Rekomandimi 88 i Venecias, ja pse u përfshi edhe Vetingu

521
Mazhoranca dhe opozita, ose më saktë Partia Socialiste dhe ajo Demokratike ndahen mes tyre në lidhje me reformën në drejtësi, tek rekomandimi 88 i Komisionit të Venecias. Kryeministri Edi Rama nuk pranon propozimin për vendet e rezervuara në institucionet e Vetingut, të cilat do të kontrollojnë gjyqtarët e prokurorët. Ndërkohë Partia Demokratike deklaron se mosmarrja parasysh e rekomandimit 88 të Venecias nuk jep garanci që mazhoranca nuk do të kapë drejtësinë. Në kulmin e këtij debati, nëse i referohemi Komisionit të Venecias, opinionit paraprak të tij, evidentohet rreziku për kapjen e sistemit nga forca politike që kontrollon procesin.

 Rekomandimi 88 i opinionit përfundimtar të Venecias i orienton palët drejt formulave proporcionale që sigurojnë “përfaqësimin e opozitës” në organet kolegjiale të gjyqësorit apo modeleve të tjera që përfshijnë dhe opozitën nëse palët nuk bien dakord me shumicat e cilësuara 3/5 apo 2/3 e votave në Kuvend për emërimet në katër institucione të drejtësisë. “Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët jo gjyqtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Komisionin e Posaçëm të Kualifikimit dhe Dhomën e Specializuar të Kualifikimit (tashmë i ndryshuar në Kolegjin e Posaçëm), ata mund të zgjedhin një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës mes organeve kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e zgjedhjes”, thuhet në rekomandim. Dy institucionet e para janë Qeveria e gjyqësorit, në të cilat Kuvendi emëron pjesën e anëtarëve jo gjyqtarë e jo prokurorë, ndërsa dy institucionet e tjera përbëjnë Vetingun, pra do të jenë ato që do të përcaktojnë cilët gjyqtarë e prokurorë qëndrojnë ose largohen. Por pse në këtë rekomandim të paragrafit 88 të Komisionit të Venecias janë përfshirë edhe institucionet e Vetingut? 

Arsyeja duke se gjendet e thënë qartë në paragrafin 98 të raportit të ndërmjetëm të dhjetorit 2015, ku Venecia tërheq vëmendjen për rrezikun e kapjes së sistemit gjyqësor nga forca politike që kontrollon procesin. Aty flitet për dakordësinë e gjerë shqiptare mbi konstatimin se gjyqësori ynë është jashtëzakonisht i korruptuar dhe kërkon ndërhyrje urgjente. Komisioni i Venecias ngre pikëpyetjen nëse ky konsensus i gjerë krijon bazën e mjaftueshme për t’i nënshtruar të gjithë gjykatësit, përfshirë dhe ata të ndershmit, në një proces rivlerësimi, pavarësisht rrethanave specifike të çdo gjykatësi individual? Kjo është një pyetje që Venecia ia lë për përgjigje politikës, por tërheq vëmendjen kur thotë se gjithsesi nuk duhet harruar, se një zgjidhje kaq radikale do të ishte jo e arsyeshme në kushte normale, pasi krijon tension të jashtëzakonshëm brenda sistemit gjyqësor, destabilizon punën e tij, shton mosbesimin e publikut mbi këtë sistem, heq vëmendjen e gjyqtarëve nga detyrat e tyre të përditshme dhe, si një masë mjaft e jashtëzakonshme, krijon riskun e kapjes së sistemit gjyqësor nga forca politike e cila kontrollon procesin. Partia Demokratike është pozicionuar qartë se zbatimi i rekomandimit 88 të Opinionit përfundimtar është e vetmja rrugë që shmang këtë rrezik që evidentohet edhe në këtë paragraf të opinionit paraprak të Komisionit të Venecias. Ndërsa Kryeministri Edi Rama tregoi vijën e kuqe, duke theksuar se nuk mund të ketë reformë në drejtësi duke pranuar “vendet e rezervuara” për institucionet e Vetingut. Por opozita ka deklaruar se vijën e kuqe mund ta përcaktojë vetëm Venecia, duke nënkuptuar kështu se ultimatumi apo paralajmërimi i bërë nga Kryeministri nuk merret parasysh.
Sigal