Reagojnë Rama dhe Gjiknuri:Zyrtari i FBI-së theu besimin e SHBA, nuk ka lidhje me ne

112
Sigal

Damian Gjiknuri: Qesharake, Rama s’ka faj për takimet me zyrtarin e FBI, ai theu besimin e SHBA, s’ka lidhje me ne! 

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Socialiste, Damian Gjiknuri e quajti ekzagjerim dhe skenar filmi çështjen e arrestimit të ish-zyrtarit të FBI, Charles McGonigal dhe lidhjet e tij me kryeministrin Edi Rama. I pyetur sot nga gazetari Muhamed Veliu, Gjiknuri pranoi se McGonigal ishte një zyrtar i nivelit të lartë në FBI, por mohoi që paratë të jenë dhënë për të hetuar Nick Muzin dhe dosjen hetimore në SHBA për lobimin e PD me para ruse. Gjiknuri nisi me një shpjegim së pari për hierarkinë e krimeve, ku sipas tij në majë qëndron “21 Janari” dhe vrasja e 4 qytetarëve dhe më pas të tjerat. Sipas PS, problemi lidhet me zbatimin e detyrës nga një zyrtar amerikan dhe jo nga takimet e tij me kryeministrin Edi Rama apo dy personat A dhe B, që në aktakuzë rezultojnë si lidhje të afërta të qeverisë shqiptare.

Pyetje: Arrestimi i MCgonigal ka një prapaskenë tjetër me paratë që ka marrë, paratë janë paguar që zyrtari i FBI të zhvillonte veprime ndaj kompanisë së Nick Muzin. Do doja një koment tuajin?

Përgjigje: Kjo nuk ka lidhje me konferencën, por nisur nga dokumenti që del. Së pari, kjo është tymnajë e fortë e ngritur nga opozita për të sfumuar 21 janarin dhe faktet e reja që kanë. Kjo është mëse e kuptueshme, kjo kuptohet nga gjasme që ngrihet një alibi. Nuk ka krim më të rëndë në hierarkinë e krimeve, sesa vrasja e qytetarëve, në disa vende quhet edhe genocid.

Zyrtari në fjalë, zyrtar shumë i lartë, drejtues i zyrës së Nju York, që mbulon një territor të gjerë, duhet të dini që Nju Jorku ka 50-60% të transaksioneve botërore. Ai ishte shumë i rëndësishëm. Ai akuzohet për lidhje të tij me pagesa të një oligarku rus. Ngjarjet që përmenden, nuk faktojnë krime të kryera nga autoritete shqiptare. Por ka patur një thyerje të etikës dhe besimit për kontaktet që ka bërë.

Për Nick Muzin, rasti i tij është tjetër. I është nënshtruar drejtësisë amerikane dhe askush se ka hedhur poshtë që paratë janë ruse. Ka dokumente zyrtare. PD e asaj kohe ka përfituar para ruse. Askush se mohon këtë. Në vetvete, problemi ka të bëjë me sesa drejt e ka zbatuar detyrën një zyrtar amerikan dhe jo me kontaktet me Shqipërinë. Ka lidhje që s’ka deklaruar takimet? Po për këtë s’ka faj kryeministri, se si të rrinte ai pa takuar një zyrtar të lartë të FBI? Kuptoni diçka, për SHBA ky lajm ka rëndësi, sepse cënohet autoriteti i FBI, por s’ka lidhje me Shqipërinë.

 

Kryeministri Rama: E kam takuar ish-zyrtarin e FBI, por s’kam lidhje me hetimin e SHBA! Përpjekje e opozitës për të bërë zhurmë

Kryeministri Edi Rama ka pranuar se e ka takuar ish zyrtarin e SHBA-së, Charles McGonigal, mirëpo thekson se nuk ka asnjë akuzë të ngritur drejt tij personalisht dhe as qeverisë shqiptare. “Është një çështje e hetuar nga drejtësia Amerikane, që nuk nxjerr vetëm për vrasje pa autor apo vrasje nga pakujdesia kur vrasjet bëhen nga institucionet shtetërore dhe nuk ia përton askujt. Ka zero akuzë dhe zero lidhje mes çështjes dhe meje …Po e takova dhe kjo nuk përbën arsye për të nxjerrë konkluzione të reja duke parë nga Tirana me dylbitë e politikës së zhurmës, për zhurmë aq më tepër kur jemi në kushtet që jemi para faktit të ri për 21 janarit dhe kërkesës së PS për të hapur hetimin në SPAK. Kushdo të kuptojë e kupton”, tha Rama. Mes konfirmimit se ka zhvilluar takime, Rama zbuloi edhe disa pika të bisedave që ka kryer me Charles McGonigal, duke thënë se është diskutuar për krimin, korrupsionin, apo për çështje që përfshijnë SHBA-në apo Ballkanin.“E kam takuar në zyrën e FBI, më ka prezantuar me kolegë, më kanë dhënë edhe dhurata që u shfaqën si aparatura përgjimi. Ka ardhur në Shqipëri, jemi takuar, interesi im ka qenë për të shkëmbyer opinione për ato fusha që ishte ekspert, krimi, korrupsioni, Ballkani Shqipëria, asnjë marrëdhënie tjetër”, u shpreh Rama. Rama ka treguar edhe lidhjet që ka pasur me 2 shqiptarët e përdorur në media, shqiptaro-amerikani Agron Neza dhe Dorjan Duçkën. Për të parin, Nezën, tha se nuk ka pasur asnjë raport tjetër përveç se e ka takuar vetëm në prani të McGonigal e ndërsa për Duçkën, thotë se e ka njohur ku ka qenë zv. ministër i energjetikës në koalicion e 2013 se ka punuar pranë tij për një kohë të shkurtër, pa pagesë. Duke e përkufizuar si një absurd, Rama i ktheu përgjigje edhe kërkesës së opozitës për ngritjen e një Komisioni Hetimor për këtë çështje, pasi është hetuar nga vetë drejtësia Amerikane dhe askush nuk mund ta vërë në dyshim. Reagimi i kreut të qeverisë vjen pasi emri i tij përmendet në aktakuzën amerikane që ka kryer takime me ish zyrtarin e lartë të FBI-së, të cilat ai nuk i mohoi.