Riparimi i autostradës Tiranë-Durrës/ Vasili: Rrugët si në kohë lufte, po i riparojmë në kohë të papërshtatshme

501
Sigal

Kreu i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, ka reaguar pas deklaratave të kryeministrit Rama pasditen e sotme pas mbledhjes së qeverisë, i cili tha se në rrugën Tiranë-Durrës po bëhen ndërhyrje mirëmbajtje.

Përmes një postimi në rrjetin social “Facebook”, deputeti i LSI thotë se qytetarët që shkojnë drejt Durrësit torturohen në rrugë, pasi nuk është marrë asnjë masë lehtësuese ndërkohë që kryhen punime.

Postimi i plotë:

Qytetarët që shkojnë drejt Durrësit torturohen në rrugë, na rroftë bashkëqeverisja me qytetarët. Qytetarët që shkojnë drejt Durrësit po torturohen me orë të tëra në rrugë.
Prova e një ç’organizimi të tmerrshëm të qeverisë është pikërisht kjo torturë e mijëra qytetarëve, që duhet të durojnë të nxehtit e jashtëzakonshëm,të humbasin kohë pa fund,të shpenzojnë karburantin lumë sepse qeveria çmendet dhe riparon rrugët në momentin më të gabuar. Asnjë masë lehtësuese nuk është marrë, edhe rruga tjetër drejt Durrësit e njohur si rruga e Kavajës është në gjendje të mjerueshme si rrugët pas luftës, rrugët dytësore janë të fragmentuara e pa vazhdimësi, mjetet e rënda qarkullojnë në mes të ditës, policia s’bën asgjë. Gjithçka është në dorë të zotit, qeveria nuk ekziston. Një kaos i pashembullt, që bie në mënyrë të pamëshirshme mbi kurrizin e qytetarëve vetëm për shkak të një qeverie të PAAFTË e TË SKLEROZUAR dhe që i përçmon qytetarët. Tani presim Shkollëpakun të na japë sqarimet e tij edhe si inxhinier rrugësh i njohur që është.