Roland Haskaj: Cinizmi i “Rilindjes” dhe grabitja e katërfishtë e shqiptarëve

583
Sigal

/Gazeta TELEGRAF

Nëse pandemia e COVID19  ka pak që ka mbushur vitin në Shqipëri, pandemia ekonomike dhe sociale ka filluar shumë vite më parë. Kemi kohë që dëgjojmë të mbyllen shkolla, të mbyllen klasa, mësues, që mbeten pa punë nga mungesa e nxënësve në auditore. Zonat rurale  çdo  ditë shkretohen nga mungesa e jetës, dhe ata që mund të ishin fermerët potencial, rendin drejt emigracionit të dëshpëruar, duke lënë djerë ngastrat e shpresës në vendin e tyre. Nga ana tjetër zonat urbane kanë një panoramë të ngjashme, ku shkëlqimi i fasadave të rilindjes urbane zbehet para pesimizmit, që sundon shumicën  e qytetarëve. Ky vend po zbrazet gjithnjë e më shumë dhe arsyeja dihet.”vrasja e shpresës  se nesër do të bëhet më mirë”.

Por, ajo që të vret më shumë është  fakti, që përballë cinizmit të kësaj race, pushtetarësh  që e drejton këtë vend, qëndron  i vakët delezimi i shoqërisë, që ka të bëjë me mosreagimin e saj, apo lëvizjen qorrazi të saj nën urdhërat e prijësit-bari  zotit Kryeministër. Ku duket më qartë kjo?

Këto tetë vite kemi dëgjuar sesi zoti Rama trumbeton çdo ditë ‘rilindjen urbane” nga Veriu në Jug, duke thithur mbi 500 milion euro financa publike. Nuk kemi asgjë kundër investimeve publike urbane, sepse në fund të fundit ndikojnë pozitivisht në cilësinë e jetesës, dhe i bëjnë më tërheqëse qendrat urbane. Por a është ky një prioritet vizionar që shpërblen (sh)përdorimin e zh(drejtë) të financave? A është kjo një strategji “patriotike,’politikisht, e cila vendos në qendër interesin publik , duke çliruar të gjithë incentivat makroekonomike, që përcjellin një gjallërim të jetës ekonomike atje ku  ndodhin?Apo mos kemi një politikë të mbrapshtë për qëllime të ngushta të vendimarrësve? Në vazhdim  po paraqesim   një analizë përmbledhëse të  grabitjes  katërfish që qeveria prej vitesh po u bën shqiptarëve.

1. Efekti kosto oportune, mos rritja e pagave apo taksa e mirëqënies.

Për pjesën më të madhe të popullsisë të ardhurat dhe njëkohësisht  mirëqënia, varen nga niveli i pagave ( shpërblimi si e ardhur nga puna). Nqs finanacat  publike ( të ardhurat buxhetore që rezultojnë nga tatimet , taksat dhe ndalesat e direkta ) shkojnë në një pjesë të mirë të tyre si investime për rikualifikimin urban, kjo  ndodh në kuriz të shqiptarëve, pasi  janë ata financuesit kryesor të këtyre projekteve. Për më tepër kjo është si një taksë për mirëqënien e tyre, pasi shoqërohet me mosrrritje pagash për të paktën 170.000 buxhetorë dhe mbi 650.000 pensionistë. Pjesa më cinike e kësaj historie të hidhur  është se  kjo pjesë  e  shoqërisë, projektohet  si forca kryesore votuese pro pushtetit të sotëm.  Këtë kombinim të mbrapsht –përdorim jo efficient i financave , i shoqëruar   me politikë asfiksuese ndaj sektorit privat që mbart , destabilitet fiskal, pasiguri juridike, veprime abuzive të admintratës partiake, le ta quajmë si niveli i parë i grabitjes: mosrritja e pagave burim i vetëm  i  të ardhurave për shumicën e shqiptarëve.

2. Taksa e korrupsionit

Nqs qeveria  do të kishte prioritet rritjen e pagave, atëherë një pjesë e financave që burojnë nga tatimet dhe taksat, do të rikthehej direkt në xhepat e shqiptarëve. Në vazhdim ky efekt do të ndikonte pozitivisht  në parametrat makroekonomik, pasi nëpërmjet rritjes së konsumit ( që do të kishim nga rritja e pagave në sektorin publik), do të  kishim një rivitalizim ekonomik ( edhe rritje pagash) në sektorin privat (efekti multiplikator,). Por duke vepruar në të kundërt,efektet bëhen negative kur kjo  shoqërohet me  një politikë,  që vepron kundër çlirimit të tregjeve, e pafuqishme për  tërheqjen e investimeve të huaja direkte, pa vizion për ndryshime strukturore në ekonomi në drejtim të rritjes së eksporteve, e paaftë për gjallërimin e sektorëve, që përfshijnë punësime me produktivitet dhe pagesa të larta. Pushtetarët kanë preferuar një zgjedhje tjetër –investime fasadë plot dritë e shkëlqim, për përfitime 10-20 % nga tenderimet korruptive. Kryeministri Rama e di shumë mirë që në këtë mënyrë, një alokim i financave në drejtim të ashtuquajturës rilindje urbane, përveç mundësisë së gllabërimit në mënyrë korruptive të financave, krijon njëherazi dhe memorje elektorale. Në këtë mënyrë investimet fasadë, pa vizion, të cilat nuk gjenerojnë punësim dhe zhvillim ekonomik të qëndrueshëm, u vjedhin fondet publike nëpërmjet taksës së korrupsionit dhe njëherazi u vjedhin votat shqiptarëve.

