Salianji: PD, shtëpia ime dhe ju, familja e dytë

444
“Ne jemi një parti e djathtë, kjo do të thotë: Ne jemi për Familjen, Atdheun dhe Zotin. Nën këto vlera, që besoj janë edhe tuajat, kërkoj mbështetje për kandidaturën time për detyrën e kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike”.
Ervin Salianji nuk është më anëtar kryesie i PD-së dhe drejtues i Departamentit të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.
Nga dje, ai ka dhënë dorëheqjen nga këto detyra për tu përfshirë në një tjetër garë; drejtimin e Forumit Rinor të Partisë Demokratike.
“Partia Demokratike, dhe Forumi Rinor i saj, pas pak kohësh festojnë një Jubile: 25 vjetorin e Lëvizjes së Dhjetorit. Ajo kohë me ata njerëz dhe forcën e kredos së tyre, të rinj e të reja, intelektualë e punëtorë, përbëjnë aktin themelues të Partisë Demokratike. Shumë vite kanë rrjedhur, dhe tek e shohim të shkuarën me vëmendje e nostalgji, një gjë mund ta themi me siguri: Partia Demokratike ka mbetur Shtëpia e Lirisë, streha më e sigurt e vlerave euroatlantike, partneri më besnik i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Me po kaq siguri mund të thuhet se, kundërshtarët tanë politikë, shpeshherë, bëhen rrezikues të këtyre vlerave. Duket sikur koha u bën sërish thirrje të rinjve, si 25 vjet më parë, për Angazhim, Frymëzim, për Liri e Demokraci. Nën këtë shenjë, me mbështetjen tuaj, me besim te rinia e Shqipërisë, Demokrate ose jo, shpall sot (dje) kandidaturën për kryetar të Forumit Rinor të Partisë Demokratike të Shqipërisë…”, – shprehet ai.
Kontributi i tij në PD është i hershëm.
“Unë jam rritur me ju dhe me këtë formacion politik. PD-ja është shtëpia ime dhe ju familja e dytë. Si fëmijë, e për vite me radhë, profili politik e njerëzor i Sali Berishës më ka mbushur me frymëzim e besim. Si student e në vazhdim, fryma e re që solli në PD dhe politikë Lulzim Basha ka emancipuar te unë njeriun politik modern. Të dyve u jam mirënjohës…”, – nënvizon ai.
Salianji njofton gjithashtu se së shpejti do të shpallë platformën për kreun e FRPD-së.
“Çka thashë për ‘familjen e madhe’ shkon edhe për të ‘voglën’: për dashurinë, inkurajimin, zemrën e madhe e dorën në sup të prindërve të mi dhe vëllezërve. Ne jemi një parti e djathtë, kjo do të thotë: Ne jemi për Familjen, Atdheun dhe Zotin. Nën këto vlera, që besoj janë edhe tuajat, kërkoj mbështetje për kandidaturën time për detyrën e kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike. E kuptoj shumë mirë se nuk do ta keni të lehtë zgjedhjen: ata që kam përballë janë vajza e djem të mrekullueshëm. Brenda garës së ndershme, në ditët në vijim, do t’u paraqes platformën time. Ajo do të jetë Kontrata ime me ju dhe Partinë Demokratike, dhe për atë pakt do e kërkoj besimin dhe votën tuaj…”, tha ai.
Sigal