Reforma në Drejtësi, Klosi: Qeveria e ka tepsinë e vetme, shpresë se gjyqësori do pastrohet

652
Sigal
Alma ÇUKA
Reforma në Drejtësi, puna e qeverisë së re, bashkëpunimi me opozitën, tërheqja nga dy ligjet, janë disa nga pikat për të cilat jep opinionin e tij ish-kreu i SHIK
Ai është i bindur se diçka do të ndryshojë. Këtë bindje ia forcon fakti, se qeveria ‘Rama 2’ e ka të gjithë tepsinë për vete dhe numrat e mjaftueshëm në Parlament për të bërë më të mirën. Ish-kryetari i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi, në një intervistë për gazetën “Telegraf”, shprehet se është optimist për nisjen dhe përfundimin me sukses të Reformës në Drejtësi. Në të njëjtën kohë ai mendon se opozita, ashtu si në të gjitha rastet kur diskutohet një ligj i rëndësishëm, do të flasë parimisht pa dashur të futet në detaje. Besimin më të madh e ka tek aleatët e Shqipërisë, që sipas tij, janë ata që bindën mazhorancën dhe opozitën të miratonin me konsensues, Reformën në Drejtësi. Ndërsa shton se si gjyqtarët dhe prokurorët nuk do të donin aspak të kryhej kjo reformë. Nuk jep shifra se sa mund të jetë numri i personave që do të preken prej saj. Klosi jep mendimin e tij edhe për dy ligjet e fundit të tërhequra nga Partia Socialiste, ai i plehrave dhe i rishikimit të medaljeve dhe dekoratave. Për ligjin e plehrave shprehet se është i paqartë përse bëhet fjalë dhe se në popull është krijuar një kakofoni se çfarë plehrash do të vijnë. Ndërkohë që rishikimin e dekoratave dhe të medaljeve e konsideron çmenduri. Sipas Klosit nuk mundet që parlamentarët e sotëm të vendosin për dekoratat e dhëna në një kohë tjetër. 
Zoti Klosi, një nga reformat më të diskutuara për momentin dhe që pritet të nis zbatimin e saj është ajo e Drejtësisë. Mendoni se jemi në kohë?
E rëndësishme është të nis puna për Reformën në Drejtësi. Po kaq e rëndësishme është edhe fakti se kjo reformë do të kryhet nga kjo qeveri dhe nga ky parlament që i ka bërë këto ligje. Me sa di unë, gjyqtarët dhe prokurorët nuk janë shumë dakord me kryerjen e Reformës në Drejtësi, madje ata kanë bërë ankesë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Por ka ardhur koha që sistemi i drejtësisë të reformohet dhe të dalin jashtë saj të gjithë të korruptuarit dhe ata që kanë penalizuar popullin deri sot me vendime të padrejta dhe kundrejt ryshfetit. Po kështu në këto momente nuk ka rëndësi të flitet për kohën se a është apo jo momenti, por për faktin se tashmë kjo gjë duhet të realizohet.

Besoni se gjyqësori dhe prokuroria do të jetë pastruar në fund të këtij procesi?
Jam optimist dhe mendoj se do të ndodh një gjë e mirë. Sistemi do dal nga rruga e korrupsionit. Tani ne kemi një qeveri të qëndrueshme, një qeveri e cila e ka të gjithë tepsinë në një dorë dhe ka të gjitha mundësitë për të bërë më të mirën për këtë popull. Kjo qeveri ka të gjithë numrat në Parlament, ka rreth 80 vota. Këto janë të mjaftueshme për të kaluar ligje që nuk kërkojnë shumicë të cilësuar. Por edhe opozita e tanishme besoj se do të bashkëpunojë për të përfunduar këtë reformë.

Opozita herë pas herë është bërë pengesë për kalimin e shumë reformave. Në këtë rast besoni se opozita do të nxjerrë probleme?
Është e vërtetë se opozita gjithmonë nxjerr probleme. Por në këtë rast duket se nuk ka fuqi. Unë kam idenë se në gjithë këtë proces, aleatët tanë kanë qenë dhe janë shumë aktivë. Ata çdo ditë janë me deklaratat e tyre dhe shumë të ndjeshëm përballë kësaj reforme. Praktikisht janë aleatët ata që kanë detyruar forcat politike të arrijnë një konsensus për të realizuar reformën në Drejtësi. Besoj se deri në fund të procesit aleatët do e gjejnë një zgjidhje. Po kështu unë shpresoj shumë që të kemi një punë tepër të pastër. 

