Reforma zgjedhore, PD refuzon takimin Rama-Basha

471
Partia Socialiste kërkoi që diskutimi për reformën zgjedhore të fillojë me një takim politik të nivelit të lartë, por kjo është refuzuar nga opozita. Shumica parlamentare kërkoi organizimin e një tryeze politike, ku të marrin pjesë kryetarët e partive kryesore parlamentare në vend, por demokratët janë shprehur kundër kësaj ideje. “Dua të shpreh dëshirën tonë për të institucionalizuar një tryezë politike të një niveli të lartë, e cila të adresojë të gjitha çështjet që na bashkojnë, por edhe ato që sot na ndajnë, por që duhet të na bashkojnë në interes të integrimit evropian të Shqipërisë. Kjo tryezë duhet të përmbajë partitë më të rëndësishme politike të vendit dhe, sigurisht, që përfaqësimi i tyre të jetë në nivelin më të lartë, me kryetarin e partisë. Në këtë tryezë ne të fillojmë të identifikojmë pikë së pari gjërat që na bashkojnë, por duhet ta themi që Partia Socialiste nuk mund të jetë shtojcë funksionale e agjendës së PD-së. Nuk mund të ulesh në një tryezë për të bashkëpunuar me kushte. Është në interesin e Shqipërisë, të integrimit evropian të vendit, që ne të institucionalizojmë tryezën e dialogut politik konstruktiv”, deklaroi Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS-së.

Megjithatë përgjigjja e demokratëve ka qenë e menjëhershme. Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Edmond Spaho, tha pas mbledhjes së konferencës së kryetarëve se kërkesa del jashtë kontekstit për të cilin ishte thirrur mbledhja, që kishte në rendin e ditës çështjen e reformës zgjedhore. Spaho tha, se ka kërkuar që Parlamenti të fokusohet në këtë çështje për ta vënë në lëvizje sa më parë. Ai përmendi edhe marrëveshjen e 18 majit, që sipas demokratëve, është shkelur nga kryeministri Rama. Ndërkohë, Kuvendi pritet të miratojë ngritjen e komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, pas kërkesës së PD-së.
Sigal