Salianji zbërthen “listat e hapura” në zgjedhje: Ja çfarë synon Rama

293
Sigal

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji i ftuar sot në rubrikën ‘Opinion” në News 24 komentoi aktualitetin politik dhe çështjet më të nxehta të tij.

Ndërsa mazhoranca u tërhoq sot nga shkarkimin i Presidentit Meta, Salianji tha se një gjë e tillë tregon se: “Zgjedhjet e 30 qershorit kanë rënë, e konfirmoi edhe vetë PS.

Ky është lajmi për sot. PS pranoi se bëri gabim që kërkoi shkarkimin e Presidentit”,- shpjegoi Salianji.

Duke u ndalur tek tryeza e Këshillit Politik, ku Opozita e Bashkuar propozon hapjen 100% të listave por nuk heq dorë nga koalicionet parazgjedhore, Salianji u shpreh se pikërisht koalicionet janë frika më e madhe e kryeministrit. Sipas tij, halli i Ramës nuk janë listat e hapura, por ndalimi i koalicionit.

Salianji sqaroi më pas edhe modelin e propozuar nga PS në këtë këshill.

“Në duam të heqim elementët propagandistik që bën qeveria. Ne kemi qenë për lista të hapura përherë. Kauza jonë është e qartë:

Ne duam hapje listash dhe lënie koalicionesh kështu siç janë. Rama nuk ka qëllim që t’i hapë listat. Ai ka propozuar që katër deputetë pra fituesit në listë i përcakton Rama dhe shtatë të tjerët, humbësit i cakton populli. Ne jemi kundër, jemi për të gjithë emrat nga populli. Rama thotë pra se kandidati i pestë mund të marrë edhe 30 mijë vota por s’del dot deputet. Kjo është hile dhe sistem pervers.

Qëllimi i tij është të ndalojë koalicionet parazgjedhore. Vota brenda koalicionit llogariten ndryshe, ndërsa pretendimi i Ramës për ti hequr koalicionet është absurd, ai do që përmes këtyre manovrave të fitojë katër deputetë në tavolinë”,– tha Salianji.

Sipas ish-deputetit, qëllimi i kryeministrit është përbërja e koalicioneve me qëllim përçarjen e opozitës, gjë që siç shton, nuk do të ndodhë.

Salianji u shpreh ndër të tjera se Rama nuk ka shpëtim dhe se nuk duhet ta marrë më peng Shqipërinë.