Rrëfimet e kryehetuesit Prof. Qemal Lame/ Prapaskenat për arrestimin e Ismail Kadaresë. Provokimi i Enverit pas raportit të Hekuran Isait, “se kemi gati kallëzimet për ta arrestuar”. Klani i Mehmetit dhe dosja sekrete

834
Sigal

Prapaskenat  për arrestimin e Ismail Kadaresë. Enveri urdhëroi: Hekuran! Merr masa që arrestimi  të bëhet pa probleme. Ramiz, ta mbyllim këtë problem deri javën tjetër

Boll  ka livadhisur Kadareja. Të shkojë me të tjerët, në qeli dhe në hale të gomarëve!

Rrëfimet e ish kryehetuesit Qemal Lame

Enver Hoxha kishte krijuar bindjen, që shkrimtari Ismail Kadare ishte i klanit të Mehmet Shehut dhe si i tillë, duhej të arrestohej. Madje, Enveri, disa muaj pas vetvrasjes së Mehmetit, më thërret në zyrë dhe, duke qenë vetëm për vetëm, më kërkon që të përgatitet dosja për arrestimin e Ismail Kadaresë. Fillimisht, Enveri më kërkoi që kjo bisedë të mbahej sekret edhe nga Ramizi, edhe nga Hekuran Isai. Kur, u takuam sërish në zyrën e Enverit, së bashku edhe me Ramizin, edhe me Hekuran Isain, Enveri e tha hapur, që në fillim pse duhej arrestuar Ismail Kadare: Boll ka livadhisur. Të shkojë në hale të gomarëve. Cilat ishin dilemat e mia, si kryehetues, pasi mora porosinë nga Enver Hoxha, për arrestimin e menjëhershëm të Ismail Kadaresë.

Janë  dy raste konkrete, kur është diskutuar për arrestimin e Ismail Kadaresë

– Në vitin 1982 u dha urdhër konkret për arrestimin, u përgatitën dokumentet ligjore, por zbatimi u anulua në momentet e fundit.

– Në vitin 1983 u përgatitën edhe një herë dokumentet për arrestim. Këto dokumente nuk u njoftuan dhe as u dërguan zyrtarisht në Hetuesinë e Përgjithshme.

Urdhëri  i parë për arrestimin

Ideja, formulimi dhe kërkesa për zbatimin e arrestimit është nga  vetë  Enver  Hoxha.

E premte, më 24 shtator 1982, 20:15

Në zyrën time, si kryehetues i Përgjitshëm, ra zilja e telefonit sekret të komunikimit vetëm me udhëheqjen:

-Jam Enveri, Qemal! Ramizi dhe Hekurani më raportuan për hetimet. Kanë dokumentet për atë Kadarenë. Të arrestohet! Mos veproni menjëherë. Do ta diskutojmë. Shikoji edhe ti dokumentet. Dua mendimin tënd. Mos u thuaj Ramizit e Hekuranit që biseduam bashkë.

-Si të urdhëroni juve, shoku Enver! -Mirë! Natën e mirë!

-Natën e mirë!

E hënë, më 27 shtator 1982, 08:00: Biseda me Hekuran Isain

– Shoku Qemal! Nga hetimi kanë dalë fakte dhe kemi dokumente për  bashkëpunimin  e  Ismail  Kadaresë  me  Mehmet  Shehun.  Dokumentet ia kam bërë të njohura shokut Enver. Do ta arrestojmë. Kemi bërë gati kallëzimet. Shoku Enver më porositi që të analizoni edhe juve materialet dhe të shkojmë tek ai.

– Do t‘i  lexoj  dhe analizoj me shumë përgjegjësi, shoku Hekuran.

E hënë, më 27 shtator 1982, 08:30: Telefonata e  Ramiz Alias

– Ra zilja e telefonit sekret. Ishte Ramiz Alia.

– Shoku Qemal! Hekurani ka biseduar me juve për Ismail Kadarenë.

