Raporti paraprak i Komisionit të Venecias/ Ambasada e SHBA-së bën thirrjen e fortë për qeverinë dhe Presidentin

489
Sigal

Ambasada e SHBA-së ka reaguar për publikimin në media të një pjese të raportit paraprak të Komisionit të Venecias në lidhje me përzgjedhjen e gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese.

Në raport thuhet se nuk ka bazë për shkarkimin e presidentit lidhur me këtë çështje, pasi Meta ka vepruar në përputhje me interpretimin e arsyeshëm të Kushtetutës dhe sipas germës dhe logjikës së saj.

Ambasada e SHBA-së bën thirrje që pakët të përqendrohen tek sundimi i ligjit dhe e ardhmja e Shqipërisë në Evropë.

“Nxisim të gjitha palët që të respektojnë procesin e Komisionit të Venecias, përfshi kërkesën për konfidencialitet të projekt-opinionit deri sa të finalizohet. Mirëpresim vendimin e qeverisë për të mos ndërmarrë veprime të mëtejshme lidhur me legjislacionin përkatës derisa opinioni të finalizohet.

Po ashtu mirëpresim deklaratën e bërë nga Presidenti Meta gjatë konferencës së tij për shtyp me Presidentin e Bullgarisë, duke afirmuar rëndësinë e një vendimi pozitiv nga BE për të hapur negociatat drejt anëtarësimit për Shqipërinë. Duhet të qëndrojmë të përqendruar tek ajo që ka më shumë rëndësi – sundimi i ligjit dhe e ardhmja e Shqipërisë në Evropë.’, thuhet në mesazhin e ambasadës së SHBA në tiranë të publikuar në Facebook.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, pas publikimit në media të një pjese të raportit paraprak, shkroi në Facebook se “shpërndarja e copëzave apo fjalive të veçanta në raste të mëparshme të drafteve paraprake ka dëmtuar kredibilitetin e procesit të konsultimit me Komisionin e Venecias dhe se deri në marrjen e Opinionit përfundimtar zyrtar, dekreti i rikthyer nga presidenca nuk do të diskutohet dhe as shqyrtohet në Kuvend, për të respektuar deri në fund Komisionin e Venecias.”