Reforma në Drejtësi/ Meta: Nëse nuk ka dakordësi, kërkojmë ndihmë nga EURALUS dhe OPDAT

643
Kreu i Parlamentit, Ilir Meta, u shpreh për mediat se Reforma në Drejtësi do të kryhet sipas opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias. Meta tha se LSI do ta votojë Refomën në Drejtësi sipas këtij opinioni, ndërsa theksoi se nëse nuk do të arrihet një dakordësi mes palëve, atëherë do të kërkohet ndihmë nga EURALUS dhe OPDAT.
“Reforma në Drejtësi duhet ti referohet opinionit përfundimtar të Komisionit të Venecias. Duhet të bëjmë një lexim objektiv dhe të paanshëm. LSI do ta votojë reformën me të 20 deputët e saj, sipas opinionit përfundimtar të Venecias. Në rast se palët nuk do të arrijnë të gjejnë dakordësinë dhe do të bëjnë lexime të ndryshme të këtij opinioni, atëherë do ti drejtohemi për ndihmë EURALUS dhe OPDAT”, u shpreh Meta.
Prononcimi i plotë nga kreu i Kuvendit, Ilir Meta për mediat 
Z. Meta, një ditë më parë Komisioni i Venecias ka miratuar draftin final me rekomandimet për Reformën në Drejtësi, por që një ditë më parë u pa se palët janë të ndara. Në gjykimin tuaj, çfarë duhet bërë që të arrihet konsensusi për të cilin keni këmbëngulur prej kohësh?
Besoj se konsensusi më i mirë është referimi i përbashkët ndaj rekomandimeve të opinionit final të Komisionit të Venecias.
Dua ta falënderoj nga zemra Komisionin e Venecias që na ka asistuar gjatë të gjithë procesit të Reformës në Drejtësi në Shqipëri, si dhe të gjithë ekspertët vendas dhe ndërkombëtarë, për punën e jashtëzakonshme dhe profesionale.
Vlerësoj se është mjaft pozitive që të gjithë forcat politike në vend e kanë pranuar dhe i janë referuar Komisionit të Venecias si institucioni që garanton standardet më të larta evropiane për Kushtetutën dhe ligjet.
Tashmë nuk na mbetet gjë tjetër, veç se të bëjmë një lexim objektiv dhe të paanshëm të gjithë opinioneve dhe rekomandimeve të këtij komisioni.
Sikurse e kam theksuar edhe në raste të tjera, për çdo lexim të ndryshme të opinioneve për çështje të caktuara, të kërkojmë edhe ndihmën e EURALIUS-it dhe të OPDAT-it, si dy misione të paanshme të Bashkimin Europian dhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për të bërë interpretimin final dhe objektiv të çdo çështjeje.
Është me rëndësi që kur Komisioneri Hahn të vizitojë Tiranën në fund të marsit, të kemi një tekst përfundimtar të dakordësuar të ndryshimeve kushtetuese. Ky do të ishte një mesazh shumë i rëndësishëm, i përgjegjshëm dhe pozitiv i politikës tonë, i gjithë forcave parlamentare, por edhe jashtë Parlamentit, pasi në këtë reformë janë përfshirë shumë aktorë, duke treguar se ne e kemi vullnetin për të ecur me shpejtësinë e duhur dhe në mënyrë të qëndrueshme drejt hapit tjetër, atij të çeljes së negociatave për anëtarësim në BE.
Kur kërkoni një zgjidhje nga EURALIUS dhe OPDAT, a e përjashtoni një tryezë politike?
Një ditë më parë, z. Eduart Halimi, i cili është nënkryetar në Komisionin e Posaçëm për Reformën në Drejtësi ka shprehur qëndrimin e PD-së për një tryezë politike, pra përtej Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, për të gjetur konsensusin, që kërkohet, e përmendët edhe ju, tashmë me ardhjen e z. Hahn në Tiranë. LSI fillimisht besoj se duhet të bindë PS-në për tryezën politike…
Meqenëse kemi një opinion final, zyrtar të Komisionit të Venecias, mund t’ju them që qëndrimi zyrtar i Lëvizjes Socialiste për Integrim për këtë reformë kushtetuese, si hapi i parë i reformës në drejtësi dhe që do të hapë rrugën për gjithë paketën në zbatim të saj, është: LSI do të votojë me të 20 votat e saj në Parlament reformën për të cilën është shprehur Komisioni i Venecias, për të gjitha çështjet që ne i jemi drejtuar dhe aktorët e tjerë i janë drejtuar.
