Rekomandimet e BE, Gjosha: Të jemi konkretë dhe të respektojmë afatet e përcaktuara

360
Ministrja e Integrimit Europian, Klajda Gjosha, ka zhvilluar sot një takim me të gjithë zv. ministrat anëtarë në Komitetin e Koordinimit Ndërinstitucional për Integrimin Europian. Ministrja Gjosha falenderoi të pranishmit në këtë tryezë, e cila u mblodh vetëm disa ditë pas publikimit të progres raportit dhe ka si synim përshpejtimin e procesit të integrimit europian. Ministrja e Integrimit Europian u shpreh se raporti i BE ndihmon për të parë nivelin në të cilin ne ndodhemi aktualisht dhe theksoi, përsëri rëndësinë e mirëleximit të rekomandimeve të lëna në raport, të cilat ndihmojnë vazhdimësinë në drejtimin e duhur të punës së ministrive përkatëse dhe nxit plotësimin e 5 prioriteteve sa më parë.

“Kërkoj nga të gjitha ministritë që janë pjesë e përmbushjes së 5 prioriteteve kyçe, të marrin në konsideratë të gjitha rekomandimet e lëna nga BE, të jemi konkret dhe të respektojmë afatet e përcaktuara në planet e punës”, tha ministrja Gjosha. Vëmendje e veçantë gjatë takimit iu kushtua përditësimit sa më të shpejtë të Planit Kombëtar të Integrimit Europian, përmbajtjeve të afateve të përcaktuar nga ministritë e linjës, pjesëmarrjen e rregullt të stafit përkatës në takimet organizuara të grupeve ndërinstitucionale të punës dhe koordinimin mes tyre për bashkëpunim sa më efektiv.

“Personat përgjegjës të cilët janë anëtarë të grupeve ndërinstitucionale të punës duhet të jenë prezent në çdo mbledhje. Ministria e Integrimit Europian do të zhvillojë trajnime dhe do ti ofrojë atyre asistencë të vazhdueshme në kuadër të përmirësimit dhe konsultimeve në ndihmë të procesit të integrimit” tha ministrja Gjosha.
Sigal