Rezoluta e PE shuplakë qeverisë/ Eurodeputetët zbarkojnë në Tiranë.Shqetësim korrupsioni, paketa anti-shpifje, reforma zgjedhore, dhe blerja e votës

143
Sigal

Sot mbërrin në Tiranë një delegacion prej shtatë eurodeputetësh në një vizitë zyrtare të udhëhequr nga kreu i Komitetit të Çështjeve të Jashtme të Parlamentit Europian, David McAllister. Qëllimi i vizitës është mbështetja e progresit dhe reformave drejt anëtarësimit të plotë në Bashkimin Europian. Sipas deklaratës zyrtare të PD, eurodeputetët do të rikonfirmojnë se Shqipëria është gati për nisur negociatat e anëtarësimit. Gjatë vizitës pritet që të adresohen shqetësimet e theksuara në raportimin e miratuar në seancën plenare të 19 maj në Komitetin për Çështjet e Jashtme të PE. Nuk ka një agjendë të detajuar të takimeve, por në deklaratë thuhet se shtatë eurodeputetët e udhëhequr nga i djathti David McAllister “do të takohen me udhëheqësit politikë, opozitën dhe shoqërinë civile. Vizita e eurodeputetëve pason ato të Komisionerit të Zgjerimit, Oliver Varhelyi, të Presidentit të Këshilllit Europian, Charles Michel dhe i paraprin samitit të udhëheqësve të BE-së në qershor, ku Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut shpresojnë marrjen e një date për negociatat. Gjatë qëndrimit në Tiranë, eurodeputetët do të vizitojnë gjithashtu një shkollë të rindërtuar me fondet e BE në kuadër të programit “EU4Schools”, pikën e kalimit kufitar me Malin e Zi të ndërtuar me mbështetjen e BE dhe mbikëqyrin, mbrojtjen e biodiversitetit të Liqenit të Shkodrës. Pas Shqipërisë, eurodeputetët do të vizitojnë Malin e Zi.