Në rastet kur palët nuk do të kenë qartësinë e duhur për të bërë interpretime të paanshme, do të bazohemi tek rekomandimi i misioneve të EURALIUS-it dhe të OPDAT-it, që kanë qenë të përfshirë që nga fillimi dhe kanë ndihmuar mjaft me asistencën e tyre gjatë kësaj reforme.
Pra, të 20 votat e LSI-së do të jenë në mbështetje të opinionit të shprehur nga Komisioni i Venecias, si dhe për interpretimet e misioneve të EURALIUS dhe OPDAT për ato çështje të cilat ende mund të sjellin interpretime të ndryshme.
Përsa i takon angazhimit të faktorëve të tjerë, patjetër që nuk mund të përjashtohet asnjë formë bashkëpunimi, komunikimi, dialogu dhe përfshirje e mëtejshme edhe e ekspertëve për çështje të caktuara.
Por e theksoj edhe njëherë tjetër, që qëndrimi ynë final është ky: Të 20 votat e LSI-së do të jenë në mbështetje të standardeve që ka rekomanduar Komisioni i Venecias dhe rekomandimeve apo interpretimeve të bëra nga EURALIUS-i dhe nga ODPAT-i.
Nëse do të ketë sërish mosdakordësi midis palëve, cili do të jetë roli i LSI-së?
LSI-ja ka qenë dhe është angazhuar për një klimë sa më konstruktive, sa më bashkëpunuese, sa më racionale dhe do ta vazhdoj të luajë këtë rol pa u lodhur me durim, me qetësi dhe me qartësi.
Ju keni takime të përjavshme me Kryeministrin Rama. A keni diskutuar me të mundësinë e tryezës politike? Kur ju garantoni votat e LSI-së për reformën në drejtësi, a do të thotë kjo që i bashkoheni qëndrimit të kryeministrit Edi Rama për një plan “B” që e miraton reformën në drejtësi pa PD-në, që këmbëngul për një tryezë politike?
LSI ka vetëm një plan. Plani i LSI-së është të votojë reformën në drejtësi. LSI është shprehur më parë se kushdo tjetër që, gjykatësi suprem i standardeve të reformës është Komisioni i Venecias dhe askush tjetër. Komisioni i Venecias për shumë çështje është shprehur në një mënyrë shumë shteruese dhe më të drejtpërdrejtë se sa ne mund të prisnim, që do të thotë se ka gjykuar me thellësi draftin e reformës.
Pyetjet që janë drejtuar për çështje të paqarta, për të cilat edhe Komisioni i Venecias ka qenë i ndërgjegjshëm për klimën politike jo shumë bashkëpunuese në vend, është përpjekur të ecë në thellësi dhe në brendësi të çështjeve të caktuara.
Kështu LSI ka vetëm një plan, të shprehet pro rekomandimeve të Komisionit të Venecias dhe për çështje të caktuara të cilat mund të mos jenë qartësisht shumë të lexueshme apo të interpretueshme, atëherë do të kërkojmë që të shprehet EURALIUS me OPDAT, si dy misione të pavarura dhe që nuk kanë interes të përfshihen në interesat lokale të politikës sonë.
Pra, kjo është një “Jo” për Partinë Demokratike për një tryezë politike?
Nuk ka në filozofinë e LSI-së asnjë formë dhe praktikë përjashtuese. Përkundrazi, ka vetëm një filozofi bashkëpunuese. Bashkëpunimin më të mirë e garanton angazhimi i Komisionit të Venecias. Lexoni rekomandimet bazë të Komisionit të Venecias dhe do të kuptoni trasenë ku duhet ecur.
Sigal