Samiti i Liderëve të procesit të Brdo-Brijunit

619
Sigal

Krerët më të lartë të shteteve takohen sot në Tiranë. Mogherini lavdëron qeverinë, por opozita i cilëson si qokat e fundit të shefes në largim të BE-së për Ramën. Takimet bilateral dhe protestat ndaj Vuçiç dhe kreut të Srbëve të Bosnjës

Thaçi pohoi dje se në takimin me kryeministrin Rama “ngritëm nevojën e korrigjimit të padrejtësive historike, të bashkëngjitjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Kosovës”

Presidenti Meta organizon sot në Tiranë Samitin e Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit

Sot dhe nesër, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, organizon në Tiranë Samitin e radhës së Liderëve të Procesit të Brdo-Brijunit. Procesi i Brdo-Brijunit është një nismë rajonale bashkëthemeluar nga Presidentët slloven dhe kroat, në vitin 2010. Me ftesën edhe të Presidentes së Kroacisë, Kolinda Grabar-Kitaroviç dhe të Presidentit të Sllovenisë, Borut Pahor, në Samitin e Tiranës, do të marrin pjesë tre Anëtarët e Kryesisë së Presidencës së Bosnje-Hercegovinës, Milorad Dodik, Shefik Xhaferoviç dhe Zheljko Komshiç, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, Presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Gjorge Ivanov, si dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Të ftuar nderi janë Presidenti i Polonisë, Andrzej Duda, dhe Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë dhe Zëvendës Presidente e Komisionit Evropian, Federica Mogherini.

Presidenti Meta priti dje të ftuarit e Samitit

Presidenti Meta – Mogherini: Integrimi evropian është e vetmja rrugë e vetëm me dialog

Presidenti Meta priti Ministren e Jashtme të BE-së Mogerini, e cila do të marrë pjesë në Samitin që organizohet sot dhe nesër në Tiranë. Presidenti Meta u shpreh për takimin me Mogherinin se “Pavarësisht sfidave dhe vështirësive që mund të kapërcehen vetëm me dialog e bashkëpunim, integrimi evropian është e vetmja rrugë përpara. Prania e saj në Samitin e Brdo-Brijuni, tregues i rëndësisë që BE i jep bashkëpunimit rajonal.


Presidenti Meta
me Gjukanoviç: Aktor kyç për forcimin e bashkëpunimit rajonal.

 

Presidenti Meta u takua edhe me Presidentin e Malit të Zi, dhe pas këtij takimi Presidenti Meta shkruan se “E vlerësoj praninë e tij në Samitin e Brdo-Brijunit, duke e konsideruar një aktor kyç për forcimin e bashkëpunimit rajonal. Marrëdhënie të shkëlqyera miqësore e historike midis dy vendeve tona.

Presidenti Meta me Dodik: Kontribut i çmuar për një rajon të orientuar qartë ndaj vlerave evropiane

 

Në Tiranë u ftua edhe Kryetari i Presidencës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Milorad Dodik dhe Anëtari i Presidencës, Shefik Xhaferoviç, të cilët u pritën dje nga Presidenti Meta, I cili e vlerësoi takimin me ta. Presidenti Meta: Prania e tyre në Samitin e Brdo-Brijunit në Tiranë, kontribut i çmuar për një rajon të orientuar qartë ndaj vlerave evropiane. Shprehëm vullnetin e përbashkët për hapjen e ambasadave respektive në të dy vendet tona. Besimplotë për të ardhmen e shkëlqyer të marrëdhënieve midis Shqipërisë e Bosnjë dhe Hercegovinës

Presidenti Ilir Meta me Thaçin: Bashkëpunimi rajonal, si domosdoshmëri për integrimin evropian

 

Presidenti Meta u takua edhe me Presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, i cili ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në Samitine sotëm. Presidenti Meta, pas takimit me Thaçin thekson se në bisedimet midis tyre “Vlerësuam marrëdhëniet e shkëlqyera dypalëshe dhe nënvizuam nevojën e rritjes së bashkëpunimit rajonal, si domosdoshmëri për integrimin europian. Liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës, mëse i merituar”.