– Po, shoku Ramiz. Pak më parë biseduam. Jam duke lexuar  dhe analizuar

dokumentet.

– Do ishte mirë të bisedonim. Sapo bisedova edhe me Hekuranin. Po të keni kohë, hajdeni e bisedojmë të tre bashkërisht. Në orën 09:00 do jem në zyrë.

– Do të vij, shoku Ramiz.

Hekurani erdhi në zyrën time dhe shkuam së bashku  tek Ramizi.

E hënë, më 27 shtator 1982, 09:00: Biseda me Ramiz Alinë

– Shoku Qemal! I kemi dokumentet për Ismailin. Ta arrestojmë. Nuk ka përse të zgjatet më ky veprim.

– Nuk i kam  lexuar  të gjitha  materialet, shoku  Ramiz. Ka  dokumente  të vjetra dhe të tanishme nga hetimi i komplotit.

– Mirë!  Lexoji dhe analizoji. Do të  takohemi  me shokun  Enver  dhe do të bisedojmë. Ai  do që juve të jepni mendim. Ka besim dhe pret  mendimin tuaj. Do të të lajmëroj kur të takohemi.

E hënë, më 27 shtator 1982, 18:00

Takimi me Enver Hoxhën: Urdhri për arrestimin e Ismail Kadaresë

Të  pranishëm  në zyrën e Enverit ishin edhe Ramiz Alia dhe Hekuran Isai, ministri i Brendshëm.

Enveri foli i pari:

– Të arrestohet, ai Kadareja! Të bisedojmë e të vendosim për këtë qelbësirë. Boll ka livadhisur. I është rritur shumë mëndja. Të shkojë me të tjerët në qeli. Të hanë dhé! Të shkojnë në hale të gomerëve!

– Me ty, Ramiz, dhe ty, Hekuran, kemi biseduar në vazhdimësi. Tani të  dëgjojmë  Qemalin.  I lexove dokumentet, shoku Qemal?

– I lexova dhe i analizova, shoku Enver.

– Hë, mo, si thua? I ka ardhur koha.  T‘ia përveshim edhe atij!

– Dokumentet proceduriale janë sipas ligjit, në bazë të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, shoku Enver.

– Ashtu! Shumë mirë! Të arrestohet!

– Hekuran! Merr masa që arrestimi të bëhet pa probleme.

– Si urdhëron, shoku Enver!

– Ramiz! Ta mbyllim këtë problem deri javën tjetër.

– Si urdhëron, shoku Enver!

– Edhe një problem me rëndësi, shoku Enver. Për hetimin dhe gjykimin e çështjes, dënimin dhe dokumentimin për të ardhmen, ka rëndësi objektiviteti i fakteve dhe pyetjeve të të pandehurve, si dhe i dëshmitarëve. Për hartimin e tyre është në dijeni konkretisht shoku Hekuran.

– Ashtu është. Hekuranin e kemi caktuar që të merret konkretisht me hetimet. Kështu kemi vendosur. Ti do të vazhdosh të kujdesesh për anën ligjore të hetimit të komplotit. Duam që sot dhe në të ardhmen të mbeten dokumente ligjore të rregullta.

– Mendoj të theksoj edhe një shqetësim tjetër, shoku Enver. Arrestimi do të tërheqë vëmendjen e opinionit të brendshëm dhe sidomos atij të huaj, shoku Enver. Veç këtij fakti, jemi në vazhdim të jehonës, vlerësimeve dhe të zbatimit të vendimeve të Kongresit të 8-të të Partisë.

– Të kuptoj, Qemal! Partia dhe populli do t‘i kuptojnë drejt këto probleme. Mos u shqetëso.

Enveri  menjëherë iu drejtua Ramizit:

– Ramiz! Shqetësimi është i drejtë. Merrni parasysh edhe këto mendime.

Enveri, duke më parë në sy, tha duke na u drejtuar të treve:

– Qemal! Analizoji me kujdes dokumentet.

– Patjetër, shoku Enver!