3. Taksa e oligarkisë.

Rialokimi i padrejtë i financave publike në një grusht  biznesmenësh klientelistë të lidhur me pushtetin , për të realizuar skemën pastrimit të parave (të buruara nga vjedhja cinike e financave të shqiptarëve nëpërmjet taksës së korrupsionit si më lart e shpjeguar) vazhdon më tej  nëpërmjet koncesioneve dhe PPP-ve. Duke qenë se skema e partneritet publik privat ka në thelb  vetofrimin në procedurë tenderimi të investitorit koncesionar, ajo lë shteg për abuzim përsa i përket transparencës, eficiencës dhe  kostimit të projektit. Investimet PPP karakterizohen nga mungesa e eficiencës në kohë dhe kosto dhe tashmë janë të denoncuara ndërkombëtarisht si praktika jo eficiente që krijojnë hapësira për fiktivitet, korrupsion dhe pastrim parash. Nga ana tjetër koncesionet famëkeqe në shëndetësi e gjetkë (koncesioni i check up, i sterilizimit etj), janë kthyer si gropa thithëse të fondeve publike, për pagesën e shërbimeve të fryra, gjysëm fiktive.

4. Taksa e shërbimit ndaj borxhit publik-kosto e trashëguar për brezat e ardhshëm.

Rritja e borxhit publik nëpërmjet kësaj politike finaciare jo produktive e përdorur për qëllime të pastra  elektorale dhe përfitime të ngushta të pushtetarëve nëpërmjet  tre skemave të mësipërme është një peshë financiare që do të ketë efektin e një takse ekstra për  brezat e ardhshëm-kosto e borxhit publik. Në këtë mënyrë qeveria vjedh të tashmen dhe të ardhmen e shqiptarëve.

Përballë kësaj panorame të zymtë ngrihet alternativa-shpresëdhënëse e  PD dhe frontit opozitar ( pushteti i ardhshëm) një program ekonomik që shëron plagët e ekonomisë, jo vetëm nëpërmjet një politike fiskale lehtësuese, por edhe një refkektimi të thellë mbi gabimet e të shkuarës. Programi i PD-së , kuron të gjithë sektorët ekonomik; nga turizmi e bujqësia, te rritja e konsumit, thithjen e investimeve të huaja direkte, nëpërmjet një klime favorizuese dhe stimuluese për biznesin. Ajo ka në vizion ndryshimet strukturore të ekonomisë, drejt tregjeve të së ardhmes si IT dhe  investimeve strategjike në burimet e energjetikës së rinovueshme, përkrahjen dhe stimulimin e iniciativës së lirë dhe sipërmarjes inovative “start up”, përkrahjen sociale, frenimin e emigracionit të të rinjve, forcimin e shëndetësisë dhe të arsimit. Kjo paketë  e shoqëruar me një reformim të  administratës, institucioneve audituese, një qasje tjetër ndaj luftës kundër korrupsionit dhe informalitetit, garanton një faturë të përballueshme për të gjithë efektin financiar që shkakton kjo politikë ekspansioniste (njëherazi  e djathtë në fiskalitet dhe sociale dhe humane nga ana tjetër). Alternativat e opozitës i rikthejnë dinjitetin individit , forcojnë shtresën e mesme të shoqërisë dhe garantojnë  fuqizimin e saj. Ato kanë në fokus brezin e ardhshëm, por dhe respekt e përkujdesje për kontributin e dhënë ndër vite nga brezi i tretë, pensionistët e sotëm, duke  përcjellë shpresë dhe energji te reja në vend, një alternativë për të cilën kemi nevojë më shumë se kurrë. Kundër kësaj megastrukure propaganduese të binomit rilindje-pseudoshtet që ka për qëllim delezimin e shoqërisë me anë të qeverisjes virtuale , me projekte 3D dhe investime  fasadë  plot ngjyra e shkëlqim fallco, por pa vizion, ka vetëm një qëndrim të imponuar nga vetë dilema: përballja me të keqen, që nënkupton ndëshkimin e saj ( e të keqes) me një votë masive, që shënon rikthimin e shpresës.