Refuzimi i 8-të/ Shqipëria në stol për çeljen e negociatave, propozimi i Macron nuk zgjidh ngërçin e Bullgarisë me Maqedoninë e Veriut

140
Sigal

Shqipëria është edhe një herë në ngërç për hapjen e negociatave. Megjithë zhvillimin në dukje pozitiv pas tërheqjes së Bullgarisë ndaj Veto-s ndaj Republikës së Maqedonisë së Veriut. Është kjo e fundit tashmë e cila duket se nuk do të lejojë që Propozimi i Presidentit francez Emannuel Macron të shkojë më tej. Kryeministri i RMV në një deklaratë pas mbylljes së punimeve në Samit deklaroi se BE po lejon ndikimin e vendeve të treta në Ballkanin Perëndimor. “Maqedonia e Veriut është kandidate prej 18 vitesh. Por jemi sot këtu dhe ende nuk kanë nisur negociatat. Kjo është goditje e besueshmërisë së BE. Vendi im dhe Shqipëria nuk mund të jenë të ngecura në këtë situate, sepse një vend i vetëm nuk bashkërendohet për zhbllokimin e rrugëtimit europian për ne. Ne iu jemi dedikuar fort reformave, tani është koha që BE të përmbushë premtimet e veta”,-tha Kryeministri i Dimitar Kovaçevski. Ndërsa shtoi “Negociatat duhet të nisin para ndryshimit të Kushtetutës sonë. Duhet siguruar që Bullgaria nuk do të bëjë kërkesa të reja. Propozimi i Francës është i papranueshëm për mua, për qytetarët, për të gjithë ne. U them qytetarëve se duhet të jenë në paqe dhe t’i siguroj se kemi vendosur interesat e vendit para të gjithëve”. Kovaçevski shtoi se tre shtetet nismëtare të Ballkanit të Hapur do ta çojnë përpara nismën, pas refuzimit të BE-së. Gjatë daljeve publike në samit Kryeministri shqiptar Edi Rama foli me tone të ashpra ndaj Bullgarisë duke u kërkuar me ngulm tërheqjen nga Veto dhe se ishte një turp që ata nuk e kishin tërhequr shumë kohë më parë, ose do të duhet të duronin atë për shumë gjatë. Por duket se deklarata e kryeministrit Rama nuk ka kaluar pa u vënë re e pa krijuar furtunat e zemërimit që nxisin kryesisht. Zëvendës kryeministrja e Bullgarisë, Cormelia Ninova ka reaguar pas deklaratave të Ramës duke i cilësuar ato si fyese dhe të papranueshme. ‘Deklaratat e Ramës fyese dhe të papranueshme, ne nuk jemi një turp. Bullgaria ka dinjitet. Ne mbrojmë interesat kombëtare, mbështesim vlerat evropiane”– ka thënë ajo. Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas lajmit se Kuvendi në Bullgari do të votojë propozimin e Presidentit të Francës, Emmanuel Macron për të arritur në një zgjidhje të ngërçit me veton ndaj Maqedonisë së Veriut. Përmes një postimi të bërë në rrjetin social ‘Tëitter’, Rama bën të ditur se u telefonua nga kreu i opozitës bullgare Boyko Borissov. Rama shprehet falenderues ndaj tij si dhe shton se partia e tij i ka shpëtuar fytyrën Bullgarisë dhe BE-së. Një tjetër reagim në lidhje me situatën erdhi nga Ministri i Jashtëm i RMV, Bujar Osmani, i cili duke komentuar faktin që Bullgaria mund të zhbllokojë negociatat, tha se secili shtet ecën me dinamikën e vet në këtë proces, por nënvizoi se Tirana dhe Shkupi duhet të jenë bashkë për të qenë një element i rëndësishëm gjeopolitik dhe për të ndihmuar njëra-tjetrën. “Nga draft propozimi francez, tri çështje mbeten të papranuara për Shkupin. interesat shtetërore nuk do të lëkunden derisa përfshirja e protokollit në kornizën negociuese do të hapte probleme të reja, të cilat do të çonin deri në ngrirjen e aktiviteteve të komisionit historik. Nëse fjala protokoll hiqet nga korniza, propozimi francez do të jetë i pranueshëm.”, tha Osmani. Por pavarësisht debateve dhe sinjaleve pozitive që u shuan po aq shpejt sa u shfaqën, Shqipëria është ende pa një përgjigjë që do i hapte dritën jeshile për integrimin në BE.