– Hekuran! Merr masa që arrestimi të bëhet pa probleme.

– Si urdhëron, shoku Enver!

– Ramiz! Ta mbyllim këtë problem deri javën tjetër.

– Si urdhëron, shoku Enver!

Jam Enveri, Qemal! Ramizi dhe Hekurani më raportuan për hetimet. Kanë dokumentet për atë Kadarenë. Të arrestohet! Mos veproni menjëherë. Do ta diskutojmë. Shikoji edhe ti dokumentet. Dua mendimin tënd. Mos u thuaj Ramizit e Hekuranit që biseduam bashkë

Sqarim i nevojshëm i imi për lexuesit: Hierarkia e urdhërave për arrestimin e personaliteteve dhe udhëheqësve të damkosur si “Armik i Popullit”

Enveri, si Sekretari i Parë i Komitetit Qendror të Partisë së Punës,  kishte nën kontroll të plotë veprimet kryesore të Sigurimit, Policisë, Hetuesisë, Prokurorisë, Gjykatës. Marrjen e njoftimeve dhe transmetimin e tyre e bënte vetë direkt në takimet ditore me Hysni Kapon, i cili  ia transmetonte Kadri Hazbiut. Pas sëmundjes dhe vdekjes së Hysniut, mbante më shumë lidhje me Ramizin, i cili i transmetonte urdhërat te Kadri Hazbiu e më pas te Hekuran Isai. Me Feçorr Shehun nuk mbante lidhje direkte. Urdhërat e porositë i transmetonin në raste të rralla edhe sekretarët e Komitetit Qendror Hekuran Isai, Simon Stefani. Transmetimi i urdhërave dhe porosive të Enverit te Sigurimi e Policia, bëhej nëpërmjet sekretarit të Komitetit Qendror te ministri, Kadri Hazbiu, e më pas Feçorr Shehu, Hekuran Isai. Ministri i Brendshëm kishte në vartësi direkte Sigurimin e Shtetit. Transmetimi i urdhërave te kryetari i Gjykatës së Lartë dhe prokurori i përgjithshëm bëhej nga ministri i Brendshëm Kadri Hazbiu e më pas nga Feçorr Shehu, Hekuran Isai, Simon Stefani. Enveri kishte në metodën e tij të punës në dhënien e urdhërave, pasi njihej me ngjarjet e rëndësishme, vlerësonte dokumentet dhe interesohej direkt tek  personat më të besuar për marrjen e mendimeve të tyre personale. Merrte mendime nga disa persona. Marrja e mendimeve nga çdo person kërkohej të mbetej e fshehtë. Asnjeri nuk kishte të drejtë të bisedonte e të vinte në dijeni persona të tjerë për urdhërat, porositë apo mendimet, shënimet me shkrim ose raportet e dërguara ose të diskutuara me Enverin. Në përfundim, ai diskutonte e analizonte në rreth të ngushtë dhe vendoste përfundimisht. Kur vendoste, nuk donte diskutime apo ide të tjera. Kërkonte dhe priste sa më shpejt që të ishte e mundur vetëm zbatimin e urdhërit. Në këtë rast për hetimin e komplotit dhe të dhënat hetimore e agjenturore, Enveri ndiqte çdo ditë hetimet nga raportimet e Ramizit. Në disa raste edhe të Ramizit bashkë me Hekuranin. Hekurani vinte në dijeni Ramizin çdo pasdite, në Vilën 29, (cilësohej si Shtëpia e Partisë), në takimet në orën18:00. Enveri kishte njohur dokumentet dhe kishte biseduar me Ramizin dhe Hekuranin më parë se të bisedonte në telefon me mua për Ismail Kadarenë. Mendimi im kërkohej të ishte profesional, mbi zbatimin e kërkesave ligjore në dokumentet për arrestimin. Unë vetë duhet të kisha të qartë mendimet e përfundimet e secilit dhe ato të arritura bashkërisht nga Enveri, Ramizi e Hekurani.