 

Presidenti Thaçi: Me Ramën biseduam për nevojën e korrigjimit të padrejtësive historike

Edhe pse Samiti i Berlinit e varrosi përgjithmonë teorinë e ndryshimit të kufijve në Ballkan, sidomos përpjekjet e Presidentëve Thaçi me Vuçiç për të korrigjuar kufijtë e Kosovës dhe Serbisë, presidenti Thaçi siç duket, nuk heq dorë nga teoria dhe ideja e tij që të përparojë në marrëveshje me Serbinë për korrigjimin e kufijve, ose siç e parketon tani Thaçi, “korrigjimin e padrejtësive historike”. Madje dje nga Tirana Thaçi shkruan, se këtë ide e bashkëbisedoi edhe në takimin që zhvilloi me kryeministrin Rama. Thaçi shkruan: “Sapo zhvillova një takim me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama, ku mes tjerash biseduam për domosdoshmërinë e hapjes së plotë të kufirit Kosovë-Shqipëri dhe krijimin e një hapësire shqiptare pa kufi, nën ombrellën euroatlantike. Në këtë takim ngritëm nevojën e korrigjimit të padrejtësive historike, duke bashkuar faktorin shqiptar rreth sensibilizimit të së drejtës të bashkëngjitjes së Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit me territorin e Republikës së Kosovës.”

Mogherini takohet me Ramën dhe u bën elozhe sukseseve të qeverisë

Mogherini është në skadencën e mandatit të saj si ministrja e Jashtme e BE-së dhe nga Tirana nuk i kurseu elozhet për sukseset e qeverisë së kryeministrit Rama, edhe pse ajo vjet dha rekomandimin saj për hapjen e negociatave, por që u hodh poshtë nga Këshilli i Ministrave të BE-së. Mogherini dje në konferencën e përbashkët me kryeministrin Rama në Tiranë deklaroi se hapja e negociatave në qershor është i mundshëm, sepse Shqipëria ka bërë përparime të mëdha në reformat e integrimit. Mbase Mogherini ose nuk ka marrë vesh fare se çfarë konkluzioni u tha në Samitin e Berlinit, ose në Tiranë ajo përpiqet të bëjë zëdhënësen e kryeministrit Rama. Në konferencën e përbashkët për shtyp të kryeministrit Edi Rama me Shefen e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini u shpreh: Keni treguar rezultate konkrete për reformat. Ju përgëzoj për punën që keni bërë. Besoj që ju po kaloni një proces transformimi të Reformës në Drejtësi.

Rama fyen edhe udhëheqësit e tjerë të shteteve të tjera që kritikojnë. I cilëson “Gënjeshtar dhe budalla”

Gjatë konferencës së përbashkët me shefen e BE-së për politikat e Jashtme, kryeministri Edi Rama hodhi një “lumë” ofendimesh të drejtpërdrejta ndaj kreut të ekzekutivit kosovar, Ramush Haradinaj. “Për sa i përket komplotit për të copëtuar Kosovën dhe krijuar në mënyrë të fshehtë një hartë të re të botës, më kujton atë shprehjen “sa pa dalë Facebook, budallain e njihte vetëm shtëpia e vet”. Sot jetojmë në një botë që nga kjo pikëpamje është fatkeqe dhe porosia e një manuali të agjitacionit nazist që thoshte “nëse do që gënjeshtrën tënde ta besojnë, bëje të pabesueshme”, është në përdorim të përditshëm për të goditur kundërshtarë e për të sulmuar njerëz. Nëse ka budallenj se një proces që përfshin të gjitha shtetet e botës mund të bëhet fshehurazi nga disa persona dhe të kalojë në gjithë këtë proces që thashë si miu nën mustaqe, atëherë kjo botë ka marrë fund. Por unë besoj se çdo shqiptar e kupton që kjo është e gjitha një gënjeshtër e bërë aq e pabesueshme që pikërisht që të mund të shitet e blihet në territorin e marrëzisë online. Më shumë do ta shpjegoj më tutje kur të më jepet mundësia”, – tha Rama.