Raporti i Avokates së Popullit: Urdhrat e ndalimit pa arsyetim. Ja shkeljet

485
Avokati i Popullit publikoi dje rekomandimin për çështjen e protestës në “Rrugën e Kombit” dhe arrestimin e protestuesve. Në një rekomandim prej disa faqesh, AP ka evidentuar problematikat dhe shkeljen e të drejtave të njeriut dhe ligjit.

1. Urdhrat e ndalimit të nxjerrë nga Prokuroria nuk përmbajnë asnjë arsyetim në lidhje me shkaqet që kanë çuar Prokurorinë në zbatimin në rastin konkret të një masë sigurie me privim lirie.

2. Nuk janë evidentuar nga ana e Prokurorisë dhe/ose Policisë veprimet konkrete të bëra midis tyre për të dokumentuar orën, në të cilën i është kërkuar policisë zbatimi i këtyre urdhrave të ndalimit;

3. Nuk rezulton asnjë dokumentim në lidhje me grupet e ngarkuara nga ana e Policisë për të ekzekutuar urdhrat e ndalimit dhe ose personin përgjegjës (veprimet janë kryer me urdhra verbale);

4. As të ndaluarve dhe as familjareve të tyre nuk u është komunikuar një kopje e urdhrit të ndalimit, në momentin në të cilin u është privuar liria;

5. Oficerët e Policisë Gjyqësore dhe/ose organi i akuzës kanë dështuar të evidentojnë në mënyrë të saktë orën në të cilën personave u është privuar liria;

6. Regjistrat e shoqërimit dhe/ose ndalimit në Komisariatet 1, 2, 3, si dhe në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, janë plotësuar me vonesë dhe jo në mënyrë të saktë, duke u bërë shkak për mostrajtim në kohë e në përputhje me ligjin të të ndaluarve;

7. Procesverbalet e komunikimit të urdhrave të ndalimit, përmbajnë pasaktësi të theksuara në përpilimin e tyre dhe kanë mangësi në lidhje me evidentimin e veprimeve procedurale, të cilat duheshin kryer në përputhje me Kodin e Procedurës Penale; sa më sipër ka çuar në mosgarantimin e të drejtave të ligjore të të ndaluarve;

8. Kërkesa e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Kukës, për vlerësimin dhe caktimin e masave të sigurimit personal ndaj 23 shtetasve të ndaluar është depozituar pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Kukës, jashtë afatit ligjor të parashikuar nga neni 258 i Kodit të Procedurës Penale.

Avokatja e Popullit nuk ka ngritur disa pyetje të rëndësishme:
Nga erdhën forcat speciale të policisë në ditën e protestës në Kalimash? Nëse kanë ardhur nga rrethet e tjera, i kujt është urdhri? I ministrit të Brendshëm? I Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë? Përse Avokatja e Popullit nuk përmend cilët kanë falcifikuar orën e arrestimit të qytetarëve? Policia e Shtetit? Prokuroria? Cilët e dhanë urdhrin për ndryshimin e orës së ndalimit të qytetarëve kuksianë? 
Sigal