Reforma, Halimi: Tërhiquni nga arroganca; Ruçi: Mirëpresim kontributin

466
Në fillim të punimeve të seancës së sotme të Kuvendit, vendimi i opozitës për t’i dhënë fund bojkotimit të komisionit të posaçëm parlamentar të reformës në drejtësi shkaktoi debate. Grupi parlamentar demokrat përmes deputetit Eduard Halimi kërkuan të përfshihet në rend dite propozimi i PD-PR për ndryshimin e vendimit për ngritjen e komisionit të posaçëm, duke propozuar emrat e anëtarëve.
Halimi: “Ne kërkojmë të futet në rend dite ndryshimi i këtij vendimi, që opozita të marrë pjesë dhe t’i hapet rruga përfaqësimit të saj në komision”, tha Halimi.
Ruçi: “Nuk jam njohur me përmbajtjen e ndryshimit të vendimit, por me aq sa tha z. Halimi rregullat nuk mund të ndryshojnë në mes të lojës. Tani komisioni përkatës, siç ju e dini, është drejt përfundimit të problematikave që përmban reforma në drejtësi dhe ndryshimi i rregullave të lojës në fund të saj nuk mund të bëhet. Propozimi i bërë nga opozita do të thotë që ai të mos diskutohet, por të votohet”.
Halimi: “Ju keni vepruar në kundërshtim me rekomandimet e partnerëve ndërkombëtarë. Ju nuk keni vullnet për reformën në drejtësi. Ndryshimet për KLD-në i bëtë që të hiqnit ata 3 anëtarë dhe t’i zëvendësonit me militantë. Të njëjtën gjë po bëni me Gjykatën e Lartë. Tërhiquni nga arroganca juaj. Ju nuk keni bërë asnjë strategji”.

Ruçi: “Partnerët ndërkombëtarë kanë vlerësuar maksimalisht punën e bërë deri tani. Jam dakord që duhet të jetë reformë gjithëpërfshirëse dhe gjithçka që është bërë në komision, në mënyrë gjithëpërfshirëse është bërë. Ju nuk keni zhvilluar funksionin tuaj në komision dhe nuk keni dhënë kontribut”.
Në debatin mes palëve ndërhyri kryetari i Kuvendit Ilir Meta, i cili sugjeroi për më shumë kohë në diskutimin kësaj çështje.
Meta: “Sugjeroj të mos e vazhdojmë këtë debat, se ndoshta do të duhet kohë për ta biseduar më tej këtë problem mes kryetarëve të grupeve. Ndoshta mund të na duhet të mbledhim dhe Konferencën e Kryetarëve, pasi nga ana proceduriale kemi të bëjmë me një ndryshim të vendimit të Kuvendit. Le t’i lëmë vetes më shumë kohë për ta shqyrtuar çështjen”, u shpreh Meta.
Sigal