Rebelohen qëndrestarët e PD-së

491
Shaban Memia: Basha duhet të largohet, zgjidhjet e tij, antistatutore dhe shkatërruese
Rebelimi i një pjesë të anëtarësisë së vjetër në Partinë Demokratike është i dukshëm. Kundër Bashës, kanë dalë jo vetëm të përjashtuarit nga lista e deputetëve, por edhe ata që janë jashtë kuvendit
Një nga ish-deputetët më të vjetër të Partisë Demokratike, Shaban Memia, analizon humbjen e thellë të kësaj force në zgjedhjet e 25 qershorit, duke bërë në të njëjtin kohë si përgjegjës kryesor vetëm Lulzim Bashën. Për Meminë, humbja e thellë në këto zgjedhje, kërkon një reformim të Partisë Demokratike, ndërsa shton se lidershipi i saj nuk bëri të mundur konkurrencën. Memia është rreshtuar në krahë të grupit që kërkon largimin e Bashës, jo ngrirjen e tij, por dorëheqjen dhe hapjen e rrugës për të zhvilluar zgjedhje të ndershme brenda saj. Ai i bënë një rezyme gjithë veprimtarisë së forcës për të cilën deklaron se ka punuar gjithë këto vite dhe i dhimbset më shumë se kushdo. Ndërsa nuk lë pa përmendur edhe faktin se, në këto zgjedhje ndikuan si faktorë edhe kriminalizimi i qeverisë dhe përdorimi i parave të pista për të blerë votën. Memia bën edhe krahasime me shifra. Ai thotë se demokracia në këtë situatë që ndodhet vendi, pas zgjedhjeve të 25 qershorit, ku fitues është PS me diferencë të madhe mandatesh, gjendet në ditë të zeza. 
Si e komentoni rezultatin e PD në këto zgjedhje. Kush janë faktorët që çuan në humbjen e thellë?
Referuar numrit të votove (454 394 vota ose 28.82%), që ka marrë PD në zgjedhjet e 25 Qershorit 2017 dhe logjikës të shkencës së konkurrencës elektorale mund të thuhet me plot gojën jo vetëm që është një humbje katastrofike, por nuk mund të konsiderohet se është konkurruar. E them këtë sepse në zgjedhjet e para pluraliste të 31 Marsit 1991, PD pas tre muajve që ishte krijuar, duke pasur përballë diktaturën më të egër të vendeve ish-komuniste, në kushtet e terrorit të egër të organeve të diktaturës së proletariatit, e ka konkurruar PPSH duke marrë 720 948 vota ose 38.71% të votuesve. Kjo e vërtet duhet parë në sy, sepse fataliteti nuk qëndron tek fakti që ke gabuar por çfarë qëndrimi mban pasi e merr vesh qe ke gabuar. Ky rezultat duhet të përbëjë alarm jo vetëm për demokratët por çdo shqiptar që beson tek demokracia, vlerat dhe parimet e saj. Partia Demokratike është krijuar për tu përballur, dhe është pasuria e madhe kombëtare. 

Po faktorët….
Përsa i përket faktorëve nuk mund të neglizhohen standardet e deformuara të demokracisë, kriminalizimi dhe fenomenet që i shoqërojnë, por fakti që PD nuk ka arritur të konkurrojë, disfata është e lidhur drejtpërdrejtë me faktorët e brendshëm. Kjo do të thotë se ka dështuar totalisht, mënyra e organizimit dhe funksionimit të strukturave të PD (duhet përmendur se kryesia e PD-së është bërë me 50 veta, Këshilli Kombëtar me mbi 250 persona etj), mënyra e të bërit opozitë, ka dështuar makina elektorale, strategjia e organizmit dhe realizimit të fushatës, program i pretenduar nuk ka afruar shpresë, përfaqësimi ose lista, jo vetëm nuk është pranuar por është refuzuar. Duhet theksuar se rekordet e qeverisjes së majtë për mandatin që sapo lamë pas kanë qenë ndër më të zezat në historinë e pluralizmit shqiptar. Kjo përbën ogur të keq për vendin, por për opozitën është një dhuratë e cila nuk është materializuar në votë, para së gjithash për mënyrën e bërjes politike opozitare nga lidershipi i PD-së. Si produkt i kësaj, demokracia në Shqipëri gjendet në ditët më të zeza pas vitit 1991, pasi kemi një qeveri të përmasave të frikshme dhe një opozitë të shpartalluar me një përfaqësim të mjerueshëm politikisht. 
Basha mori përgjegjësinë, bëri dhe një lëvizje duke ngrirë kompetencat e tij. Si e lexoni këtë veprim? 
