Reagon Unioni i Prokurorëve: Rrezikohet hetimi i shtetarëve të lartë

502
Sigal

Pas Prokurorisë së Përgjithshme edhe Unioni i Prokurorëve shpreh
shqetësimin se Reforma në Drejtësi ka futur në ngërç sistemin, duke e cilësuar
situatën si “të nderë”. Kjo, krijuar nga mosmiratimi i ligjeve organike në
zbatim të ndryshimeve kushtetuese. Sipas Kushtetutës së re, krijimi i
Prokurorisë së Posaçme, e njohur ndryshe si SPAK, që do të hetojë zyrtarët e
lartë kërkon një afat 8 mujor. Duke pasur parasysh se asnjë ligj nga paketa e 7
ligjeve nuk është miratuar ka sjellë një vakum ligjor që mund të çojë në
pushimin e disa qindra çështjeve hetimore. Dosjet e zyrtarëve të lartë mund të
pushohen për shkak të mbarimit të afateve hetimore. Mes tyre janë ajo ndaj
Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Haki Çako, gjyqtares së Gjykatës së
Lartë, Majlinda Andrea, që akuzohet për korrupsion, Deputetit Tom Doshi, i cili
dyshohet për fshehje pasurie dhe pastrim parash. Drejt pushimit është dhe
hetimi për Kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Elvis Rroshi, i cili akuzohet për
falsifikim të formularit të Dekriminalizimit. Edhe neni 178 i Kushtetutës, ku
thuhet se ligjet dhe aktet e tjera normative të miratuara para datës së hyrjes
në fuqi të kësaj Kushtetute do të zbatohen derisa nuk janë shfuqizuar, sipas
prokurorëve, është një rregull i përgjithshëm. Sipas Unionit duhen miratuar sa
më shpejt dispozitat kalimtare për të vijuar hetimet për zyrtarët e lartë dhe
për të rregulluar punën e prokurorëve. Kushtetuta e re parashikon dispozita
kalimtare për çdo institucion tjetër, por vetëm për prokurorinë nuk është bërë
një zgjidhje e tillë.