Rilindja Urbane / VOA : Ja si Shkodra përmbytet 3 herë në 3 muaj, kërkohet dëmshpërblim nga qeveria dhe KESH

88

Ndërkohë që institucionet qendrore dhe vendore ende nuk janë marrë vesh se e kujt është përgjegjësia për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, banorët e Nënshkodrës vazhdojnë, që nga viti 2010-2011, të përballen me pasojat e përmbytjeve thuajse të përvitshme, të cilat po rrënojnë ekonominë e zonës dhe familjeve të tyre.

Sigal

 Në Shqipëri, brenda tre muajve të fundit zona e Nënshkodrës është përmbytur tre herë duke shkaktuar dëme të shumta për ekonominë e mijëra familjeve, por edhe infrastrukturën publike dhe mjedisin. Bashkia e Shkodrës kërkon që dëmet të kompensohen nga korporata elektroenergjitike, si shkaktare e përmbytjeve, ndërsa përfaqësuesit e qeverisë thonë se dëmet kompensohen nga fondet që bashkitë planifikojnë çdo fillim viti për rastet e emergjencave civile.

Ndërsa situata e përmbytjes në zonën e Nënshkodrës po shkon drejt normalizimit pas ndërprerjes së përkohshme të reshjeve intensive të shiut, dalëngadalë po dalin në pah dëmet që përmbytjet shkaktuan, kryesisht në tokat bujqësore dhe sera. Drejtuesit vendor të Shkodrës janë të bindur se, ashtu si edhe në vitet e kaluara, përmbytjet në zonën e Nënshkodrës janë shkaktuar nga shkarkimet e hidrocentralit Vau Dejës, që është edhe i fundit në kaskadën e lumit Drin, ndaj edhe dëmet duhet të kompensohen nga korporata elektroenergjetike.

“Që në muajin dhjetor kemi kërkuar të mirëmenaxhohet Fierza, sepse ajo është edhe rregullatori i gjithë kaskadës, por tani ka shkuar në kuotat maksimale dhe fatkeqësisht, njësia jonë ndodhet nën pushtetin e ujit”,- thotë administratori Arben Cemi.

Administratori Cemi thotë se, brenda tre muajve të fundit kjo zonë u përmbyt tre herë. Më 21 nëntor përmbytja arriti në 2583 hektarë, ndërsa sot janë ende nën ujë 1200 hektarë tokë bujqësore. Në përmbytjen e javëve të fundit, nga tuneli i hidrocentralit Vau Dejës, sipas KESH, u shkarkuan deri në 900 metër kub ujë në sekondë.

Nëse KESH shkakton dëme, për shkak të shkarkimeve nga portat, tashmë duhet t’i jepet fund kësaj historie dhe duhet të hartohet një ligj, që po KESH-i të dëmshpërblejë banorët që preken nga përmbytjet, sepse këta banorë nuk mund të riskojnë dhe të jenë objekt përmbytjesh të vazhdueshme, që thuajse ndodhin çdo vit”,- thotë nënkryetari i Bashkisë së Shkodrës, Tonin Deda.

Për Ministrin e Mbrojtjes Niko Peleshi, qeveria u ka shpërndarë bashkive 10 milion euro për të përballuar rastet e emergjencave civile, fonde, të cilat bashkitë duhet t’i përdorin menjëherë për rastet e emergjencave apo fatkeqësive natyrore.

“10 milion dollarë po ndajmë tani me buxhetin e ri që është pikërisht ky momenti që ai fond duhet të aktivizohet. Pikërisht për këto lloj situatash është menduar që të përdoret fondi. Ky është rasti, kjo është mundësia, pa procedura burokratike. Të gjitha janë të thjeshtuara dhe bashkitë duhet të asistojnë. Ne jemi në dispozicion edhe me rezervat e shtetit nëse do të ketë nevojë për më shumë mbështetje nëse shterojnë mundësitë e pushtetit vendor”.

Ndërkohë, drejtori i Agjencisë së Mbrojtjes Civile, Haki Çako, pranon problematikat në lëvrimin e këtyre fondeve, gjë që ka krijuar vështirësi që bashkitë t’u vinë me shpejtësi në ndihmë banorëve të zonave të rrezikuara nga përmbytjet.

“Përsa i përket fondeve për çështjen e emergjencave qeveria ka qenë dhe është shumë e vëmendshme. Ka pasur një problem teknik në etiketimin e kompensimit në raport me nevojat e vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 414 që përcakton qartësisht edhe nevojën e investimit, edhe nevojën e blerjes së shërbimeve . Është një lapsus mbase në mes të Ministrisë së Financave dhe vetë operimin”.

Por, sipas nënkryetarit të bashkisë së Shkodrës, Tonin Deda, përvoja e muajve të fundit tregon se është e nevojshme të ketë ndryshime të reja ligjore në ligjin për emergjencat civile për të vepruar më me shpejtësi në zonat e rrezikura.

Dhe ndërkohë që institucionet qendrore dhe vendore ende nuk janë marrë vesh se e kujt është përgjegjësia për dëmet e shkaktuara nga përmbytjet, banorët e Nënshkodrës vazhdojnë, që nga viti 2010-2011, të përballen me pasojat e përmbytjeve thuajse të përvitshme, të cilat po rrënojnë ekonominë e zonës dhe familjeve të tyre.