Ristani: Policia shqiptare, e përjashtuar nga operacioni ndërkombëtar

496
Deputeti i PD, Arben Ristani ka deklaruar këtë të hënë se policia shqiptare ka qenë e përjashtuar nga operacioni ndërkombëtar kundër grupit shqiptar të drogës, ku ishte përfshirë edhe Klemend Balilaj. “Tahiri ishte përjashtuar nga ky aksion ndërkombëtar, i organizuar nga policia greke, nga DEA amerikane dhe polici të vendeve të tjera të BE-së, për shkak të lidhjeve të drejtpërdrejta me atë që u quajt nga mediat dhe CNN si Eskobari i Ballkanit”, ka deklaruar Ristani. 
Sipas tij, Tahiri, Rama dhe krerët e tyre të policisë u bënë pjesë e këtij aksioni duke e dëmtuar atë, “duke ndihmuar njeriun e tyre, Kelemend Balili t’i shpëtojë kërkimit, duke e ndihmuar të arratiset”. 
“Qëndrimet kontradiktore të policisë për hetimin e organizates kriminale tregojnë se ata janë kompromentuar për shkak të lidhjeve të Balilajve me drejtues të lartë politikë në vend, me Tahirin në veçanti. Ndërkohë që policia greke ka nxjerrë urdhër ndalimi duke përmendur me emër dhe mbiemër, Klement Balilin, i njohur me pseudonimin “Keli”, si një prej krerëve të trafikut ndërkombëtar të drogës, policia shqiptare nuk e di nëse ky person është apo jo nën hetim”, ka thënë Ristani. 
Ai ka nënvizuar se, ndonëse pjesa më e madhe e anëtarëve të organizatës janë arrestuar, Policia e Shtetit nuk ka bërë asnjë prej atyre deklaratave zyrtare të saj, “ku ajo mburret për gjoja suksese në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë, siç vrapoi ta quante këtë operacion në fillim të publikimit të të dhënave”. 
“Dhe e gjitha kjo ka vetëm një shpjegim. Autoritetet shqiptare janë përjashtuar nga hetimi pasi janë vertetuar lidhjet e Balilit me politikanë të lartë dhe është vërtetuar mbrojtja që i japin atij drejtuesit e Policisë së Shtetit në trafikun e drogës. Lidhja dhe mbrojtja që Klemend Balili ka quhet Saimir Tahiri. Është ky ministër, i njohur si mburojë e trafikantëve dhe e krimit prej tre vitesh, nga Viluni, te Habilajt, nga Durim Bami te Shullazi, nga Marku te Arben Frroku, e së fundmi tek eskobari Balili. Lidhjet e Sajmir Tahirit me bandat kriminale dhe organizatat e narkotrafikut janë tashmë të njohura edhe nga partneret tanë europianë dhe amerikanë. Është emergjente që ai të largohet një orë e më parë nga detyra, e një hetim i plotë e i gjithanshëm të nisë për lidhjet e tij kriminale”, ka thënë Ristani.
Sigal