Reformim i drejtësisë apo favorizim i klaneve për të kapur drejtësinë!?

489
Reforma në drejtësi e përgatitur nga SOROS dhe e rrëzuar nga Venecia shkelje e hapur e Kushtetutës
Ambasadori Lu: Prokurori ka folur me zë të lartë kundër reformës në drejtësi
Prokurori Llalla: Presion ndaj Prokurorisë për të mos hetuar disa kompani, që kanë shkelur ligjet.
Rex Tillerson: Bindjet personale të diplomatëve nuk duhet të pengojnë punën e DASH
Pas dorëheqjes së Ministrit Manjani dhe deklaratave të tij bombastike flirtimet e ministrave, për korrupsionin me tenderët, koncesionet dhe falsifikimet një tjetër konflikt i hershëm ka nxehur situatën politike në Shqipëri. Janë debatet mes Ambasadorit Donald Lu dhe Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës së Shqipërisë Adriatik Llalla. Çuditërisht në këtë situatë të rënduar dhe të krijuar nga ambasadori Donald Lu që fatkeqësisht duhet thënë se i ka ulur shumë kredencialet e tij personale, Kryeministri Rama niset në Kosovë. Rastësi apo e qëllimshme largimi i Ramës, kur veç debatit LU-Llalla, sot ishte edhe mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Një pjesë e analistëve aludojnë se këto ngjarje kanë lidhje më njëra tjetrën dhe se pas Ramës, ambasadorit Lu fshihet dora e zezë e SOROS. Për të qenë transparent po botojmë atë çka ndodhi dje minutë pas minute në debatin e nisur jo rastësisht nga ambasadori Lu në Konferencën “Ne populli: Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë”. Ajo që bie në sy dhe që ka filluar të analizohet me imtësi ka të bëjë me faktin se edhe në Maqedoni është e njëjta situatë dhe e njëjta dorë e klanit ogurzi të ‘SOROS-it”. Në lidhje me këtë situatë po dje Sekretari i ri i Departamentit Amerikan të Shtetit Rex Tillerson ka shprehur qëndrimin e tij në lidhje me qëndrimin e disa ambasadorëve në disa shtete të botës ,ku edhe rasti i ambasadorit të Maqedonisë, por edhe konflikti që ka lindur prej kohesh dhe që shpërtheu dje nga deklaratat e ambasadorit Donald Lu. Ja deklarata e plotë e Sekretarit të DASH.
Rex Tillerson: Bindjet personale të diplomatëve nuk duhet të pengojnë punën e DASH
Krye diplomati i ri amerikan Rex Tillerson u tha sot punonjësve të Departamentit të Shtetit se diplomatët duhet të lejohen të shprehin mendimet e tyre politike, por shtoi se “nuk mund të lejojmë që bindjet tona personale të pengojnë aftësinë për të punuar si ekip.” Këtë javë rreth një mijë zyrtarë të Departamentit të Shtetit nënshkruan një MEMO ku shprehin kundërshtimin ndaj urdhrit të Presidentit Donald Trump për të ndaluar përkohësisht hyrjen e njerëzve nga shtatë vende me shumicë myslimane. Zoti Tillerson u tha punonjësve se do të përqafojë “disa parime bazë” të llogaridhënies, ndershmërisë dhe respektit për të garantuar se Departamenti i Shtetit do të funksionojë “në mënyrën më produktive dhe më të efektshme të mundur.” Në postin e ri, zoti Tillerson do të përballet me një numër sfidash globale që i trashëgon nga administrata e kaluar, si lufta civile në Siri, rritja e aftësive bërthamore të Koresë së Veriut dhe shtimi i agresivitetit të Kinës dhe Rusisë.
