Rrëzohet kërkesa për heqjen e mandatit të Kokëdhimës me 68 vota kundër e 29 vota pro

501
TIRANE – Kuvendi pritet të votojë në seancë plenare raportin e Këshillit të Rregullores dhe Mandateve lidhur me kërkesën e grupit parlamentar të PD-së, ku kërkohet mbarimi i mandatit të deputetit të PS-së, Koço Kokëdhima.
I mbledhur një ditë më parë, Këshilli vendosi që në seancën e sotme të votohen dy raporte të ndryshme, ku shprehet mendimi i të dy palëve në Kuvend. Mazhoranca kërkon që parlamenti të mos e pranojë kërkesën e PD-së, ndërsa opozita përfundimin e mandatit të deputetit socialist dhe dërgimin e cështjes në Gjykatën Kushtetuese.
Ora 11:25 Kokëdhima: Ristan, ishe i në Komision, Saliu të kish zgjedhur bori tjetër
Dëshiroj të shpreh pakënaqësinë time për zotin Ristani i cili zgjodh të përdoren nga Saliu në këtë seancë kundër meje. Ristani është nip në fshatin tim por gjyshi i Ristanit ishte Pllatua, qe kushëri i parë me gjyshin tim. Pllatano e kish bërë Bllagjia motra e Mitros, dhe mund të kish zgjedhur Saliu një bori tjetër për ta përdorë kundër meje.
Kam një këshill për ty Ristan. Ishe i dehur në komisionin e mandateve, ishe bërë dhogë dhe kjo të turpëron tre herë. Një herë si nip në fshatin tim, një herë si kushëri, dhe një herë si deputet i opozitës. Ti ke shkelur ligjin, por unë nuk kam nevojë të ndërmarr iniciativa kundër teje.
Dua t’i drejtohem këtu zgjedhësve të mi dhe tu kërkoj ndjesë që jam i detyruar të flas për veten time dhe ti marr kohë për çështje që lidhen me punën.
Saliu me të vetët përpiqen të bëjnë pis figurën time, e keni parë si ka mobilizuar edhe familjen e tij, dhëndrin dhe fëmijët, çdo ditë, të bëjnë pis portretin tim me shpifje dhe me arsenalin që i armatos Saliu.
Abissnet është një nga punët e mia, që më bëjnë shumë krenar. Është kompani me 30 mijë klient, dhe kjo kompani është goditur nga Saliu si gjithë punët e mia në këtë vend, sistematikisht. 
Ora 11:10 Ristani: Kokëdhima i fshihet drejtësisë nëpërmjet forcës së kartonit
Deputeti i Partisë Demokratike Arben Ristani tha se mazhoranca po mbron deputetin Koco Kokëdhima përmes forcës së kartonit në Kuvend.
“Pas marrjes së mandatit përfitimi nuk është 1 dollar dhe janë 150 raste që paratë kanë hyrë në xhepat e deputetit Kokëdhima. Kërkon të mbrohet nëpërmjet kartonit të shumicës parlamentare. Vendimi i Ramës për të mbrojtur deputetit është rast i paprecedentë për parlamentarizmin. Nuk ka ndodhur që në sy të gjithë shqiptarëve deputeti të shkelë në mënyrë flagrante kushtetutën dhe kryeministri t’ia fshehë drejtësisë. Me apo pa dakordësinë e pozitës, kjo çështje do të paraqitet në kushtetuese. Nëse do pengoni kushtetuesen të shqyrtojë çështjen është tregues i cenimit të demokracisë në këtë vend”, u shpreh Ristani.
Ora 11:00 Berisha: Seancë e turpshme, Koço ka shkelur kushtetutën
Sali Berisha ka braktisur seancën parlamentare me motivacionin se nuk mund të qëndronte pasi kjo është seancë e turpshme. Berisha ka akuzuar deputetin Kokëdhima se në 150 raste ai ka përfituar nga pasuritë publike dhe se për këtë arsye kuvendi duhet ti kishte hequr mandatin.
“Kjo është një nga ditët më të turpshme në historinë e parlamentit kur aleanca e qelbësirave vendos të mbulojë me turp dhunimin në 105 raste të Kushtetutës nga sivllau i Ramës Koço babëzia duke dhunuar çdo ligj të vendit. Kushtetuta përcakton në mënyrë taksative se deputeti nuk mund të përfitojë nga asnjë pasuri shtetërore. Deputeti nuk mund të ketë aksione e nuk mund të përfitojë të ardhura përveç rrogës. Koço, ky mamuth i babëzisë ka shfrytëzuar pushtetin dhe ka marrë 150 përfitime. Rama-Meta e kanë kundërshtuar këtë se Koço i ka në xhep. Kushtetuta përcakton se në raste të tilla parlamenti vendos për ta dërguar në kushtetuese, parlamenti është i detyruar ta dërgojë në kushtetuese. Rama – Meta fshehin para ligjit pasuritë e deputetit të tyre dhe nuk e dërgojnë në kushtetuese se e dine që ajo i heq 100% mandatin. Është më e ndershme të ishte pedofili Agron Cane në parlament se ai ka thyer ligjin ndërsa Koço ka thyer kushtetutën. Koço të mbledhë llumin dhe ti fusë të gjithë në parlament. Kjo është ndër historitë më të turpshme dhe unë nuk mund të rrija aty. Parlamenti është i mbushur me kriminelë, ikën Frroku e vjen Kokëdhima. Jemi në qendër të botës për dekriminalizimin. Unë nuk jam dorëzuar, dola këtu të shpreh protestën time me të rëndësishme, më e vështirë është beteja me kriminalizimin. Tani do ta dënojë Ristani këtë akt të turpshëm e kriminal që unë s’mund ta konceptoj. Diskutimi për integrimin duhet bërë por i qëndroj asaj se nga koha e negociatave deri tani situata është përkeqësuar me shpejtësi. Qeveria thyen kushtetutën për Koçon,” tha Berisha. 
Ora 10:50 Hysi: Kërkesa e opozitës për Kokëdhimën, antikushtetuese
Në emër të mazhorancës, deputetja socialiste Vasilika Hysi prezantoi në seancë raportin e anëtarëve të shumicës në Këshillin e Mandateve. Ajo tha se kërkesa e kolegëve të opozitës për të kërkuar heqjen e mandatit të deputetit Koço Kokëdhima nuk ka bazë ligjore dhe kushtetuese. Deputetët e opozitës pretendojnë se deputeti socialist ka kryer transaksione nga kompania Abissnet në 150 raste gjatë kohës që ka qenë deputet.
“Kontratat datojnë shumë kohë më parë. Pasi është shpallur deputet ai ka përfituar pagesat në sajë të kontratave të lidhura kohë më parë. Ligji nuk e parashikon që deputetit duhet t’i prishte kontratat që kishte lidhur para mandatit. Kokëdhima ka vazhduar të mbajë aksione në një kompani private edhe pasi ka dalë mandati i KQZ, por kjo se vë në konflikt interes, se ligji nuk i ndalon të ketë aksione në një kompani tregtare. Anëtarët e mazhorancës sugjerojnë rrëzimin me votim të kërkesës së 14 kolegëve të opozitës se është çështje që nga pikëpamja kushtetuese është e zgjidhur qartë”, u shpreh deputetja Hysi.  
Sigal