Refuzimi i 7-të i Shqipërisë/ Maqedonia e Veriut në ‘vorbull’ për propozimin e Macron, qeveria pro, opozita kundër për çeljen e negociatave me BE

153
Sigal

Gjatë kësaj jave pritet të mbahet konferenca ndërqeveritare për çështjen e çeljes së negociatave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Europian. Ministri i Punëve të Jashtme i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani deklaroi të shtunën se propozimi i modifikuar francez për zgjidhjen e kontestit mes Shkupit dhe Sofjes, e mbyll çështjen e identitetit dhe gjuhës maqedonase, të cilat, sipas tij pranohen si të tilla nga Bashkimi Evropian.“Bullgaria mund të mbajë qëndrimin e saj për gjuhën maqedonase, por kjo nuk do të jetë e pranueshme për BE-në në kuadër të negociatave. Propagandistët thonë se kjo është një qorrsokak, ne do të bullgarizohemi, por ne jemi këtu për të çmontuar narrativë të tillë,”- ka deklaruar Osmani duke sqaruar propozimin francez për të cilin në Maqedoninë e Veriut po zhvillohen konsultimet me të gjithë faktorët në vend. Osmani ka thënë se propozimi mund të kaloj vetëm me vendim të qeverisë pa pasur nevojë për votim nga Parlamenti, siç kishte deklaruar më parë kryeministri, Dimitar Kovaçevski. Për kreun e diplomacisë maqedonase, Bujar Osmani, “dallimi më i madh” ndërmjet propozimit të ri dhe atij të vjetër francez është se “gjuha maqedonase mbetet e mbrojtur në BE dhe propozimet e deritanishme si “gjuha e Maqedonisë së Veriut”, “gjuha sipas Kushtetutës” dhe shënimi me një yll se “gjuha maqedonase për Bullgarinë është e papranueshme, janë refuzuar”.

Ai tha se maqedonishtja njihet nga BE-ja dhe me procesin e anëtarësimit, do të bëhet një nga gjuhët zyrtare të BE-së. “Propozimi që ishte më herët parashikonte që fillimisht të miratohen ndryshime kushtetuese, pastaj të fillonin negociatat. Tani ka fillim të negociatave, konferencë të parë ndërqeveritare, hapja e negociatave, procesi i plotë i skriningut dhe para hapjes së kapitullit të parë, duhet ne të bëjmë ndryshime kushtetuese,”-ka theksuar Osmani. Lidhur me çështjen e gjuhës ka komentuar edhe kryeministri Dimitar Kovaçevski, i cili në rrjetet e sociale shkruan se gjuha maqedonase do të jetë gjuhë zyrtare e Bashkimit Evropian, pa kurrfarë shënimesh apo plotësime. “U paraqitën shumë gënjeshtra dhe spekulime në lidhje me propozimin francez. Dëshiroj të jem kristal i qartë: gjuha maqedonase është absolutisht e pastër dhe e barabartë me të gjitha gjuhët tjera në Evropë me këtë propozim. Gjuha maqedonase do të jetë gjuhë zyrtare e Bashkimit Evropian. Nuk ka shënim dhe plotësime, ato janë gënjeshtra,”- shkroi Kovaçevski. Propozimin francez për marrëveshje me Bullgarinë e sheh ndryshe opozita maqedonase, e cila ka vlerësuar të dëmshëm për interesat kombëtare dhe shtetërore maqedonase. Sipas VMRO DPMNE-së, propozimi i ri nuk dallon nga propozimi i parë, sa i përket çështjeve që kanë të bëjnë me gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike. “Gjuha maqedonase dhe identiteti jonë nuk njihen nga pala bullgare. Sipas tyre, ato kanë prejardhje bullgare. Për të gjitha personalitetet historike do të themi se janë bullgarë,”– ka thënë VMRO DPMN-ja. Madje kanë paralajmëruar edhe protesta për qeverinë. Por nuk janë të vetmit kundër, në rrjetet sociale ka reaguar edhe ish-presidenti i Maqedonisë së Veriut, Xhorxh Ivanov, i cili kundërshton propozimin francez. “Si ish-president, i cili për 10 vjet ishte dëshmitar dhe kundërshtar i fortë i të gjitha lojërave të ndyra për shkatërrimin e Republikës së Maqedonisë, bëj thirrje që propozimi francez të refuzohet. Me një “vendim” të tillë, Republika e Maqedonisë do të zhytet në një humnerë juridike, politike dhe historike. Populli maqedonas përsëri është dëshmitar i tradhtisë kombëtare. Dinjiteti njerëzor dhe të drejtat e fituara janë vijat e kuqe që nuk duhen kapërcyer. Për to nuk diskutohen apo negociohen. Mosbindja është e vetmja rrugëdalje. Mbrojtja e Maqedonisë është përgjegjësi e secilit prej nesh. Rroftë Republika e Maqedonisë”, shkruan Gjorgje Ivanov. Nga qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë deklaruar se propozimi francez është i përshtatshëm pasi në të nuk ka shënime që vendosin pikëpyetje mbi gjuhën maqedonase, por qëndrimi i tyre do të zyrtarizohet pasi propozimi të kalojë në të gjitha filtrat. Bullgaria në vazhdimësi ka insistuar se gjuha maqedonase është një dialekt i gjuhës bullgare, sikur edhe identiteti i saj, që sipas Sofjes ka “rrënjë bullgare”. Po ashtu, Bullgaria me propozimin e parë të Francës ka insistuar edhe në përfshirjen e pakicës bullgare në kushtetutën e Maqedonisë së Veriut para se të nisin bisedimet e anëtarësimit, por me modifikimin e propozimit, sipas Ministrit Osmani, kjo do të ndodhë para hapjes së kapitullit të parë të bisedimeve. Në vitin 2020, Bullgaria vendosi VETO-n duke bllokuar fillimin e bisedimeve të pranimit në BE për Maqedoninë e Veriut mbi mosmarrëveshjet historike midis dy vendeve. Kushtet e Bullgarisë për heqjen e saj ishin respektimi i qëndrimit kornizë, përfshirja e bullgarëve në Kushtetutën e RMV-së, në mënyrë që të mbrohen të drejtat e tyre dhe së treti, të zbatohej marrëveshja e fqinjësisë. Ndërkohë një javë më parë parlamenti bullgar tentoi të hiqte pengesën, por propozimi i qeverisë në ikje u refuzua në mbledhjen e Komisionit për punët e jashtme. Bllokada bullgare ndaj Maqedonisë së Veriut ka lënë në harresë aspiratat e Shqipërisë për në BE, pasi shumica e vendeve të BE-së këmbëngulin që Shkupi dhe Tirana të vazhdojnë rrugën e tyre drejt anëtarësimit së bashku.