Fjala e Ambasadorit Donald Lu në Konferencën “Ne populli: Pjesëmarrja Qytetare dhe Demokracia e Drejtpërdrejtë” (2 shkurt 2017)
Nëse ne, shoqëria civile, partnerët ndërkombëtarë dhe media nuk jemi sy shqiponja, politikanë, gjykatës, prokurorë të korruptuar dhe krerë të krimit do të përpiqen t’i vjedhin këto zgjedhje, reformën në drejtësi dhe gjithçka tjetër në ekonominë e vendit. Këta persona janë veçanërisht të frikësuar nga vëzhguesit vendorë të zgjedhjeve dhe ata që mbrojnë demokracinë e drejtpërdrejtë. Ju flisni shqip. Ju kuptoni kontekstin politik. Dhe keni mësuar marifetet e partive politike. Ju të shoqërisë civile dhe të medias jeni rojtarët. Kjo nuk është detyrë për amatorë. Nuk është pa kosto. Nuk është pa rreziqe. Që të keni efekt, ju duhet mbështetje politike dhe financiare. Ju duhet përvojë, besueshmëri dhe mbi të gjitha, ju duhet kurajë. I njëjti sy-shqiponje është i nevojshëm për reformën në drejtësi. Po shohim tashmë njerëz të fuqishëm që përpiqen të ruajnë kontrollin e tyre mbi gjykatat dhe prokurorët. Shembulli më i fundit për këtë është veprimi i Prokurorit të Përgjithshëm të Shqipërisë. Për më shumë se 18 muaj, ai ka folur vazhdimisht dhe me zë të lartë kundër reformës në drejtësi. Në muajt nëntor dhe dhjetor, prokurorët u përpoqën dhe dështuan të sekuestronin serverin e kompjuterëve të ILDKPKI, që është jetik për vettingun. Të premten e shkuar, siç kërkohet nga Kushtetuta e re, u hodh shorti për anëtarët e Këshillit të ri të Emërimeve në Drejtësi, njëri prej disa institucioneve të reja që do të mbrojnë pavarësinë e gjyqësorit. Shorti u drejtua siç duhet nga Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, por Prokurori i Përgjithshëm dhunoi frymën e Kushtetutës duke dërguar një listë me vetëm tre prokurorë për të plotësuar tre pozicione. Kushtetuta është e qartë që këta anëtarë të Këshillit duhet të përzgjidhen me short. Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë dhe Këshilli i Lartë i Drejtësisë dorëzuan secili lista më të gjata me persona të kualifikuar për pozicionet në Këshill. Në dallim me to, Prokurori i Përgjithshëm i zgjodhi vetë të tre pozicionet e prokurorisë duke dërguar një listë me vetëm tri emra, përzgjedhur pa transparencë, për të plotësuar tre poste. Fatmirësisht, ata ekspertë shqiptarë dhe ndërkombëtarë që e hartuan këtë reformë parashikuan që njerëz të fuqishëm do të përpiqeshin t’i manipulonin këshillat. Në Kushtetutë thuhet qartë se anëtarët e këtij Këshilli të Emërimeve në Drejtësi duhet t’i nënshtrohen menjëherë vettingut. Disa anëtarë të Këshillit kanë dhënë dorëheqjen këtë javë, në vend që të përballeshin të parët me vettingun. Ne do të ndjekim nga afër për të parë nëse Komisionet e Vettingut do t’i përmbahen kësaj kërkese kushtetuese dhe nëse të gjithë anëtarët e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi do ta kalojnë procesin e vettingut. Populli shqiptar duhet t’i tregojë këtyre njerëzve të fuqishëm që po vëzhgon. Partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë do t’i mbështesin përpjekjet e tyre. Javën e ardhshme, do të mbërrijnë gjykatës dhe prokurorë amerikanë dhe nga BE-ja, për fillimin e Operacionit Ndërkombëtar të Monitorimit. Së pari do të ndihmojnë Kuvendin të vlerësojë kandidatët për Komisionet e Vettingut. Më pas, do të shërbejnë si monitorues në secilin prej Komisioneve të Vettingut për t’u siguruar që kjo reformë do të kryhet pa lejuar anësi politike dhe pa toleruar korrupsion apo paaftësi profesionale. U bëjmë thirrje shqiptarëve patriotë, të kualifikuar, që të aplikojnë për të shërbyer në Komisionet e Vettingut. Faqja e internetit e Avokatit të Popullit përmban të gjitha hollësitë për aplikimin. Mesazhi im sot është i qartë. Shtetet e Bashkuara i kanë sytë këtu, edhe Bashkimi Evropian dhe vendet e tij anëtare, edhe OSBE-ja, edhe Këshilli i Evropës. Më e rëndësishmja, populli shqiptar dhe shoqëria civile duhet të rrinë syhapur për të parandaluar që njerëz të fuqishëm ta vjedhin demokracinë tuaj.