Sa për qind e numrit të gjyqtarëve dhe prokurorëve mund të preken nga kjo reformë?
Askush nuk mund të flas ëme siguri se sa mund të preken nga kjo reformë. Një gjë e tillë mund të përcaktohet pa nisur procesi i filtrimit. Ky proces nëse do të jetë serioz, duhet të shohë të gjitha problemet. Në këtë moment nuk mund të paragjykojmë. 

Si e shihni qeverinë ‘Rama 2’? 
Qeveria ende nuk ka nisur nga puna. Deri tani kemi disa deklarata të disa ministrave, si Blendi Klosi që flet për pastrimin e territorit të vendit nga paligjshmëria dhe rritjen e cilësisë së ajrit. Kemi deklaratat e Damian Gjiknurit për uljen e vjedhjeve në rrjetin elektrik. Kemi dhe disa deklarata të tjera. Këto që po bëhen tani janë vetëm disa gjëra për të rënë në sy dhe asgjë më shumë. Pika më e fortë e kësaj qeverie janë reformat, pikërisht ajo në gjyqësor. Të shohim se çfarë do të bëhet. Por të mos harrojmë se kemi edhe një opozitë tashmë e cila si kurdoherë kundërshton në parlament çdo reformë që shtrohet. Kundërshtimi bëhet në parim dhe jo në detaje. Dhe kjo bëhet vetëm për të bërë zhurmë e fituar kohë e jo se reformat nuk janë të domosdoshme. Kështu u bë edh epër ligjin e plehrave.

Një ligj për të cilin qeveria u tërhoq. Pse mendoni ju e bëri këtë gjë?
Kjo është më shumë se politike. Është problem i prekshëm, sepse për këtë ligj ka një kakofoni të madhe. Ende nuk është bërë e qartë se për çfarë plehrash bëhet fjalë. Ka një problem në shpjegimin e këtij ligji. Mund ta krahasojmë njësoj si me ligjin për armët kimike që do të vinin nga Siria. U bë një zhurmë e madhe, pasi nuk pati shpjegim, por në fund të gjithë e kuptuan se Shqipëria nuk prekej. Të gjithë kur bëhet fjalë për një ligj të madh, duan të bien në sy. Por dua të them se edhe media në këtë rast ka fajin e saj. Media nuk dëgjon dhe nuk pyet profesionistët për të tilla probleme. Ky është një sektor që do ndihmonte shumë, nëse do të thoshte të vërtetën. Media duhet të thotë fjalën pro dhe kundër. 

Qeveria u tërhoq edhe për rishikimin e gradave dhe medaljeve?
Ajo është një çmenduri. Të kërkosh të heqësh dekoratat dhe medaljet që i ka dhënë dikush tjetër në një tjetër kohë është çmenduri. Ata që i kanë marrë ato dekorata i kanë marrë në një kohë të caktuar dhe për merita të caktuara. Presidenti dhe qeveria e kësaj kohe duhet të kujdesen shumë sot e jo për kohën që ka kaluar tashmë. Ai që është dekoruar, ishte hero atëherë. Çdo filozofi çdo teori ka karakter historik dhe klasor. Nuk mund të japësh t’i vlerësim për atë kohë. Dekoratat janë vlerësime morale që tregojnë që ata njerëz për kohën e tyre kanë merituar të nderohen nga të tjerët. Nëse do të heqin dekoratat e luftës, pse mos të heqin dhe ato të punës. Nuk na takon ne të rishikojmë dekoratat e dhëna në atë kohë. Aq më pak deputetëve tanë të cilët ne i kemi zgjedhur për të qenë në parlament dhe të punojnë në dobi të popullit, t’u shërbejnë atyre dhe t’u zgjidhin hallet e jo të merren me një kohë që nuk u përket atyre. 

Opozita ka kërkuar rishikimin e ligjit për ndarjen administrative. Mendoni se duhet parë ky ligj?
Pse jo, le të shikohet. Unë jam në dijeni se një gjë të tillë e ka kërkuar edhe Partia Socialiste. Aktualisht Shqipëria është e ndarë në 12 rajone. Unë mendoj që vendi ynë të jetë i ndarë në 4 rajone. Ne kemi një disproporcion të madh ndërmjet qarqeve, gjë që ndikon edhe në vota. Kështu vlera e votës në Kukës është shumë herë më e vogël se sa vlera e votës në kryeqytet. Unë jam i mendimit, që ndarja administrative të rishikohet dhe, ndoshta, është mirë që numri i rajoneve të zvogëlohet.
NOA