Reagon Unioni i studentëve shqiptar në Maqedoni: Dëgjoni zërin e së ardhmes intelektuale shqiptare

461
Sigal

Unioni Studentor Shqiptar në Maqedoni ka reaguar në mbështetje të protestës së studentëve në Shqipëri. Sipas tyre, rinia është e ardhmja intelektuale e Shqipërisë.

“Kush nuk e mbështet këtë të ardhme, nuk e meriton atë”, janë shprehur studentët shqiptar në Maqedoni.

Më poshtë, deklarata e plotë e tyre:

PËR protestat e studentëve në Shqipëri

Unioni Studentor Shqiptar, që është një organizatë e studentëve shqiptarë të universiteteve të ndryshme në Maqedoni, vazhdon t’i ndjekë me vëmendje zhvillimet studentore në Republikën e Shqipërisë dhe të zhvillojë kontakt të vazhdueshëm me studentë që janë pjesë e këtyre protestave.

Nisur nga kjo, duke i njohur si legjitime kërkesat e studentëve, Unioni Studentor Shqiptar i mbështet ato protesta dhe konsideron se Qeveria Shqiptare dhe Ministria e Arsimit të Republikës së Shqipërisë duhet ta dëgjojnë zërin e studentëve dhe kërkesat e tyre legjitime, sepse ato janë, në të vërtetë, zëri i të ardhmes së përgjithshme intelektuale shqiptare. Një shtet që nuk kujdeset për këtë të ardhme, mbase nuk e meriton atë.

Për Unionin Studentor Shqiptar zëri studentor është thirrja më e çiltër, më serioze dhe njëherazi, më e sinqertë shoqërore, ndërsa studentët janë kategoria më progresive e shoqërisë dhe në një mënyrë, ata janë kujdestarët e ndërgjegjes së një shoqërie. Prandaj, sipas nesh, një pushtet që nuk e merr parasysh zërin e studentëve, zor se mund të konsiderohet meritor dhe dinjitoz për ta drejtuar dhe menaxhuar jetën shoqërore. U bëjmë thirrje studentëve tanë që vijojnë studimet në Shqipëri t’i bashkohen protestave dhe të ngrisin zërin në mënyre dinjitoze.

Shkup, 11.12.2018 Kryetar, Egzon Shabani.