Raporti i OSBE: Gjykata Kushtetuese, e vetmja që vendos për dekretet e Presidentit

505
Sigal

Në raportin e saj, lidhur me votimet e 30 qershorit, OSBE/ODIHR nuk anashkalon as dekretet e presidentit Ilir Meta, i cili anulloi datën e parë dhe dekretoi më pas 13 tetorin si datë për mbarëvajtjen e zjedhjeve për pushtetin lokal.

Sipas raportit, Gjykata Kushtetuese është i vetmi organ që mund të vendosë në lidhje me kushtetueshmërinë e dekreteve të kreut të shtetit.

“Dekretet e 10 qershorit dhe 27 qershorit të Presidentit dhe veçanërisht reagimet e ndryshme që ata ngjallën mes aktorëve institucionalë dhe politikë, kontribuuan të gjitha bashkë në pasiguri juridike dhe politike. Gjërat u bënë edhe më komplekse për shkak të mungesës së një Gjykate Kushtetuese dhe një Gjykate të Lartë funksionale, ku e para është i vetmi organ i mandatuar për të vendosur në lidhje me kushtetueshmërinë e dekreteve të Presidentit”, thuhet në raportin e OSBE/ODIHR.

Një vendim i njëanshëm i 4 anëtarëve të PS në KQZ dhe një vendim i Kolegjit Zgjedhor për të mos çregjistruar Partinë Uniteti Kombëtar nga 30 qershori, u interpretua para 30 qershorit si rrëzim i dekretit të presidentit.

Por siç thotë edhe OSBE, fjala e fundit i takon Gjykatës Kushtetutese, që ende është jashtë funksionimit.