Reagon kryeministria pas akuzave të Berishës për blerjen e makinave Toyota

483
Sigal

Pas akuzave të
ish-Kryeministrit Sali Berisha se Qeveria ka shpenzuar 3.2 milonë Euro për
blerjen e 164 makinave Toyota nga Japonia, ka reaguar Kryeministria.

Përmes një reagimi në
faqen e qeverisë ‘Transparenca.al’, zyra e Kryeministrisë thotë se bëhet fjalë
për 129 makina Toyota të cilat nuk janë blerë, por janë bërë dhuratë nga
Qeveria Japoneze në bazë të marrëveshjes mes dy vendeve.

Reagimi i Kryeministrisë për akuzat e ish-Kryeministrit Sali
Berisha: 

 

Pretendimi i ngritur në
postimin e Z. Sali Berisha se qeveria shqiptare ka shpenzuar 3.2 milionë euro
për blerjen e 164 makinave luksoze Toyota është i pavërtetë.

129 makinat Toyota, dhe
jo 164 siç pretendohet në postim, nuk janë blerë nga qeveria shqiptare por janë
një dhuratë e Qeverisë Japoneze e mundësuar përmes grantit gjeneroz prej 500
milionë YEN, ose 4.6 milionë dollarë, i miratuar përmes nënshkrimit të
marrëveshjes dypalëshe më 29 korrik 2015. Pra qeveria shqiptare nuk shpenzon
asnjë qindarkë të taksapaguesve për blerjen e këtyre automjeteve.

Qëllimi i kësaj dhurate
është zvogëlimi i ndotjes mjedisore dhe reduktimi i gazeve që shkaktojnë
efektin serrë nëpërmjet promovimit të makinave të gjeneratës së ardhshme
miqësore ndaj mjedisit. Makinat do të shfrytëzohen për përdorim publik në përputhje
me nevojat e sektorit publik për mjete transporti.

Projekti do të ndikojë
në përmirësimin e shërbimeve publike, optimizimin e shërbimeve mbështetëse
administrative për institucionet qeveritare, rritjen e mobilitetit të
institucioneve monitoruese dhe zbatimin e planeve të veprimit për rehabilitimin
e zonave të dëmtuara mjedisore, rritjen e kapaciteteve për mbrojtjen e
mjedisit, si dhe reduktimin e ndotjes së ajrit.