Reagimi i Prokurorisë së Përgjithshme
Ambasadori Lu, shantazhon institucionin e Prokurorisë për mbyllje hetimesh apo me heqje vizash
Prokuroria e Përgjithshme është gjendur ditën e sotme në një sulm të hapur dhe të paprecedent nga ambasadori aktual në Tiranë, z. Donald Lu, lidhur me qëndrimet e institucionet për sa i përket Reformës në Drejtësi dhe kandidaturave për anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Dëshirojmë të njoftojmë median dhe, nëpërmjet Jush, edhe opinionin publik shqiptar se, këto sulme tërësisht jo-diplomatike nuk janë aspak të reja për institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme. Sa i përket Reformës në Drejtësi, Prokuroria e Përgjithshme dhe prokurorët kanë mbështetur që në fillimet e saj nevojën për reformim. Në qëndrimet zyrtare dhe publike, Prokuroria ka identifikuar problematika në draftet kushtetuese dhe ligjore, për të cilat ka shprehur qëndrimet e saj parimore dhe në frymën e së drejtës. Duhet theksuar se këto qëndrime kanë gjetur mbështetjen e plotë në Opinionin e Komisionit të Venecias, i cili, siç dihet tashmë, ka rrëzuar një pjesë të konsiderueshme të drafteve të propozuar nga ekspertët e huaj, të mbështetur publikisht nga Ambasadori Lu. Sa i përket procedurës së kandidimit të anëtarëve për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, ftojmë zotin Lu dhe ekspertët e tij të rilexojnë ligjin përkatës mbi kriteret e anëtarëve të këtij institucioni. Është shumë e rëndësishme që ambasadori Lu të lexoj variantin zyrtar, si në shqip, ashtu edhe në anglisht. Prokuroria e Përgjithshme i bën të qartë zotit Lu se, nëse është mësuar të jetë zot në ambientet e politikës shqiptare, këtë nuk mund ta realizojë me institucionin e Prokurorisë. Për fat të keq, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë ka shumë paqartësi brenda, të cilat kanë shkaktuar kaos institucional të papranueshëm.
Zoti Lu mendon se ka në dorën e tij fatin e Prokurorisë kur shantazhon institucionin për mbyllje hetimesh apo me heqje vizash. Duhet ta ketë të qartë ai dhe kushdo tjetër që, për të përmbushur detyrimet kushtetuese dhe ligjore, prokurorët e Republikës nuk kanë nevojë për viza. Këto presione të Ambasadorit Amerikan në Tiranë janë tipike sorosiane, të cilat kërkojnë të manipulojnë opinionin publik dhe të zhvlerësojnë institucionet. 
Ky reagim i Ambasadorit Amerikan në Tiranë, Donald Lu, vjen menjëherë pasi Prokuroria e Përgjithshme njoftoi zyrtarisht krerët më të lartë të shtetit shqiptar, Presidentin e Republikës dhe Kryetarin e Kuvendit të Shqipërisë, mbi presionet dhe shantazhet e vazhdueshme të ambasadorit Lu kundrejt institucionit. Duke kërkuar mirëkuptimin Tuaj për kohën, dëshirojmë t’Ju prezantojmë letrën e plotë që u është dërguar autoriteteve më të larta shtetërore shqiptare për veprimet jo-diplomatike të Ambasadorit Lu. 
Letra që Kryeprokurori Adriatik Llalla i dërgoi Presidentit të Republikës, Bujar Nishani
Drejtuar: SH.T.Z. Bujar NISHANI 
President i Republikës
Z. Ilir META
Kryetar i Kuvendit
T I R A N Ë
Të nderuar Zotërinj,
Ju informoj se Prokuroria e Përgjithshme e Republikës gjendet gjatë ditëve të fundit nën një presion të hapur nga ana e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri.
Nëpërmjet një lëvizje aspak diplomatike, Prokurorit të Përgjithshëm, i është anuluar viza diplomatike, si edhe disa prokurorëve të lartë ju janë anuluar gjithashtu vizat e dhëna nga kjo ambasadë konform rregullave të parashikuara nga ligjet e këtij shteti. Në vlerësimin e Prokurorisë së Përgjithshme, kjo lëvizje, për të cilën ritheksojmë që është aspak diplomatike, ka disa arsye, të cilat lidhen me qëndrime dhe përfitime personale të Ambasadorit të SHBA në Tiranë, z. Donald Lu. Pak javë më parë, Ambasada e SHBA në Tiranë njoftoi Prokurorin e Përgjithshëm se është anuluar viza diplomatike e tij dhe e bashkëshortes së tij. Si shkak për këtë veprim tërësisht në kundërshtim me frymën e bashkëpunimit, ka shërbyer një udhëtim për arsye shëndetësore në SHBA, i bashkëshortes së Prokurorit të Përgjithshëm. Ky veprim i Ambasadorit Lu është vijim i sjelljeve shantazhuese që ai ka prezantuar ndaj institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme. Prej kohësh, z. Lu, duke u prezantuar si nxitës i Reformës në Drejtësi në Shqipëri, ka kërkuar me presion që Prokuroria e Përgjithshme të mbajë qëndrime hapur pro paketës ligjore, edhe në ato raste kur projektet ligjore, siç ka rezultuar më pas nga Opinioni i Komisionit të Venecias, kanë qenë tërësisht në kundërshtim me normat kushtetuese, si edhe me respektimin e të drejtave të njeriut.
