Reformat që duhet të merrni në Shqipëri, kanë të bëjnë më shumë me  problemet e zbatimit të ligjit

286

Intervistë ekskluzive për “Telegraf” me Robert Wilton zv/Ambasador i OSBE-së në Shqipëri: Interesat e shqiptarëve përfaqësohen  nga deputetët më mirë në Kuvend.

Në konferencën “Për të drejtat e minoritarëve” që organizoi Avokati i Popullit me Shoqërinë Civile, zv/ambasadori i OSBE-së në Shqipëri, Robert Wilton, foli shqip, duke përcjellë te të pranishmit, drejtpërdrejt mesazhet e mirëkuptimit. Zoti Wilton, me mirësjellje, iu përgjigj ftesës së gazetës “Telegraf” për të dhënë intervistën, dhe me shqipen e folur na pohoi që veç diplomacisë, ai u ka kushtuar shqiptarëve edhe një libër, si është edhe përkthyes i poezisë shqipe në anglisht. Si misionar i OSBE-së, zoti Wilton, theksoi në dy probleme shqetësimin për aktualitetin politik në Shqipëri, në mënyrë që, siç përmendi zoti Wilton, demokracia të mirëfunksionojë. Interesat e shqiptarëve nga përfaqësuesit që ai voton, përfaqësohen më mirë në Kuvend, dhe se reformat që duhet të ndërmarrë Shqipëria, më shumë kanë të bëjnë më zbatimin e ligjit.

– I nderuar Ambasador, e keni kuptuar përse maxhoranca dhe opozita  këtu në Shqipëri nuk ulen të dialogojnë dhe të bashkëpunojnë edhe për çështjet e prioriteteve, që na ka kushtëzuar BE-ja për integrimit e Shqipërisë? Ku është vështirësia, sipas jush?

– Kemi dëgjuar nga  të dy palët (edhe nga maxhoranca edhe nga opozita) që kanë përkushtim për integrim në Bashkimin Europian. Unë nuk mundem që të flas për ata dhe kjo është një pyetje për maxhorancën dhe opozitën tuaj. Ne besojmë që integrimi për në BE është një rrugë pozitive për Shqipërinë. Në të  njëjtën kohë, ne besojmë që interesat e Shqipërisë dhe të qytetarëve të Shqipërisë do të kishin qenë më mirë të përfaqësuara në një demokraci që funksionon më së mbari, dhe që çdo përfaqësues i popullit i përfaqëson qytetarët më mirë në Kuvend. Edhe për ne, kështu ka domethënie një demokraci mirëfunksionuese.

– Pas marrjes së statusit kandidat i BE nga Shqipëria, ju a shikoni, dhe nëse po, ku e shikoni progresin e Shqipërisë për të qasur edhe më afër kohënisjen e negociatave për anëtarësim të plotë në BE?

– Për këtë pyetje duhet të flisni me delegacionin e BE-së në Shqipëri, nuk mund të bëj unë asnjë koment. Ne si OSBE shikojmë shenjat e fillimit të progresit në disa fusha të ndryshme – p.sh. në mirëqenien shoqërore;  por shpalljet dhe fjalët duhet të bëhen ndërrim konkret dhe të qëndrueshëm. Keni djegur fidanë kanabis, por ku janë autorët? Ku janë kapot e drogës? Ne jemi të bindur, si komuniteti OSBE – dhe kuptohet që edhe Shqipëria është  anëtare e OSBE-së – të vazhdojë këtë progres me përpjekje të përbashkëta dhe kjo realizohet  e konkretizohet me progresin dhe stabilitetin e Shqipërisë.

