Reforma në drejtësi dhe personat me aftësi të kufizuar

519
Dr. Av. Sinan Tafaj
Reforma në drejtësi është bërë tashmë kryefjalë e shqetësimit qytetar. Qytetarët shqiptarë që notojnë në batakun e dëshpërimit edhe të mungesës së shpresës po ëndërrojnë drejtësinë e munguar. E munguar për ta është barazia, barazia jo vetëm para ligjit. Ata shpresojnë se kjo reformë do të sjellë barazinë, sigurinë për të nesërmen e për pasojë lumturinë. Gjithsesi ata e dinë që ëndrra mbetet ëndërr. Në të tilla ëndrra jetojnë edhe personat me aftësi të kufizuar. Ata janë larg, ata nuk guxojnë të ëndërrojnë barazinë para ligjit,pasi për të arritur deri atje i duhet të ngjisin mjaft shkallë të pabarazisë. Ata janë të pabarabartë kudo, pabarazia fillon që në familje. Më vjen një ditë në zyrë një miku im, plotësisht i verbër edhe mua ankua se paguhej vetëm 8700 lekë në muaj. Pas sqarimeve të mija që kjo ishte vetëm 13 e shumës që i takonte, ai u acarua me institucionet shtetërore, por në fakt nuk ishte kështu, pasi disa orësh më telefonoj i biri, duke më thënë që babai i merrte të gjithë por unë nuk ia tregoj se familja ka edhe halle të tjera. Nuk e di, se do i vejë filli më tej këtij konflikti, por shembuj të përjashtimit shoqëror, të pabarazisë, dhunës psikike e fizike gjen çdo ditë në jetën e tyre. Ju drejtova kryetarit të komisionit parlamentar Fatmir Xhafa dhe të gjithë deputeteve të komisionit të Reformës në Drejtësi. I përsërita një nga kërkesat më të rëndësishme edhe më të hershme të këshillit të organizatave kombëtare të PAK. Bëni drejtësi, duke njohur në kushtetutë aftësinë e kufizuar si risk për diskriminim negativ edhe si shkak për diskriminimin pozitiv. 

Politika është jo vetëm e kujdesshme por edhe e vëmendshme që sa herë flitet për aftësinë e kufizuar, të bëjë sjellje skenike, aktoriale të ndjeshmërisë së lartë deri në dhimbje për PAK. Por në fakt, çfarë ndodh në praktike? Figura të rëndësishme të saj në vendimmarrjen e tyre, janë të udhëhequr nga indiferenca dhe jo rrallë herë edhe nga neveria për këtë kategori. E kam shumë të vështirë të shpjegoj një fenomen që lidhet me përkujdesjen e veçantë të politikës ndaj shoqërisë civile. Brenda grupit të organizatave të Shoqërisë Civile, në ligje të veçanta janë njohur organizatat: “Për personat me Aftësi të Kufizuar” të cilat kanë të drejtë dhe detyrë të shërbejnë personave me aftësi të kufizuar t’ju mbrojnë interesat e tyre, madje edhe të familjeve të tyre, njëlloj si mikut tim i shërben djali i tij. E kam të vështirë të besoj se politika nuk ka kuptuar se çka bërë. E kam të vështirë të besoj se përkthimet zyrtare ligjore të Konventës Botërore “Për të drejtat e PAK” në paragrafin e fundit të nenit 29, dhe paragrafin e parë të nenit 32, janë gabime njerëzore. Me anë të këtyre përkthimeve e drejta për të mbrojtur vetveten,interesat edhe shërbimet, nga personat me aftësi të kufizuar ju është transferuar organizatave “Për personat me aftësi të kufizuar”. Pra rastësisht ka ndodhur një gabim i vogël matematikor ku e drejta për të vendosur vetë për veten duke përfaqësuar vetën pa dashje është shumëzuar me 0. Si rezultat është ndërtuar një sistem i tërë ekuacionesh e bilancesh ekonomike,financiare në favor të padrejtësisë. Çfarë presin personat me aftësi të kufizuar nga reforma në drejtësi? Tashmë në tryezën e komisionit të ligjeve edhe komisionit të reformës janë dy kërkesa kryesore: 

1-Të shtohet në nenet 18 e 54 të Kushtetutës, Koncepti, Persona me Aftësi të kufizuar, për t’u mbrojtur nga diskriminimi, njëlloj si kategoritë apo për tu trajtuar në nenin 54, njëlloj si kategoritë e tjera
2-T’u garantohet aksesi i barabartë në drejtësi, të paktën të kenë mundësinë ligjore sipas propozimeve për ndërhyrje në kodet e Procedurës penale,civile si dhe në ligjin për Noterinë të propozuara nga Ministri i Drejtësisë, Komisionit të Ligjeve. Propozimet janë hartuar nga grup ekspertësh të ardhur nga KLD, Ministria e Drejtësisë, Prokuroria e Përgjithshme, Avokati i Popullit, Shkolla e Magjistraturës si edhe ekspertë Ndërkombëtarë të fushës së të drejtave të PAK, të realizuara në një projekt i financuar nga Komisioni Europian. Unë shpresoj se miku im Xhafa, dhe deputetët e Komisionit të ligjeve edhe Komisionit të Reformës në Drejtësi, kanë një interes të sinqertë në barazinë sociale dhe barazinë para ligjit për personat me aftësi të kufizuar, nëse sa kërkojmë ne nuk do të bëhet, atëherë do të thotë se dhuna e MANGOS, është vërtet efektive në shoqërinë tonë dhe brezi i ynë i PAK, nuk duhet të shpresoj më.
Sigal