Rrezikohen  të dështojnë zgjedhjet e pushtetit vendor, nëse partitë  nuk arrijnë në konsensus

486
Sigal

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë  jep alarmin për mos përgatitjet për  zgjedhjet e 2015-s

Zgjedhjet e pushtetit vendor, që do të mbahen  në 2015-n, do të zhvillohen sipas ndarjes së re territoriale dhe administrative, që u përcaktua nga ligji i ri, i cili sapo është miratuar nga Parlamenti, por nuk u dekretua nga Presidenti Nishani. Edhe pse afrohen ditët kalendarike të shpalljes së datës së  zgjedhjeve lokale, çuditërisht politika  në përgjithësi, e ca më shumë maxhoranca, e ka lënë në harresë çështjen e zgjedhjeve të pushtetit vendor, thua se e ka shtyrë për në …kalandrat greke.

Ngërçi politik

Në bazë të Kushtetutës dhe Ligjit për Zgjedhjet Vendore,  tashmë kanë mbetur vetëm 11 ditë kur Presidenti duhet të dekretojë datën e zgjedhjeve për Pushtetin Vendor. Mirëpo, ka kohë që është krijuar një ngërç politik. Opozita, siç dihet e bojkotoi fare pjesëmarrjen në diskutimin dhe në votim në Kuvend të ligjit “Për ndarjen e re Territoriale dhe Administrative të vendit”. Madje PD-ja ka depozituar në Gjykatën Kushtetuese kërkesën për shfuqizimin e këtij ligji, duke e cilësuar ai antikushtetues. Edhe Presidenti Nishani nuk e dekretoi këtë ligj, por Kuvendi e rrëzoi  këtë dekret të Nishanit. Madje, disa zëra brenda PD-së herë pas here kanë hedhur në publik edhe idenë e mospjesëmarrjes në zgjedhjet lokale të 2015, nëse maxhoranca nuk merr parasysh edhe kërkesat e saj. Mospjesëmarrja e PD-së do të thotë që vendi të hyjë në një anarki të plotë, në kaos me pasoja të paparashikueshme. Deri tani maxhoranca nuk ka treguar dëshirë politike që të shtrohet dhe të diskutojë me opozitën e të gjejnë rrugë të përbashkëta, duke shkëmbyer vetëm akuza të ndërsjella të konsumit politik. Kjo sjellje  e pakuptimtë politike e maxhorancës dhe e opozitës,  karakterizohet nga interesat e tyre partiake, ku secila përpiqet që të përfitojë sa më shumë ndaj kundërshtarit në një fitore në …tavolinë, por që humbësi i vërtetë dhe më i madh është   pushteti vendor. Kështu, Shqipëria, më gjerë do të humbasë shumë edhe në përpjekjet e saj për t’u integruar në BE, sepse do të japë ( ndoshta edhe një herë) një shembull shumë të keq të tranzicionit ta saj  të gjatë  e të pashpresë të sistemit politik.

 Zgjedhjet vendore në krizë institucionale

Koalicioni i Vëzhguesve Vendorë  konstaton se mungesa e konsensusit politik rrezikon futjen e vendit në një ngërç institucional dhe kushtetues, para zgjedhjeve lokale të 2015-s.
Në deklaratën e tij Koalicioni vëren se pak muaj para zgjedhjeve të ardhshme kuadri ligjor është i paplotë, pavarësisht domosdoshmërisë së shprehur nga të gjithë aktorët për përmirësim të Kodit Zgjedhor dhe reflektim në të të rekomandimeve të OSBE/ODIHR, por dhe ndryshimeve të krijuara me miratimin e ndarjes së re territoriale. “Kanë mbetur vetëm 12 ditë në dispozicion të Presidentit të Republikës për caktimin e datës së zgjedhjeve, dhe menjëherë më pas ligji zgjedhor parashikon nisjen e një sërë procesesh për përgatitjen e infrastrukturës parazgjedhore dhe zhvillimin e zgjedhjeve”, thuhet në deklaratën e KVV-së.

Referendumet lokale janë qorrsokaku i afateve ligjore të zgjedhjeve

Krizën institucionale të zgjedhjeve për Pushtetin Vendor në 2015 e  bëjnë edhe më  evident edhe nismat që kanë ndërmarrë faktorë të ndryshëm të pushtetit vendor që kërkojnë mbajtjen e referendumeve lokale për ndarjen e re territoriale dhe administrative që parashikon ligji i ri përkatës. Kështu më shumë se 100 grupe nismëtarë për organizimin e referendumeve lokale  në njësitë e tyre vendore kanë depozituar dokumentacionin përkatës, duke vënë në pikëpyetje dhe futur në ngërç institucional dhe kushtetues ndarjen e re territoriale, si dhe zhvillimin e zgjedhjeve të ardhshme. Sipas parashikimeve të bëra nga Kushtetuta, nëse këto referendume janë në përputhje me ligjin, këto referendume lokale duhet të mbahen para zgjedhjeve lokale.

Rrugëdalja e vetme

Është koha që politikanët, më shumë se çdo herë, t’i bëjnë apel, së pari, ndërgjegjes  politike, morale, kombëtare së tyre, nëse kanë, dhe lojërat e interesave politike le t’i lënë për një tjetër tavolinë debatesh shterpe në  fushata elektorale. dhe veçanërisht kryetarët e tre partive më të mëdha politike, kryetarit të PS-së, Edi Rama, kryetarit të PD-së, Lulzim Basha dhe kryetarit të LSI-së, Ilir Meta,  të tejkalojnë të gjitha ndasitë dhe interesat partiake dhe të gjejnë zgjidhjen e përbashkët për të shmangur këtë ngërç të panevojshëm e artificial që mund të fusë në kolaps ligjor vendin. Edhe  Presidenti Nishani, duhet të mbledhë sa më parë krerët e partive parlamentare jo vetëm për t’u konsultuar rreth datës së zgjedhjeve që ai duhet të dekretojë sa më parë, por edhe për t’i nxitur ata drejt kompromisit dhe gjetjes së gjuhës e interesit të përbashkët në dobi të vendit dhe të qytetarëve.

Jakup B. GJOÇA