– Reformat e rëndësishme që ndërmerr maxhoranca, apo që do të ndërmarrë, që kanë lidhje me prioritetet e BE-së për integrim, a kanë sens, a kanë vlerë nëqoftëse ato miratohen vetëm me 84 vota në parlament, por nuk kanë votëbesimin edhe të opozitës

– Po flasim për mirëfunksionimin e demokracisë dhe Parlamenti i Shqipërisë ka rregullat e veta. Kështu funksionon demokracia me maxhorancë në shumë parlamente në botë. Unë ju ritheksoj qëndrimin tim që do të ishte një debat më i shëndetshëm, nëqoftëse do të kishte përfshirë të gjithë përfaqësuesit ë qytetarëve të Shqipërisë. Nuk po flas për legjitimitetin e vendimeve të Kuvendit, por vetëm doja të sugjeroja, që do të kishte qenë një debat më i fortë me përfaqësimin e të gjithëve, nëse çdo përfaqësues i popullit do të kishte qenë në Kuvend. Dhe unë shpresoj përzemërsisht, që sa më shpejt të keni arritur këtë progres.

Kur ju, ndërkombëtarët (edhe tani), na thoni “të ndërmerrni reforma”, kuptoni  ndryshime që përmirësojnë legjislacionin tonë, apo kërkoni të ndërmerren veprime konkrete?

– Nëse u referohemi kërkesave dhe shpalljeve  të vazhdueshme të OSBE-së në këtë drejtim, ne kemi qenë shumë të qartë publikisht dhe kemi thënë të njëjta gjera me përfaqësuesit e politikës, që ne besojmë se këtu në Shqipëri kërkohet një reformë e bashkërenduar, thelbësore dhe gjithëpërfshirëse. Kjo ka domethënie që ende keni nevojë për përmirësim ligjor, por ka të bëjë më shumë me zbatimin e ligjit dhe me reformat e zakoneve në institucione. Sipas meje, një reformë që ka të bëjë vetëm me legjislacionin, ka të bëjë dhe do të mbetet vetëm me sipërfaqen e gjërave. Ligji është kot nëse zyrtari është i korruptuar ose jokompetent. Problemet, më shumë janë me zbatimin e ligjeve dhe ne jemi përkushtuar në të gjitha programet tona, ta vazhdojmë partneritetin me institucione dhe partneritetin me shoqërinë civile, të ndihmojmë në përmirësimin dhe ngritjen e standardeve në nivelin funksionues. Për shembull, në projektet tonë në gjykatëset, në ndihmesën që u japim gjyqtarëve dhe prokurorëve në terren në Shqipëri, ne po mbështetim mirëfunksionimin e drejtësisë në terren, ku qytetari ballafaqohet me drejtësinë dhe jo vetëm me legjislacion. Ky është qëllimi ynë, për një reformë gjithëpërfshirëse dhe e kompletuar.

– Po shoqëria civile këtu te ne,  ju si e konceptoni, a e ka rolin rolin pozitiv dhe a ka ndikim në vendimmarrjen e politikës?

– Shoqëria civile e ka, dhe duhet të ketë edhe më shumë. Në një demokraci mirë funksionuese, shoqëria civile ka rolin e pashmangshëm dhe esencial. Palët duhet të konsultohen për përgatitjen e ligjeve dhe në zbatimin e ligjeve dhe në debat demokratik të vazhdueshëm. Ne si OSBE përpiqemi që ta përgatisim dhe ta rrisim kapacitetin e shoqërisë civile në Shqipëri, nëpërmjet programeve të ndryshme, me minoritetet, me gruan, me fëmijët, me personat me aftësi të kufizuar, meqenëse të gjithë këta duhet të kenë një rol edhe më të fortë. Duhet të përfshihen edhe më fort në debatin e dialogun në Shqipëri. Kjo është një përgjegjësi e dyfishtë. Edhe institucionet duhet të dëgjojnë dhe të kenë më shumë vëmendje për shoqërinë civile, por, njëkohësisht, edhe shoqëria civile duhet të jetë më e fortë. Me zë më të lartë.

Ju faleminderit!

– Edhe unë ju falënderoj dhe ju uroj punë të mbarë!

Jakup B. GJOÇA