështim i politikës së jashtme

166
Sigal

Ish-ministrja e Integrimit Klajda Gjosha e shikon sasinë e kufizuar të vaksinave anti-COVID për Shqipërinë si dështim të politikës së jashtme për të gjetur partnerë apo për të qenë partnerë të besueshëm.

Gjosha shkruan në rrjetet sociale se jemi të fundit në rajon për tërheqjen e numrit të vaksinave dhe sipas saj është qesharake deklarata e kryeministrit se vaksinimi do të përfundojë për 14 muaj.

Ajo thotë se kjo është një kohë shumë e gjatë për numrin e popullsisë që ne kemi, ndërsa paralajmëron se 14-mujorshi i premtuar rrezikon të sjellë pasoja të rënda për vendin, duke e zhytur në varfëri dhe izoluar.

Postimi i plotë:

Pandemia është sot një nga problemet më të mëdha të qytetarëve duke nisur me rrezikun për jetën, duke privuar ekonominë dhe për pasojë duke prekur mundësitë financiare të çdo qytetari, e më pas duke vazhduar me kufizimin e jetës dhe të të drejtave të njeriut!

Pak muaj më parë dukej se shpëtimi do të vinte shpejt nëpërmjet vaksinave që qeveria premtoi se do t’i vinte në dispozicion të shqiptarëve! Sot jemi çuditërisht të fundit në rajon për tërheqjen e numrit të vaksinave, ku flitet me shifra qesharake përballë numrit të popullsisë dhe nevojës për 3 milionë doza apo dyfish kur bëhet fjalë për vaksinimin me dy faza.

Kryeministri deklaroi se vaksinimi do të përfundojë për 14 muaj, deklaratë kjo e cila ka dy probleme thelbësore.

E para kjo është një kohë shumë e gjatë për numrin e popullsisë që ne kemi.

Serbia me një popullsi më të madhe deklaron se do të përfundojë vaksinimin brenda pak muajsh dhe po kështu deklarojnë edhe vendet e tjera të rajonit. Kjo tregon qartë dështimin e politikës tonë të jashtme për të gjetur partnerë apo të jemi partnerë të besueshëm! Qytetarët kërkojnë mbrojtje të interesave të tyre dhe jo lypje propagandistike!

E dyta ka të bëj me premtimet e Kryeministrit, duke u nisur nga fakti që asnjë premtim nuk është mbajtur deri sot. 14 mujorshi i premtuar jo vetëm është i vonuar, por rrezikon të zgjatet pafundësisht në kohë dhe kjo do të sillte pasoja katastrofale për vendin, duke e zhytur Shqipërinë dhe shqiptarët në varfëri dhe izolim ndërkombëtarë!

Ndërkohë që Evropa do të përfundojë vaksinimin e saj dhe do të filloj të rihapet, për Shqipërinë do të jetë e vështirë t’i rikthehet normalitetit me vatra të mëdha aktive të virusit!

E ndërsa mjekët dhe ekspertët thonë se imuniteti zgjat deri në 6 muaj, frika se njerëzit mund të preken sërish duke rrezikuar jetën dhe duke u dashur të mjekohen me kosto tepër të larta në banesë apo spitale, është një alarm i madh!

Biznesi gjithashtu ka vështirësi të punojë dhe mund të mbetet në një situatë të pashpresë, ku virusi është konstant në popullatë dhe marrëdhëniet me jashtë thuajse të prera plotësisht!

Pandemia është problemi më emergjent që kanë qytetarët sot dhe fatkeqësisht kjo qeveri është Problemi dhe Jo Zgjidhja!

Papërgjegjshmëria e trajtimit të cështjes si në politikën e brendshme ashtu edhe në atë të jashtme, na ka lënë sot në një udhëkryq me shumë të panjohura!