Sa mandate do marrë LSI në zgjedhje? Ja parashikimi i Monika Kryemadhit

269
E ftuar në emisionin ‘Studio e Hapur’ të gazetares Eni Vasili në ‘News24’, zëvendëskryetarja e LSI, Monika Kryemadhi ka folur ndër të tjera dhe për koalicionet paszgjedhore si dhe marrëdhëniet me kundërshtarët politikë. Kryemadhi tha se LSI do marrë të paktën 43 mandate.
“Unë mendoj se është akoma herët për të folur për koalicionet. PS ka shkuar shumë larg në marrëdhëniet me LSI. Qoftë Rilindja që ka shkuar shumë larg me sjelljen e saj, edhe Republika e re është bërë shtojcë e republikës së vjetër. Por politika prandaj është amorale. Unë nuk kam asnjë status për të vendosur për koalicionet dhe mendoj se do vendosin qytetarët. U garantoj se ky program nuk do pranoja që mos përfshihej. Mendoj se LSI do marrë minimumi 43 mandate”- tha Kryemadhi.
Kryemadhi tha se pavarësisht ndasive, Sali Berisha është i vetmi politikan me këmbë në tokë.
“Ajo që ka thënë doktori që nuk është përgjegjëse LSI për kanabizimin dhe koncesionet qëndron. Berisha është i vetmi politikan me këmbë në tokë, pavarësisht ndasive”-tha Kryemadhi.
Ndër të tjera, kryemadhi tha se ka marrëdhënie shumë të mira me bashkëshorten e Lulzim Bashës dhe se sipas saj, nëse do ishte ajo kryetare e PD do ishte me e mirë se Basha.
“Unë me Aurelën, bashkëshorten e Bashës, kam marrëdhënie shumë të mira. Marrëdhëniet shoqërore janë tjetër gjë, dhe politika është tjetër gjë. Aurela është mjaft realiste dhe një analitike shumë e mirë. Madje nëse do të ishte ajo kryetare e PD-së do të ishte më e mirë se Basha. Edhe në organizimin e protestës së PD, qëndrimi i saj ishte më i qartë”- tha ajo.
E pyetur nëse ishte Aurela organizatorja e protestës se PD, Kryemadhi tha se: ‘Mendoj se do e bënte shumë mirë këtë gjë’.