Rend dhe krim/ Zbardhen emrat e drejtuesve të policisë të përfshirë në vrasje. Vetëdeklarimi për Sky Eç alarmon policinë, ministri Balla: Vetëpastrimi i Policisë, misioni i radhës

24
Sigal

Shefa të policisë të përfshirë në një vrasje! Pritet “shkundja” e policisë nga krimi

Agjencia e Mbikqyrjes Policore ka nisur menjëherë punën pas urdhrit të firmosur nga ministri i Brendshëm Taulant Balla që detyron punonjësit e policisë të tregojnë nëse më herët kanë qenë përdorues të aplikacioneve të bisedave sekrete “Sky” dhe “Encro Chat”. Pak ditë pas këtij urdhri, burime për Vizion Plus bëjnë me dije se ka nisur ngritja e një grupi punë që do të merren me formularët. Ato do të dorëzohen tek të gjithë efektivët e policies, të cilët duhet të deklarojnë nëse kanë përdorur programe të tilla dhe të argumentojnë arsyen e përdorimit. Ky proces pritet të përfundojë brenda 30 ditëve. Ministri Balla ka paralajmëruar se çdo punonjës që është përfshirë në biseda të tilla do të përjashtohet menjëherë nga detyra. Ndërsa ata police, të cilët kanë përdorur programet “Sky” ose “Encrochat”, por në formular do ta mohojnë, do të përballen me drejtësinë për deklarim të rremë si dhe do të përjashtohen. Megjithatë AMP nuk ka një database për të verifikuar nëse një punonjës policie ka qenë apo jo përdorues, por kjo pritet të zbulohet në vijim nga hetimet e SPAK në kuadër të dosjes Metamorfoza. Burime për Vizion Plus shprehen se një tjetër goditje pritet që të zhvillohet me urdhër të prokurorisë së posaçme. Në verifikim nga drejtësia janë shefa krimesh në Tiranë, të dyshuar si të përfshirë në një vrasje të bujshme në kryeqytet. Ndërkohë që në tavolinën e SPAK është ende dosja ‘Metamorfoza’ e cila e ndarë në dy fraksione pritet që të shkundë kupolën e policisë. AMP po përgatitet që të nisë paralelisht edhe procesin e Vettingut ku drejtuesit e lartë do të verifikohen për pasurinë dhe pastërtinë e figurës./vizionplus/

Vetëdeklarimi për Sky EÇ, ekspertët: Të shqetësuar kupola e policisë

Pak ditë pasi ministri i Brendshëm Balla firmosi urdhërin, formulari i vetë-deklarimit mbi përdorimin e aplikacioneve të enkriptuara i është shpërndarë të gjithë sektorëve të Policisë së Shtetit, Gardës së Republikës dhe Agjencisë së Mbikqyrjes Policore.  Rreth 13,500 punonjës të tre institucioneve në varësi të ministrisë së Brendshme kanë afat 30 ditë për të plotësuar këtë formular. Ky udhëzim sipas autoriteteve, shërben për procesin e vetëpastrimit të strukturave policore dhe agjencive të tjera të varësisë. Ekspertët e sigurisë, shprehen pro plotësimit të formularit nga strukturat e varësisë së ministrisë së Brendshme. Fatjon Softa tha gjatë një interviste televizive se udhëzimi i fundit nuk ka shqetësuar bazën e policisë së shtetit, por disa elementë në pozicione drejtuese. “Kjo gjë e bën positive, sepse në fund të fundit nuk shqetëson bazën. Unë kam pasur kontakt me punonjës të thjeshtë qoftë inspektor policie, të patrullës së përgjithshme, punonjës të qarkullimit rrugor dhe nuk paraqesin shqetësim. Përkundrazi thonë mund të jenë shqetësuar disa shefa apo ndonjë shef që ka makina të shtrenjta apo ka ndonjë aktivitet tjetër ose që mund të jetë përfshirë në një aktivitet të tillë.” Sipas vendimit, ata që kanë përdorur aplikacionet SKY EÇ dhe Encrochat, përjashtohen menjëherë nga detyra. Por Softa thotë se fillimisht duhet bërë hetimi dhe më pas të merret sanksioni. “Duhet të jetë më e matur. Nuk mund të jetë vetëm, sepse je përfshirë në këtë komunikim. Nëse ti nuk e vërteton që e ka përdorur, s’e ka përdorur, për çfarë e ka përdorur, me kë ka komunikuar, kush ka qenë qëllimi i këtij komunikimi dhe produkti” – tha ai.

Ministri i Brendshëm Balla: Vetëpastrimi i Policisë, sistematik

Nga Pika e kalimit kufitar e Kakavijës, ku ishte në një aktivitet në krah së të ngarkuarit me punë të SHBA në Tiranë, David Ëisner, Ministri i Brendshëm, Taulant Balla, duke folur për çështjen e vetëpastrimit të Policisë së Shtetit, tha të martën se, ka ardhur koha që çdo punonjës i Policisë së Shtetit të zgjedhë mes uniformës, zbatimit të ligjit apo bashkëveprimit me krimin. Një ditë më parë, ministri Balla firmosi urdhrin që ka bashkëlidhur formularin për vetëdeklarim të çdo punonjësi policie, nëse ka patur akses në aplikacionet SKY EÇ/Encro Chat. “Procesin e vetëpastrimit në Policinë e Shtetit duhet ta vazhdojmë çdo ditë në mënyrë sistematike, për ta çuar këtë proces në një nivel tjetër, sepse në një nivel tjetër duhet të çojmë besueshmërinë e qytetarëve shqiptarë tek Policia. Sa më shumë luftojmë korrupsionin brenda policisë së Shtetit, aq më shumë rritet besimi i qytetarëve”,- theksoi Balla nga Gjirokastra. Duke iu drejtuar forcave kufitare në jug të vendit, ministri u ndal tek rasti i arrestimit të një zyrtari policie në Kapshticë. “Para pak ditësh AMP në bashkëpunim me Prokurorinë goditën një rast që nuk është i vetëm, brenda nesh, që me uniformën e Policisë së Shtetit bashkëpunonte me krimin në trafik të lëndëve narkotike. Do të jemi shumë të fortë, shumë të ashpër për të luftuar këtë fenomen në Policinë e Shtetit në gjithë këto vite, pa asnjë tolerancë, sepse synimi ynë është që ta bëjmë Policinë e Shtetit institucionin më të besuar në këtë vend”, ishte apeli i fortë i Ballës.