Në komunikimet zyrtare dhe informale, Ambasadori Lu ia ka bërë të qartë Prokurorit të Përgjithshëm se, nëse nuk do të mbronte publikisht ndryshimet ligjore, do të kishte pasoja personale dhe institucionale. Gjithashtu, Ambasadori Lu, në më shumë se njëherë, ka ushtruar presion ndaj Prokurorisë së Përgjithshme për të mos vijuar hetimet ndaj disa kompanive, për të cilat kanë ekzistuar dyshimet se kanë shkelur ligjet shqiptare. Rasti më flagrant, i cili është i dokumentuar me shkresë zyrtare, i bere publik edhe ne media, i referohet ndërhyrjes së drejtpërdrejtë të Ambasadorit të SHBA në Tiranë, në hetimin që Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Fier nisi ndaj kompanisë së naftës “Bankers Petroleum”. 
Kjo kompani akuzohej nga mediat dhe banorët e zonës ku ushtron aktivitetin se u kishte sjellë dëme të pariparueshme në pasuritë dhe shëndetin e tyre. Për këtë rast, Ambasadori Lu ka kërkuar, në kundërshtim me çdo lloj komunikimi diplomatik dhe ligjor, që hetimi të mos vijonte, pasi pasojat do të godisnin në mënyrë të drejtpërdrejtë Prokurorin e Përgjithshëm.
Të nderuar zotërinj,
Ambasada e SHBA në Tiranë i ka revokuar vizën, ndër të tjerëve, edhe Drejtorit të Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, njëkohësisht edhe drejtues i Sektorit të “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme. Drejtori, i vetmi prokuror magjistrat në Prokurorinë e Përgjithshme, ka mbajtur qëndrime thellësisht profesionale sa i përket paketës ligjore të Reformës në Drejtësi, si edhe ka shprehur opinione për disa problematika në prani të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, si edhe ekspertëve të tjerë vendas dhe të huaj. Prokuroria e Përgjithshme vlerëson se edhe veprimi aspak diplomatik ndaj prokurorëve është një reagim ndaj qëndrimeve parimore të tyre, të cilat nuk përkonin plotësisht me projektet ligjore të mbrojtura nga Ambasadori dhe disa prej ekspertëve të tjerë, vendas apo të huaj. Prokurori në fjalë, është një ndër zyrtarët më të rëndësishëm të Prokurorisë Shqiptare, sa i përket bashkëpunimit ndërkombëtar, sidomos në luftën kundër terrorizmit global dhe krimit të organizuar trans-nacional. Gjithashtu në drejtim të strukturës shumë të rëndësishme të “Dekriminalizimit” në Prokurorinë e Përgjithshme, e cila tashmë ka nisur të japë rezultate konkrete në përjashtimin të disa deputetëve nga Kuvendi i Shqipërisë, si edhe të zyrtarëve të lartë nga administrata shtetërore, të cilët rezultojnë të përfshirë në veprimtarinë e krimit të organizuar brenda dhe jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë. Kjo strukturë po vijon me veprimet e saj dhe rezultatet do të prekin edhe deputetë të tjerë të Kuvendit të Shqipërisë, kryesisht persona të cilët Ambasadori Amerikan në Tiranë i ka shantazhuar publikisht dhe privatisht për të siguruar vota parlamentare për kalimin në parlament të projektit të mbështetur prej tij për Reformën në Drejtësi, ku, mesazhe telefonike të dërguara nga kjo Ambasadë, janë bërë publike edhe në media. Ju informojmë gjithashtu se përfaqësuesi i Prokurorisë së Përgjithshme ishte kandidaturë dhe tashmë është zgjedhur si anëtar i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED). Një ditë para hedhjes së shortit nga Kuvendi i Shqipërisë për përzgjedhjen e anëtarëve të KED, për shkak të mungesës së konkurrencës, kandidati i vetëm për anëtarin nga Prokuroria e Përgjithshme në këtë strukturë, thirret me urgjencë nga konsulli në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Prokurori gjendej në një takim të IPA 2014, Rrjetit të Prokurorëve të Ballkanit, i cili zhvillohej në Gjermani dhe u detyrua të rikthehej me urgjencë, duke vlerësuar se, për shkak të pozicionit të si Drejtor i Marrëdhënieve Juridiksionale me Jashtë, mund të ishin temë diskutimi çështje me rëndësi ndërkombëtare, përfshirë edhe terrorizmin. Në