Enveri: Të arrestohet, ai Kadareja! Të bisedojmë e të vendosim për këtë qelbësirë. Boll ka livadhisur. I është rritur shumë mëndja. Të shkojë me të tjerët në qeli. Të hanë dhe! Të shkojnë në hale të gomarëve!

Dokumentet për arrestimin e Ismail Kadaresë

– Procesverbali i pyetjes së të pandehurit Llambi Ziçishti

– Procesverbali i pyetjes së të pandehurës Fiqret Shehu

– Procesverbali i pyetjes së të pandehurit Skënder Shehu

– Procesverbali i pyetjes së të pandehurit Bashkim Shehu

– Procesverbali i pyetjes së të pandehurit Nesti Nase

Ismail Kadare, në klanin e Mehmet Shehut

Realiteti politik ishte shumë i tensionuar. Në popull, tek intelektualët dhe vetë anëtarët e Partisë së Punës, komunistët që mbështesnin Enver Hoxhën, ishte formuar mendimi përfundimtar se “Në udhëheqje ishin dy klane: i Enverit dhe i Mehmetit. Në klanin e Enverit, ishte familja Kapo dhe Ramizi. Në klanin e Mehmetit ishin ministrat dhe disa personalitete të njohura, si mbështetës të tij. Mehmeti humbi besimin e Enverit, humbi shansin si trashëgimtar. Ramizi fitoi përfundimisht besimin e Enverit dhe i doli papritur fati si trashëgimtar. Lufta për mbajtjen e pushtetit absolut deri në vdekje, dhe kalimin e vendosur përfundimisht te Ramizi, do të shkaktonte përplasjen e dy klaneve. Më i forti do të fitonte. Mehmeti do të eliminohej, dhe Ramizi do të trashëgonte pushtetin absolut.” Në formë më të përmbledhur: “Klani i Enverit dhe ai i Mehmetit nuk mund të bashkëjetonin. Ramizi do të merrte pushtetin duke u viktimizuar Mehmeti.  Akuzat e komplotit, spiunazhit etj., ishin manipulime politike për të fshehur të vërtetën.”  Ismaili llogaritej në klanin e Mehmetit.  Prandaj urdhërohej edhe arrestimi i tij.