Duke iu referuar zhvillimeve nga zgjedhja e zotit Basha në krye të PD në korrik të vitit 2013, deri më sot, janë vërejtur dukuritë si veprimtari e përhershme ekstra-statutore dhe shpallje lufte ndaj identitetit të partisë që përmbysi diktaturën, vendosi demokracinë, lirinë dhe të drejtat e individit, shtetin e së drejtës, kapitalizmin, ekonominë e tregut të bazuar në pronën private etj. Madje mund të themi se deformimet kanë arritur deri në atë pikë sa janë dëmtuar rëndë tiparet e të qenit parti, e cila sipas koncepteve moderne, nëe një parti grupohen individët me lidhje ideore dhe prania e rregullave statutore. Në këto kushte nuk mund të flitet për demokraci të brendshme të Partisë Demokratike, pasi forumet megjithëse janë rritur nga përmasat por nuk janë pyetur dhe nuk kanë ushtruar asnjë nga kompetencat e parashikuara nga kushtetuta e partisë që në rastin konkret është statuti. Për të ardhur tek pyetja e juaj, me një kurajë të çuditshme, janë bërë zgjidhje, jo vetëm anti-statutore, por edhe poshtëruese për demokratët dhe në mënyrë të veçantë për grupimin evropian Partitë Popullore Evropiane, anëtare e të cilave është PD-ja. Në dokumentet themelore të PPE, është e shkruar e zeza mbi të bardhë se partitë anëtare jo vetëm që statutet dhe programet duhet të jenë në përputhje me standardet e këtij grupimi, por ato duhet të respektohen si nga anëtarësia dhe lidershipi. Ky është një zhvillim i papranueshëm, madje vetëm demokratik dhe evropian nuk mund të konsiderohet, e kjo ka pasoja të pallogaritshme për demokracinë e brendshme të PD-së si dhe atë të procesit zgjedhor për kryetarin e Partisë mandati i të cilit mbaron më 22 korrik 2017. 
Brenda PD-së ka nisur një lëvizje për largimin e Bashës. A ka ardhur koha për një veprim të tillë? Çfarë i duhet PD-së?
Po, është e vërtetë ka filluar një lëvizje pjesë e cilës jam edhe unë, pasi PD më dhimbset më shumë se kushdo tjetër, qoftë ky edhe Basha. Por duhet të theksoj se nuk është thjeshtë për largimin e Bashës por kundër metodologjisë, praktikave dhe mentaliteteve sipas të cilave është drejtuar PD gjatë këtyre 4 viteve dhe si produkte ka sjellë humbjen katastrofike të partisë së vlerave, parimeve dhe vokacionit perëndimor. Në mënyrë konkrete është kundër metodologjisë së organizmit dhe funksionit të PD gjatë këtyre viteve për ta transformuar nga një parti e Kryetarit në parti të anëtarëve. Është kundër metodologjisë së veprimtarisë ekstra-statutore, për ta transformuar në një parti të rregullave në përputhje me standardet moderne të partive simotra në Evropë e më gjerë. Është kundër metodologjisë të fshirjes së memories historike, identitetit dhe praktikave të dënimit pa gjyqe të vlerave të krijuara ndër vite në përballje me kundërshtarët më të egër krahasuar me vendet të tjera ish-komuniste, të vlerave që janë përballuar në beteja politike dhe elektorale në mënyrë të suksesshme ndër vite. Është kundër praktikave e metodologjisë së përfaqësimit klientelist, servilizmit etj, për të vendosur kritere e standarde në funksion të vlerave individuale, intelektualizmit kontributeve dhe sistemeve modernë të karrierës. Është kundër metodologjisë që e ka kthyer Partinë Demokratikë në një grupim që nuk dihet se kush është baza politike, elektorale dhe parimet e ideologjisë që e udhëheqin në veprimtarinë dhe konkurrencën elektorale. Është kundër metodologjisë që e ka çuar pluralizmin në zgrip për të transformuar PD-në, në një parti alternative në funksion të moralit, vlerave të së djathtës moderne evropiane, të cilat kanë të shenjtë, konkurrencën e ndershme, pronën, dinjitetin e personalitetin njerëzorë, zhvillimin dhe integrimin e vendit duke ju dalë zotë bazës së saj politike dhe elektorale. Demokratët po kalojnë ditë të vështira, por kthimi dhe kapja fortë pas vlerave rregullave dhe standardeve janë rruga e vetme për t’u përballur dhe kapërcyer me dinjitet situatat e vështira si dhe për të bërë të mundur fitoren në vitet që vijnë. Pikërisht këto parime dhe vlera kanë bërë të mundur që në vitet 1991 -1992 nuk arriti Ramiz Alia t’u rrëmbente Partinë, kanë qenë këto vlera si udhërrëfyes për demokratët në 1997, që rebelimi i kuq me bandat kriminale nuk arritën t’u rrëmbenin partinë. Kanë qenë këto vlera e parime që demokratët kanë përballuar me sukses beteja politike ndër më të dhunshmet në Evropë dhe kanë konkurruar duke e sjell PD-në në pushtet në vitin 2005.
Sigal