Rrëfim nga Hyskë Borobojka: Dreka e hidhur

224
Sigal

-Burrëziu, ­ m’u shkreh ime shoqe, pa u hapur mirë dita. Edhe ai komshiu që ka shpuar murin e katit të parë dhe bën biznes duke tregtuar qepë, presh e hudhra, e shëtit zonjën e tij dy herë në javë në restorantet, klubet e kafenetë më të fisme të kryeqytetit, për të ngrënë e për të pirë, kurse zotrisë sate që i rruat emri dhe pesha 95 kilogramë, si s’më ke çuar një herë të drekojmë apo të darkojmë jashtë?!

-Të drejtë ke zonja grua. Bëj autokritikë “bolshevike”, prandaj që tani nisu e stolisu. Ku dëshiron të drekohemi? Në Berlin, në Romë, në Pragën e artë të Çekisë apo në Taivanin e Azisë?

-Të lutem shumë zoti burrë, mos u tall me mua! Jam zonja e shtëpisë  me një barrë të mira! – ma ktheu ajo.

I thashë se nuk tallem e s’bëj shaka, pasi Berlinin, Romën, Pragën e artë e Taivanin e Azisë i kemi në kërthizë të Tiranës. Si e sqarova, e pas një konsulte të gjatë vendosëm që drekën ta shijonim në lokallin që në ballë mban emrin Berlin me gërma të mëdha. Si u nisëm e u stolisëm për merak, të zënë krah për krah “Allabraca” arritëm në lokalin e caktuar. Berlini që te dera e deri te banaku ishte veshur me të bardhë. Zumë vend në bashin e tavolinave të bardha dhe të pastër si dëbora në majën e malit të Korabit. Sa na zunë vend të ndenjurat në karriket kolltuk, erdhi kamarierja: një guguçe ta pinje në kupë, bel këputur e belgarki, lyer e ngjyer me të kuq e me të bardhë: t’i rrëmbeje kokën. Ishte nga ato studente që ishte diplomuar për filozofi, por s’kishte gjetur vend pune dhe kishte përfunduar kamariere. Ndërsa një shoqja e saj kishte ikur nga sytë këmbët jashtë vendit. Unë si kryetar i tavolinës bëra porosinë, një të parë, një të dytë e një të tretë.

-Për të pirë çfarë dëshironi?-pyet guguçja qiri më këmbë.

-Një shishe verë se dua ta hap vetë,- i thashë

-Birra Korça !- porositi nikoqirja ime.

Kamarierja me një barrë lezet solli porosinë.

Tavolina u mbush plot, ha o gojë, pi o gojë.

Si boshatisëm pjatat e i përmbysëm gotat, pyeta nikoqiren time:

-U kënaqe në Berlin?

-Shumë! –m’u përgjigj ajo.

Ndërkohë erdhi kamarierja si flutur me tefter në dorë. Bëri llogarinë e “dëmit” që kishim bërë. Unë nxora nga xhepi pensionin, që sapo e kisha marrë , por s’mjaftoi nxori edhe ajo rrogën e plotësoi të hollat për drekën që hëngrëm.

Kur dolëm nga lokali,ajo më tha:

-Po tani si do bëjmë. Me se do ta paguajmë korentin elektrik, që po rritet dita ditës si ç po rriten taksat? Unë e gjora me se do t’i paguaj ilaçet e zemrës? Po për bukë, për perime e me radhë? Ja preva shkurt…-E di partia! – i thashë.

-Cila parti?-pyeti ajo me lotët e varur ne qepallat e syve.

-Ajo që do të fitojë zgjedhjet lokale për Bashkinë e Tiranës!!