Hezitimet e kryehetuesit  për të arrestuar Ismail Kadarenë

Urdhëri i Enverit ishte i qartë, detyrues dhe i padiskutueshëm. Problem i madh ligjor ishte bindja ime se urdhëri nuk bazohej në  prova  ligjore,  të  besueshme  për  origjinalitetin  e  objektivitetin e të dhënave dhe fakteve të fiksuara në dokumentet e hetuesisë e të Sigurimit të Shtetit, si dhe nuk krijonte bindje për drejtësinë e zbatimit të masës së rëndë, të arrestimit të shkrimtarit Ismail Kadare. Urdhëri i prerë i Komandantit për arrestimin e Ismail Kadaresë, më tronditi thellë. U vura konkretisht para përgjegjësisë profesionale e ligjore, si dhe asaj disiplinore e morale, si ushtarak. Vihesha në provë si  kuadër  i  lartë shtetëror për besnikërinë, korrektësinë në zbatimin e urdhërave e porosive, aftësinë për të marrë përsipër përgjegjësi, dhe karrierën e pasojat në të ardhmen. Realizimi i kësaj detyre ishte përgjegjësi e madhe personale në respektimin e zbatimin e Kushtetutës e të ligjeve, si dhe të pasojave për shtetin, shoqërinë, deri edhe vetë shkrimtarin e familjen e tij. Marrja e një vendimi të drejtë nga ana ime kushtëzohej nga faktorët subjektivë që vareshin nga ndërgjegjja në zbatimin e detyrave dhe nga faktorët objektivë që kushtëzoheshin nga parimet kushtetuese, ligjore, ushtarake e administrative. Ismail Kadarenë nuk e njihja dhe nuk kisha treguar interesim për ta njohur. Kjo ishte një bazë e mirë që më lehtësonte edhe nga sentimentalizmat e vetëkuptueshme, kur një person e njeh nga afër dhe vihesh para përgjegjësisë së detyrës për të marrë një vendim arresti. Në ndërgjegje isha i qetë, për arsye se në formimin tim, dhe në veprimtarinë shtetërore, nuk ndikonte sentimentalizmi. Problemet i analizoja me objektivitet e përgjegjësi personale e ndërgjegje juridike të lirë e pa u ndikuar. Nuk ndikohem nga njohja, shoqëria, miqësia, familja, të afërmit etj. Marrjen e vendimeve proceduriale e bazoja në kriteret ligjore, fajësinë e bazuar në ligj e në dokumente, dobinë për hetimin, dërgimin për gjykim të çështjeve të hetuara me objektivitet, në gjerësi e thellësi që të garantohej po ashtu, gjykimi objektiv dhe dënimi i drejtë e i merituar sipas Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale. Për çdo vendim që merrja bazohesha në respektimin dhe zbatimin me përpikëri të ligjit, në mbrojtjen e lirisë e të drejtave kushtetuese të personave të dyshuar, si dhe në ndikimin në opinionin shoqëror të masave të represionit shtetëror. Mendimet i deklaroja me sinqeritet. Vendimet i formuloja dhe i argumentoja të bazuara në prova dhe në kriteret ligjore dhe pa ndikime subjektive. Për këto arsye, isha i qetë në thellësi të ndërgjegjes, nga ana subjektive, pasi nuk ndikohesha nga ndjenja sentimentale: Së pari, nga detyra delikate dhe me shumë përgjegjësi kushtetuese, ligjore, proceduriale e morale që kisha; Së dyti, nga bindja e ndërgjegjshme profesionale e morale në respektimin e zbatimin me përpikëri të Kushtetutës, Kodit Penal, Kodit të Procedurës Penale e të ligjeve në tërësi; Së treti, nga bindja ime e brendshme e bazuar në ndërgjegjen juridike. Për vetë karakterin, edukimin e formimin juridik, për mua ishte vendimtar parimi për bindjen e ndërgjegjshme juridike në marrjen e vendimeve duke u bazuar në provat ligjore, realitetin objektiv dhe mendimin e formuar natyrshëm, për të vepruar me përgjegjësi e përkushtim, në zbatimin e vendimeve që merrja me vullnetin tim të lirë. Nuk veproja nën imponim. Kjo dihej mirë nga hetuesit, prokurorët e gjyqtarët me të cilët punoja. Me këtë cilësim njihesha edhe nga udhëheqja politike e kohës. Së katërti, në respektimin e të drejtave kushtetuese të shtetasve. Ky ishte detyrim kushtetues, por edhe një përgjegjësi e madhe profesionale, ligjore e morale në kushtet kur në sistemin e organeve të drejtësisë në Shqipëri, në dallim nga organizimi i shteteve të tjera të cilësuara borgjeze e