takimin në Ambasadën Amerikane, Prokurori çuditërisht, nuk u prit nga konsulli, por nga një tjetër punonjës, i cili, pa dhënë asnjë shpjegim, i komunikoi asaj vendimin për revokimin e vizës amerikane. Fakti që Prokuroi u kërkua me urgjencë në Ambasadën Amerikane, vetëm një ditë para hedhjes së shortit për përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, vlerësohet si një manovër aspak diplomatike, për të ushtruar shantazh ndaj përfaqësuesit të Prokurorisë, por edhe institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme, për interesa të segmenteve të caktuara politike që synojnë kapjen e institucioneve të drejtësisë. Në vijim, Ju informojmë gjithashtu, se Ambasada Amerikane në Tiranë u ka revokuar vizën edhe disa zyrtarëve të tjerë të lartë të Prokurorisë, të cilët kanë nën hetim persona me pushtet në Shqipëri, të cilët njihen publikisht si faktorë bashkëpunues të Ambasadorit Amerikan në Tiranë, z. Donald Lu. Këta persona, të cilët gëzojnë mbështetjen e Ambasadorit Amerikan, janë pjesë e segmenteve të caktuara të politikës, por që ka dyshime që janë të lidhur edhe me botën e krimit të organizuar, të cilët po tentojnë në çdo formë për të deligjitimuar, shantazhuar dhe paralizuar institucionin e Prokurorisë. Kjo sjellje kundër institucionit të Prokurorisë, e cila po agravohet edhe me ndërhyrjen aspak diplomatike të Ambasadorit Lu, është në vijim të sulmeve të hapura kundër të gjithë trupës së prokurorëve gjatë dy viteve të fundit, kohë në të cilën është diskutuar mbi Reformën në Drejtësi.
Qëndrimet e ditëve të fundit të Ambasadori Lu, lidhur me revokimin e vizave, i shohim si kundërvënie ndaj qëndrimeve profesionale të trupës së prokurorëve ndaj drafteve ligjore për Reformën në Drejtësi, të mbrojtura nga Ambasadori Amerikan në Tiranë. Vlen të theksojmë se, shumë prej problematikave të prezantuara nga Prokuroria, u konsideruan të tilla dhe u korrigjuan edhe nga Komisioni i Venecias, i cili u investua për të dhënë opinion nga palët politikë në Shqipëri. Pra, nuk hezitojmë të shprehemi se, sjellja e Ambasadorit Amerikan në Tiranë mund të konsiderohet edhe si një hakmarrje e tij personale për qëndrimet parimore të Prokurorisë së Përgjithshme. Gjithashtu, nuk hezitojmë të shprehemi se, kjo sjelle jo-diplomatike nga ana e Ambasadori Lu është rrjedhim i shantazheve të papranuara nga ana e Prokurorisë lidhur me disa çështje konkrete hetimi, për të cilat dukshëm ai ka pasur interesa thellësisht personale.
Të nderuar zotërinj,
Prokuroria e Përgjithshme dhe Prokurori i Përgjithshëm në veçanti, Ju sigurojnë se institucioni do të vijojë të përmbushë me korrektesë maksimale detyrimet e saj që rrjedhin nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë dhe legjislacioni përkatës. Ju sigurojmë se institucioni i Prokurorisë nuk do të shantazhohet nga asnjë faktor, vendas apo i huaj, në përmbushjen e detyrimeve të saj kushtetuese dhe ligjore. Institucioni ynë është i vetëdijshëm se, me afrimin e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri, të cilat zhvillohen në Qershor 2017, segmente të ndryshme politike, të mbështetur edhe nga faktorë të jashtëm të lobuar, do të tentojnë të ushtrojnë presion ndaj Prokurorisë dhe Prokurorëve të Republikës. Ju garantojmë se do të merret çdo masë, për aq sa i takon institucionit, që të sigurohet vota e lirë. Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të ndjekë me përparësi të veçantë zbatimin e ligjit “Për Dekriminalizimin”, me qëllimin e vetëm për të siguruar pastërtinë më të lartë të Parlamentit dhe Administratës Publike Shqiptare. Gjithashtu, Prokuroria e Përgjithshme do të vijojë të mbështesë zbatimin e Reformës në Drejtësi, larg çdo presioni e shantazhi që synon deformimin dhe kapjen e institucioneve të drejtësisë.
Duke Ju falënderuar për mirëkuptimin Tuaj,
PROKURORI I PËRGJITHSHËM
ADRIATIK LLALLA
Sigal