Reagon MASH për akuzat ndaj mësuesve

466
Sigal

Ministria e Arsimit ka reaguar publikisht ndaj kritikave të Kryetarit të PS-së, Edi Rama, adresuar arsimimit publik. Në këtë reagim të MASH-it, thuhet: “Z. Rama e kaloi këtë javë duke sulmuar mësuesit, duke bërë akuza të pakuptimta për dhunë të përgjithshme, për përdorim droge. Ai vazhdon me sajesat e ngjizura nga dhoma e tij mavi. Z. Rama vazhdon të dëshmojë se, nuk ka respekt për dinjitetin e qytetarëve që janë të fokusuar tek puna dhe synon të demonizojë mësuesit tanë, thjesht si pjesë e strategjisë së tij elektorale.  Z. Rama, gjithashtu deklaroi se, mësuesit sot janë në nivelin më të ulët profesional në historinë e arsimit tone, ndërkohë që, ata, në procesin mësimor, përdorin kompjuterin, internetin, mjetet dhe metodat bashkëkohore të mësimdhënies. Z. Rama duhet  t’u thotë të gjithë shqiptarëve se çfarë ka kundër mësuesve?   Z. Rama tha se mësuesit nuk janë të motivuar për të dhënë mësim. A mendon z. Rama se dikush bëhet mësues sepse nuk dëshiron të japë mësim?  Kjo është një fyerje për çdo mësues në Shqipëri.  Akoma më keq, z. Rama akuzoi mësuesit si shkaktarë të përdorimit të drogës dhe të dhunës në shkolla. A mendon z. Rama se mësuesit janë shitës të drogës?  Z. Rama, gjithashtu, pohoi se mësuesit po dhunojnë nxënësit. Kjo është përçmuese nga z. Rama, kur mendon dhe bën akuza të tilla kundër mësuesve. Z. Rama vazhdon t’i sulmojë mësuesit duke thënë që niveli i analfabetizmit është 15%. Në të vërtetë niveli i analfabetizmit është vetëm 2.4% dhe braktisja e shkollës po shkon drejt zeros, falë punës së palodhur të mësuesve tanë, një punë, profesion dhe mision që z. Rama nuk e respekton”.

 

Dita Botërore e Shëndetit, ministri Kosova në aktivitetin e ASHR

 Ministri i Shëndetësisë Dr. Halim Kosova shoqëruar nga dy profesorët të njohur Dr. Artan Goda dhe Dr.  Mihal Tase kanë qenë vizitorët e parë në aktivitetin e zhvilluar nga Autoriteti Shëndetësor Rajonal në Tiranë me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit. Një aktivitet ndërgjegjësues për më shumë edukatë shëndetësore dhe kujdes në trajtimin e kontrollin e tensionit arterial (presionit të gjakut), i cili prek një në çdo tre të rritur mbas moshës 25-vjeçare. Për doktor Kosovën ngritja e një kulture shëndetësore është e njëjtë me përdorimin e rripit të sigurimit dhe në të dyja rastet shpëtohet jetë. “7 Prilli është, Dita Botërore e Shëndetit. Organizata Botërore e Shëndetësisë ka përcaktuar parandalimin dhe  kontrollin e Tensionit Arterial, apo “presionit të gjakut”  si temën e këtij viti me qëllim sensibilizimin e popullatës  si dhe të të gjithë ofruesve të shërbimeve shëndetësore, për rëndësinë dhe mundësitë reale  që ekzistojnë  për parandalimin e Hipertensionit Arterial dhe pasojave që lidhen me të”.  Menaxhimi i sëmundjeve kronike mbart fatura  financiare. Sipas të dhënave të ISKSH, për sëmundjet kronike shpenzohen rreth 55 milion $ në vit. Vetëm për hipertensionin arterial shpenzohet 22 % e rimbursimeve.   Sipas  zotit Halim Kosova, kjo e fundit është një shumë e konsiderueshme që qeveria ia dedikon kryesisht moshës së tretë dhe do të shkojë në të njëjtin proporcion dhe me cilësinë e barnave që ato marrin çdo muaj.  Shqetësimit të të moshuarve mbi cilësinë e barnave të hipertensionit arterial, Dr. Kosova iu përgjigj me një krahasim: “Është e njëjta gjë që ndodh me ujësjellësin: në burim uji del i pastër, por gjatë rrugës ndesh shumë ndërhyrje të paligjshme. E njëjta gjë vlen dhe për barnat. Puna jonë është të mbyllim këto ndërhyrje gjatë rrugës që ta çojmë ujin të pastër,  ashtu siç del në burim. Fondi që qeveria jep është i konsiderueshëm ndaj dhe cilësia e barnave nuk duhet të  mungojë”,-  u shpreh Ministri  i Shëndetësisë Kosova, duke iu lënë radhën specialistëve të fushës për statistikat dhe këshillat në lidhje me Tensionin Arterial.  Vërehet një rritje prej rreth 25% e sëmundjeve kardiovaskulare në Shqipëri gjate 20 viteve të fundit. Në Shqipëri  janë në funksion 421 qendra shëndetësore  në kujdesin parësor, në çdo lagje në qytete si dhe në çdo komunë në fshatra, të udhëzuar të depistojnë popullatën lidhur me tensionin arterial.  Në shërbim të qytetarëve, në kuadër të kujdesit parësor, janë 1584 mjekë të përgjithshëm dhe mjekë të familjes , 6660 infermierë dhe 305 mjeke specialiste në poliklinikat e Tiranës.  Numri i barnave në listën e barnave të rimbursueshme ka arritur në  426 në vitin 2013 në krahasim me 362 në vitin 2007.