revizioniste, ishte hequr dhe nuk ekzistonte instituti i avokatisë për mbrojtjen ligjore të personave të dyshuar, të marrë në përgjegjësi penale, të gjykuar e të dënuar. Ndërgjegjja ime juridike si drejtues i hetuesisë, por edhe si intelektual e qytetar, tensionohej për shkak se nuk njihja në detaje gjendjen e hetimeve, objektivitetin e deklarimeve të të pandehurve e dëshmitarëve etj. Fakti që hetimet bëheshin nga hetues të përzgjedhur me njohjen e interesimin direkt nga Ramizi e Hekurani dhe miratuar nga Enveri vetë, si dhe me vartësi të drejtpërdrejtë nga ministri, nuk më kishin lënë mundësi për të njohur drejtpërdrejt realitetin e zhvillimit të hetimeve dhe për të krijuar në mënyrë të ndërgjegjshme sigurinë dhe bindjen për objektivitetin dhe ligjshmërinë e veprimeve konkrete hetimore, pyetjen e të pandehurve e dëshmitarëve dhe dokumentimin me korrektësi e objektivitet të thënieve të tyre. Nga bisedat me ministrin e Brendshëm, Hekuranin, kuptohej dhe në disa raste thuhej hapur, se ushtrohej dhunë për marrjen e pohimeve dhe pranimin e akuzave për komplotin. Ministri dhe hetuesit mburreshin për thyerjen e të pandehurve dhe marrjen e pohimeve. Kënaqeshin kur thoshin se Fiqreti me dy djemtë, si dhe Nesti Nase e Llambi Ziçishti ishin bashkëpunues dhe ndihmonin për vërtetimin e fajësisë së Kadri Hazbiut, Feçorr Shehut etj. Nga ana objektive, marrja e vendimit me ndërgjegje kërkohej të bazohej në realitetin e hetimeve dhe parimet e ligjshmërisë për fajësinë e personit. Marrja e vendimit përfundimtar më impononte përgjegjësinë personale, motivimin, përkushtimin e korrektësinë: Kushtetuta, Kodi Penal dhe Kodi i Procedurës Penale, që të respektoheshin me përpikëri, të harmonizoheshin dhe të ligjëronin bazueshmërinë ligjore të hartimit e të argumentimit të vendimit procedurial të arrestit; Provat e administruara në dosjen hetimore të ishin në përmbajtje të sakta, me të dhëna objektive, me pohime të lira nga të pandehurit e dëshmitarët, si dhe të harmonizuara, të lidhshme dhe bindëse në faktet, rrethanat dhe përmbajtjen e dokumenteve me rëndësi ligjore e proceduriale.  Këto kërkesa themelore më imponuan natyrshëm domosdoshmërinë e një analize të thellë ligjore, politike e shoqërore, si dhe morale për besimin dhe rolin që kërkohej të dëshmoja në mbështetje të udhëheqësit. Urdhri ultimativ nuk linte asnjë mundësi për të dhënë ndonjë mendim. Kërkohej përgatitja e dokumenteve dhe arrestimi. Në analizën përfundimtare nuk isha i bindur për të argumentuar dhe hartuar vendimin e arrestimit. Dilema me bindjen e ndërgjegjshme, pasojat për të ardhmen  dhe tragjedia e viktimizimit të cilitdo  që kishte  guxuar  të thoshte qoftë edhe me nënkuptim ndonjë mendim ndryshe, më detyronin të  mendohesha,  të  përfytyroja  e  të  analizoja  intensivisht  qëndrimin përfundimtar. Vendosa të ruaj qëndrimin e njohur për zbatimin e ligjit dhe me ndërgjegje të rrezikoj për të dhënë mendim për rishikimin e masës së arrestimit. Ky vendim ishte njëlloj si të viheshe vetë para gjykimit përfundimtar, të zgjidhje të jetoje apo të viktimizoheshe me ndërgjegje dhe me dëshirën tënde. Ishte e qartë se komandanti jepte urdhër, urdhri ishte ligj, mbetej vetëm zbatimi, nuk kishte asnjë hapësirë për diskutime. Zgjodha të veproja në bazë të bindjes sime dhe të ballafaqohesha me rrezikun real potencial. Me këtë bindje, vendosa të parashtroj mendimet e mia mbi bazën e përfundimeve të argumentuara në studimin e kriminalitetit për krimet politike, situatën politike dhe pasojat nga goditja e komplotit dhe zgjerimi i bashkëpunëtorëve.

 

Vijon

Në numrin e ardhshëm do të lexoni:

-Raporti i Kryehetuesit për arrestimin e parë të Ismail Kadaresë.

– Pse Enveri e anulloi arrestimin e parë.

– Pse pas disa muajsh, Enveri thërret sërish kryehetuesin të arrestojnë Kadarenë.

– Kush e trembi Enverin, të mos mos zbatohej fleta e dytë e arrestit ndaj Kadaresë