Reforma territoriale gati! Qeveria i çon Kuvendit projektin për votim

471
Sigal

TIRANE – Qeveria i dorëzon Kuvendit projektin e plotë të reformës territoriale, pas miratimit të variantit përfundimtar të hartës së re territoriale të Shqipërisë me 61 bashki, nga komisioni i posaçëm parlamentar i ngritur për këtë reformë. Ministri i Shtetit për Çështjet Vendore, Bledi Çuçi në një deklaratë për mediat nga kryeministria, tha se pasi komisioni të hartojë draftin final, gjithcka është gati për të vijuar me marrjen e vendimit përfundimtar për këtë ndarje, nga Parlamenti. “Sot Këshilli i Ministrave miratoi projektin për ndarjen e re administrativo territoriale sipas propozimit të bërë nga komisioni i posaçëm. Qëndrimi për reformën është i qartë dhe i prerë në mbështetje të propozimit të ardhur nga një punë kolosale e komisionit. Projekti për ndarjen e re me 61 bashki që ka dalë pas një analize të plotë në bazë të kritereve të miratuara nga komisioni. Së bashku me relacionin Këshilli i Ministrave do të dërgojë në Kuvend materialet që kanë të bëjnë me analizën funksionale të të gjithë bashkive të prozuara për hartën e re si dhe me dokumentacionin e plotë që lidhet me konsultimet”, tha Cuci. Ai përsëriti qëndrimin e qeverisë, se Himara është e Shqipërisë dhe ndaj do të qëndrojë si bashki, ndërsa përmendi se përjashtim bëjnë vetëm 3 zona minoritare të cilave i është ruajtur identiteti si të tilla. “Himara një nga 58 zonat funksionale, Himara është e Shqipërisë, përvec 3 zonave minoritare që i kemi ruajtur këtyre zonave. Himara është krijuar si një bashki e ardhshme, është shqiptare”, u shpreh ministri Cuci. Varianti përfundimtar i hartës së re territoriale të Shqipërisë u miratua më 17 Korrik në komisionin parlamentar për këtë reformë, ku pjesmarrjen e vetme nga opozita e pati Shpëtim Idrizi i PDIU-së. Pas shprehjës së qeverisë për këtë variant, komisioni do të hartojë draftin final, të cilin do ta dërgojë për miratim në parlament në seancën e 31 korrikut, kohë gjatë secilës, mazhoranca ka theksuar se pret deri në minutën e fundit që t’i bashkohet edhe opozita.