‘RILINDËSIT’ QË KANË ZAPTUAR KOLLTUQET E SHTETIT

670
Sigal

Petraq BARJAMI

Zyrtarët e Rilindjes kanë zaptuar ngrehinën e shtetit

Denoncimi i PD-së: Nepotizmi 310 milionë eurosh i familjarëve të qeveritarëve. Pse qeveria nuk publikon drejtuesit e institucioneve?

Kohë më parë, vëllai i kryetarit të Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla u emërua drejtor i Përgjithshëm i Taks Forcës së Ujit. Jo rastësi, që vëllai i numrit 2 të PS të emërohet në një post kaq të rëndësishëm të institucionit shtetëror, por ky emërim u mbajt i fshehtë, ndoshta, ngaqë emërimi u bë politik. Jo rastësisht, gratë e deputetëve, burrat e deputeteve, vëllezërit, motrat e tyre dhe të ministrave të qeverisë emërohen në postet më të larta të institucioneve shtetërore, madje këto emërime bëhen në fshehtësi të madhe, sa asgjëkund nuk ke mundësi të mësosh, kush është drejtor, nëndrejtor, sekretar, në institucionet shtetërore. Qeveria e “Rilindjes” në 2013-n, duke zbatuar për herë të parë ligjin “Për Nëpunësin Civil”, i cili ishte një nga kushtet e BE-së për marrjen e statusit kandidat në BE, premtoi se emërimet në institucionet shtetërore do të bëheshin me konkurs. Mirëpo, konkurset edhe mund të zhvillohen formalisht, derisa drejtorë, zv.drejtorë emërohen motra dhe vëllezër të ministrit e të deputetëve. Pse qeveria nuk publikon të gjithë të punësuarit në administratën shtetërore, që nga drejtuesit e deri tek roja, që të dimë si u punësuan, çfarë lidhje familjare kanë me ministrat, me deputetët?

 Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit, streha e të privilegjuarve të kastës qeveritare

Tek Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit para disa vjetësh u zbardh një skandal i madh me rimbursimin e ilaçeve, sa drejtori i atëhershëm i këtij institucioni Astrit Beci dha dorëheqjen, mirëpo zv.drejtori Skuraj, nuk u prek, pasi, siç u përfol, ishte miku i Taulant Ballës. Madje, u publikuan fakte të këtij skandali, që dëshmonin se disa farmaci që kishin lidhje familjare me deputetin Balla mundet (hipotetikisht, sipas denoncimeve) ishin ato që përfituan miliona euro. Mirëpo prokuroria nuk zbardhi asgjë nga hetimet, edhe pse drejtori, për shkak të skandalit, u dorëhoq. Ndërsa dje PD-ja e denoncoi FSDK-në, si modeli i nepotizmit në institucionet shtetërore. Deputetja Ulqinaku tha dje se Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit, ku ministrat Ahmetaj e Manastirliu janë anëtarë, është vendi ku është emëruar ditët e fundit si zv.drejtoreshë e Përgjithshme motra e ministrit të Financave, Ahmetaj dhe ku punojnë edhe kunatat e Manastirliut, Ballës, Agaçit e Xhafës. Sipas Ulqinakut, nga 310 milionë euro buxhet që ka FKDSH-ja, 100 milionë euro janë para që shqiptarët i paguajnë direkt si sigurim shëndetësor kurse 200 milionë euro nga taksat që u merren shqiptarëve shkojnë për klientët e pushtetit.

Shtetin e kanë lënë në dorën e motrave dhe kunatave të ministrave dhe deputetëve

Deputetja Ulqinaku: Sloganet “Po bëjmë shtet”, “Për Shqipërinë që duam” apo “E gjithë vëmendja për ju” janë vetëm fasada propagandistike e Edi Ramës. Në të vërtetë shtetin e ka vënë në dorën e bandave të partisë, në dorën e militantëve dhe të paaftëve, si dhe në dorën e motrave dhe kunatave të partisë. Fondi i Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor është modeli i nepotizmit të qeverisë së Edi Ramës, ku ortakëria familjare është në themel të administrimit të miliarda lekëve nga taksat e shqiptarëve. Fondi i Kujdesit të Detyrueshëm Shëndetësor është modeli i nepotizmit të qeverisë dhe i dorëzimit të shtetit në duart e motrave dhe kunatave të partisë. 310 milionë euro është buxheti vjetor i Fondit ku punon motra e Arben Ahmetajt, e emëruar zëvendësdrejtore e përgjithshme pak ditë më parë, kunata e Ogerta Manastirliut, kunata e Taulant Ballës, kunata e Engjëll Agaçit, kunata e Fatmir Xhafës. Me pak fjalë, e gjithë vëmendja është për kunatat! Nga një anë, është Arben Ahmetaj dhe Ogerta Manastirliu që, si anëtarë të Këshillit Drejtues vendosin për Fondin e Sigurimit Shëndetësor, nga ana tjetër janë motrat dhe kunatat e tyre që firmosin për dërgimin e parave në llogaritë e klientëve të qeverisë. Shqiptarët duhet ta dinë se nga 310 milionë euro buxhet për Fondin, 110 milionë euro janë para që shqiptarët i paguajnë direkt si sigurim shëndetësor dhe pjesa tjetër 200 milionë euro, janë nga taksat tona, që motrat dhe kunatat e ministrave i ndajnë me klientët e pushtetit. Gjatë drejtimit të Fondit Shëndetësor nga motrat dhe kunatat e Arben Ahmetajt, Ogerta Manastirliut, Taulant Ballës, Engjëll Agaçit, Fatmir Xhafës, qeveria paguan në një vit për koncesionet në shëndetësi 24 milionë euro, për rimbursimet 90 milionë euro dhe me pjesën tjetër financojnë spitalet, ku ilaçet mungojnë, të sëmurët nuk mjekohen dhe mjekët largohen.