Roli kyç i Shqipërisë në drejtim të paqes, qëndrueshmërisë dhe sigurisë në Rajon

602
Sigal

Presidenti Ilir Meta, i “Ftuar Nderi” në Kolegjin e Mbrojtjes së NATO-s në Itali

Në kuadër të 10-vjetorit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, Presidenti i Republikës, Ilir Meta zhvilloi një vizitë si i “Ftuar i Nderi” në Kolegjin e Mbrojtjes së NATO-s, në Romë. Dekani i Kolegjit të Mbrojtjes, Dr. Stephen Mariano, pasi i uroi mirëseardhjen Presidentit Meta, i bëri një prezantim të shkurtër rreth Kolegjit, të themeluar në vitin 1951, nga ish-Komandanti i parë, dhe “babai i NATO-s”, General Dwight D. Eisenhower. Pas shënimit në Librin e Vizitoreve të Shquar të Kolegjit, Presidenti Meta u ftua të mbajë fjalën e tij përpara një audience të veçantë me ekspertë të shquar të mbrojtjes, të sigurisë dhe përfaqësues ushtarakë të vendeve anëtare të NATO-s në Romë.

Presidenti Meta: Shqipëria është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë që i kërkohen

Si President dhe Komandant i Përgjithshëm i FA të Shqipërisë, por veçanërisht si dëshmitar dhe protagonist i udhëtimit gati 30-vjeçar euroatlantik të vendit tim, po ndaj me ju disa vlerësime dhe qëndrime për këtë proces të rëndësishëm. Vetëm disa ditë më parë ne festuam në Tiranë 10-vjetorin e anëtarësimit në NATO, si një nga datat më të rëndësishme në historinë moderne të Shqipërisë dhe shqiptarëve dhe si një ngjarje me rëndësi historike jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ky proces nuk do të ishte i suksesshëm pa mbështetjen dhe ndihmën e sinqertë të miqve tanë dhe partnerëve, vendeve anëtare të NATO-s. Gjatë procesit të anëtarësimit të saj në NATO, Shqipëria ka pësuar transformime të thella, ka përballuar sfida të vështira dhe ka pasur arritje të jashtëzakonshme. Transformimet e brendshme politike, reformat kushtetuese dhe ligjore, reforma në sistemin ekonomik por veçanërisht reforma e thellë në planin e politikës së jashtme, sistemin e sigurisë dhe atë të mbrojtjes përbëjnë arritjet më të spikatura të vendit tim në përmbushjen e detyrimeve për t’u anëtarësuar në NATO. Angazhimi jonë në NATO nuk i shërben vetëm sigurisë sonë kombëtare dhe zhvillimit të vendit por mbi të gjitha është një përgjegjësi e madhe për t’i shërbyer paqes, stabilitetit dhe sigurisë së rajonit tonë, në Mesdhe dhe më tej. Pozicioni gjeostrategjik i Shqipërisë është një potencial sfidues në dobi të angazhimit të NATO-s, por njëkohësisht një terren lakmues dhe atraktiv i ambicieve dhe qëllimeve të aktorëve të tjerë shtetërore dhe jo shtetërorë që synojnë dobësimin e Aleancës, përçarjen e Bashkimit Evropian dhe minimin e mirëbesimit reciprok që na bashkon në NATO dhe BE. Ndaj Shqipëria mbështet fuqishëm politikën e ‘Dyerve të Hapura’ për zgjerimin e Aleancës me vendet e rajonit. Shqipëria mendon se përshpejtimi i hapave të Kosovës dhe vendeve të mbetura të rajonit drejt NATO-s dhe Bashkimit Evropian do t’i shërbente jo vetëm sigurisë dhe qëndrueshmërisë afatgjatë të Ballkanit por edhe bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik dhe rritjes së investimeve të huaja, kryesisht nga vendet e Aleancës dhe të Bashkimit Evropian. Shqipëria garanton përmbushjen e përgjegjësive të saj, angazhimin dhe përkushtimin e solidaritetin në dobi të ‘mbrojtjes dhe sigurisë kolektive’ të çdo anëtari të NATO-s dhe të interesave strategjike të Aleancës. Shqipëria ka vënë në dispozicion infrastrukturën e saj në dobi të sigurisë kolektive dhe për operacionet dhe stërvitjet e Aleancës duke u shfaqur si një partner i besueshëm i saj dhe lider në të gjitha nismat rajonale me qëllim rritjen e masave të besimit mes vendeve të rajonit, forcimin e bashkëpunimit dhe ndarjen e përvojës së saj të anëtarësimit. Në 10 vitet e anëtarësimit të saj Shqipëria mbetet një kontributor me peshë në jetësimin e iniciativave dhe projekteve të SHBA dhe NATO-s, jo vetëm duke kontribuar në ndërtimin e paqes, mirëbesimit reciprok dhe stabilitetit të rajonit. Vendi im ka hedhur hapa konkretë për ngritjen e Qendrës së Ekselencës për luftën kundër fenomenit të Luftëtarëve Terroristë të Huaj. Përzgjedhja e Kuçovës si vendndodhje e bazës moderne ajrore të NATO-s është një investim strategjik në dobi të sigurisë sonë kombëtare, rajonit, projekteve dhe qëllimeve afatgjata të Aleancës në Ballkanin. Shqipëria është e vendosur jo vetëm të ruajë këtë paqe të fituar me aq mund, por mbetet seriozisht e angazhuar edhe në sfidat e përbashkëta gjeostrategjike me të cilat përballet sot Aleanca në rajon dhe më gjerë. Ajo është e gatshme të marrë të gjitha përgjegjësitë që i kërkohen, si promotore e palodhur e bashkëpunimit dhe integrimit rajonal.