Ruçi takohet me studentët e Ekonomikut të Londrës

440
Sigal

Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi, zhvilloi dje një bashkëbisedim me studentë të degës së marrëdhënieve ndërkombëtare të Shkollës Ekonomike të Londrës, të cilët ndodhen në Shqipëri për një vizitë studimore. Bashkëbisedimi u përqendrua në ecurinë e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë dhe arritjet e problemet në disa reforma kryesore, si reforma në drejtësi dhe reforma zgjedhore dhe zhvillimet politike në vend. Pas qershorit të vitit të  kaluar, kur Këshilli Evropian vendosi që të caktojë si datë për çeljen e negociatave të pranimit me Shqipërinë në qershor 2019, mbi bazën e progresit që do të bëjë vendi në realizimin e reformave dhe standardeve të integrimit,  Kuvendi hartoi një Plan Veprimi me 6 objektiva kryesore dhe 46 masa për realizimin e tyre. Objektivat lidhen me forcimin e funksionit ligjvënës të Kuvendit (6 masa), forcimin e rolit mbikëqyrës e kontrollues të Kuvendit (18 masa), përmirësimin e etikës parlamentare (2 masa), forcimin e transparencës së Kuvendit (12 masa), forcimin e autonomisë financiare dhe buxhetore të Kuvendit, (2 masa) dhe forcimin e kapaciteteve administrative (6 masa).  Plani i Veprimit i Kuvendit për zbatimin e rekomandimeve të Raportit të Komisionit Evropian për Shqipërinë për vitin 2018 po zbatohet me rigorozitet.