Raportimet në “Siguria”, Gazheli: Po hetojmë 7 politikanë për pastrim parash!

423
Sigal

Ditën e djeshme, radha e raportimit në Komisionin e Sigurisë së Parlamentit Shqiptar ishte e Genti Gazhelit, kreut të Parandalimit të Pastrimit të Parave.  “Kemi 7 politikanë të për të cilët po hetohen që prej vitit të shkuar”. Deklarata është bërë sot në Komisionin e Sigurisë nga kreu i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, Genti Gazheli, i cili është pyetur nga deputetja Mesila Doda nëse ka ndonjë politikan nën hetim për pastrim parash. Gjatë seancës, deputetja e Partisë Demokratike, Mesila Doda, në fjalën e saj tha se raporti i ngjan një historiku të shkruar nga organizata jo fitimprurëse, ndërsa pyeti Gazhelin lidhur me hallkat që shkaktojnë problematikën më të madhe në punën e përditshme të institucionit që ai drejton. Doda e pyeti Gazhelin lidhur me politikanët nën hetim dhe gjithashtu e pyeti edhe në lidhje me terrorizmin, nëse gjatë hetimeve ka pasur raste të lidhjeve direkt ose jo me pastrimin e parave. Gazheli u përgjigj se janë 7 politikanë që po hetohen dhe prokuroria është hallka e dobët e sistemit. “Ka vonesa të paarsyeshme nga prokuroria që çojnë edhe shuarjen e çështjes. Kemi 7 politikanë të për të cilët po hetohen që prej vitit të shkuar, ndërsa sa i takon terrorizmit, siç të gjithë e dini aksioni i kryer nga policia pak javë më parë erdhi falë një bashkëpunimi të fortë të të gjithë institucioneve ligj zbatuese përfshirë edhe ne, por ka problemet të tilla”, nënvizoi Gazheli. Në raportin e Gazhelit, nuk munguan as kritikat në drejtim të Prokurorisë, pasi ky institucion nuk i heton si duhet dosjet e referuara nga drejtoria e tij. “Ka mungesë informacioni për ecurinë e rasteve për pastrim parash në prokurori”,- u shpreh ai. “Ende nuk ka një sistem të konsoliduar për ndjekjen e çështjeve për pastrim parash, megjithëse është nënshkruar një marrëveshje për këtë qëllim. Pavarësisht nga të dhënat, të cilat janë të pjesshme dhe të pakonsoliduara, numri i rasteve që dërgohen në gjykatë për pastrim parash është i ulët dhe akoma më i ulët është numri i vendimeve të dënimit”. Më tej, -ai vazhdoi: “Konstatohen vonesa të paarsyeshme në hetimin e rasteve, hetime krejt të mangëta, arsyetime të pabazuara, moskuptim i veprës penale dhe pastrim i produktit të veprës penale nga Prokuroria; çështjen pushohen nga Prokuroria, nuk shkojnë në gjyq”.

Gazheli kritikoi ndërkohë, edhe punën e paraardhësit të tij në këtë institucion duke theksuar se ndërkohë që, gjatë gjithë vitit 2013 u bënë gjithsej 13 inspektime, vetëm në 3- mujorin e parë të këtij viti janë bërë mbi 20 të tilla. Kreu i Komisionit Parlamentar të Sigurisë Kombëtare, Spartak Braho në fjalën e tij e pyeti Gazhelin lidhur me marrëdhëniet me agjencitë homologe. “Si janë marrëdhëniet me agjencitë homologe në botë, shkëmbeni informacion? Po, legjislacioni ku mbështetet puna juaj është i plotë apo ka nevojë për ndryshime?”, pyeti Braho. Gazheli bëri të ditur se marrëdhëniet me agjencitë e huaja janë të shkëlqyera. “Ne bashkëpunojmë dhe shkëmbejmë informacion me mbi 100 agjenci homologe në të gjithë botën dhe kjo na ndihmon në rritjen e efikasitetit. Sa i takon legjislacionit duhet thënë se ndryshimet e fundit janë kryer në tetor të 2014-s, pra me nisjen e punës nga qeveria e re, prandaj mund të them së është kryer një punë e mirë dhe legjislacioni është i plotë”, theksoi Gazheli.